SHBA vë notën: Investimet amerikane po ikin nga Shqipëria

departament

Në raportin më të fundit të DASH, mbi klimën e biznesit në botë, theksohet se investitorët e huaj e shmangin Shqipërinë prej informalitetit dhe korrupsionit masiv. Anulimi i kontratave, garancia juridike zero dhe përzënia e koorporatave që s’pranojnë gjobat e vendosura prej sekserëve, është klima që ka siguruar gjatë këtyre 4 vjetëve Edi Rama për biznesin e huaj. Raporti i Uashingtonit nxjerr lakuriq propagandën e kryeministrit lidhur me investimet e huaja dhe rrëfen politikën e Edi Ramës për ta kthyer ekonominë tonë të varur nga kanabisi dhe jo nga bizneset që prodhojnë vende pune

Reagimi/Berisha: Shteti i Noriegës është mafia që po largon investitorët e huaj

Edi Rama u kujdes personalisht gjatë mandatit të parë qeverisës që varfërinë e papunësinë masive të shqiptarëve ta fshihte e manipulonte duke mos i kushtuar rëndësi në propagandën televizive që i bëri reformave të tij të dështuara, por rrënimin e ekonomisë shqiptare nuk mund të mos e faktojnë raportet ndërkombëtare të përpiluara për këtë qëllim. Kështu në raportin më të fundit të Departamentit Amerikan të Shtetit mbi Klimën e Investimeve në vitin 2017, për Shqipërinë theksohet se përveçse mungojnë investimet e huaja të reja, nga vendi janë larguar edhe investitorë të mëdhenj për shkak të nivelit të lartë të korrupsionit, tentativave të qeverisë për të revokuar një numër të lartë kontratash të firmosura gjatë qeverisjes së PD-së, por edhe prej pushtetit që kanë gjeneruar në duart e tyre bandat e krimit të organizuar. “Pavarësisht legjislacionit të favorshëm, investitorët janë sfiduar nga korrupsioni i shfrenuar dhe vazhdimi i praktikave të biznesit informal. Disa investitorë të mëdhenj të SHBA-ve janë larguar nga vendi gjatë viteve të fundit pas konflikteve të vazhdueshme tregtare, përfshirë disa që shkuan deri në arbitrazh ndërkombëtar”, thuhet në raportin e DASH. Në këtë raport vërtet shqetësues, që hedh dritë mbi dështimin e ekonomisë shqiptare gjatë qeverisjes së Edi Rmës, theksohet se edhe ndryshimet e qeverisë përbëjnë një shqetësim madhor për investitorët e huaj. “Pas zgjedhjeve të vitit 2013 dhe kalimit paqësor të pushtetit, qeveria e re ka revokuar ose tentuar për të rinegociuar marrëveshje të shumta të koncesionit, licencave, si dhe kontratat e nënshkruara nga qeveria e mëparshme me investitorët vendas dhe ndërkombëtarë. Kjo praktikë ka ndodhur edhe në vitet e kaluara”, thuhet ndër të tjera në raport. Sipas raportit të DASH, rezulton se gjatë dhjetë viteve të fundit, ka pasur gjashtë mosmarrëveshje investimi ndërmjet qeverisë shqiptare dhe kompanive nga SHBA-të, katër prej të cilave kanë shkuar në arbitrazhin ndërkombëtar. “Pavarësisht se ka një dëshirë për të tërhequr dhe për të mbështetur investitorët e huaj nga SHBA-të, investitorët që kanë qenë në konflikt me qeverinë shqiptare raportojnë mungesën e dialogut produktiv me zyrtarë të qeverisë, të cilët shpesh ngurrojnë të zgjidhin mosmarrëveshjet para se çështja të përshkallëzohet në nivelin e arbitrazhit ndërkombëtar, ose para se bashkësia ndërkombëtare të ushtrojë presion mbi qeverinë për të zgjidhur çështjen”, theksohet në raport. DASH rekomandon që investitorët  e SHBA-ve në Shqipëri të përfshijnë klauzola të forta të arbitrazhit të detyrueshëm kur të hartojnë marrëveshje me homologët shqiptarë për t’i hapur rrugë investimeve serioze në vend.

Klima e përkeqësuar e 2016-ës/Gjatë vitit 2016 klima e investitorëve të huaj në vend u përkeqësua ndjeshëm. Indeksi i Dhomës Amerikane i atij viti ra në 37.94 pikë, nivelet minimale që kur ai filloi të hartohej në 2012-ën. Dhoma Gjermane e Tregtisë në një anketim për klimën e biznesit 2016 vërejti se Shqipëria renditet e 19-ta ndër 20 vende për atraktivitetin e investimeve, duke lënë pas vetëm Kosovën dhe ne vendin e fundit (20-ën), ndaj pyetjes bërë investitorëve “Nëse do të investonit përsëri në vendin ku operoni? ” Arsyet lidhen me trajtimin e keq fiskal dhe ligjor, me mosrespektimin e kontratave dhe paqëndrueshmërinë e administratës publike. Shoqata e Investitorëve të huaj gjithashtu në indeksin e saj raportonte një përkeqësim të klimës së biznesit. (FIAA), që ka në gjirin e saj disa nga sipërmarrjet më të mëdha të huaja në vend ka shprehur shqetësim për klimën e biznesit në Shqipëri dha në atë kohë një paralajmërim të qartë: “Ne duam të qëndrojmë këtu dhe të vazhdojmë të investojmë më shumë. Por që kjo të jetë e mundur dhe që Shqipëria të tërheqje investime të reja, ne kemi nevojë për një mjedis biznesi ku të mbizotërojë funksionimi i ligjit. Mark Crauford, president i Dhomës Amerikane të Tregtisë (AmCHam) ishte i ashpër në daljet e asaj kohe, ku pohoi që jo vetëm nuk po vinin investime amerikane, por po iknin dhe ato që ishin. “Duke dëgjuar kanadezët dhe amerikanët, që po ikin nga sektori i naftës, po mendoja për Albpetrolin, se si mund të investosh aty. Por kur ambasada dhe diplomatët nuk janë më diplomatë, duke parë vështirësinë e situatës, është shumë e vështirë për ne t’u themi investitorëve hajdeni, sepse do jetë ambasada që do t’u thotë mos hajdeni, sepse situata nuk është e përshtatshme”, tha Crauford në një deklaratë publike në vitin 2016. Debati më i madh ishte për Bankers Petroleum, që në atë kohë u përfshi në një konflikt me tatimet, një çështje që shkoi deri në arbitrazh dhe që ende vazhdon, ndonëse në fazën e parë iu dha të drejtë Bankers Petroleum, një çështje që është përmendur indirekt në raportin e DASH. Pronarët kanadezë u larguan dhe Bankers Petroelum është aktualisht në pronësi të kinezëve të Geo Jade Petroleum. Hyrjet e reja të investitorëve kanë munguar ndërkohë vitet e fundit dhe investimet në Shqipëri po mbahen nga gazjslllësi TAP, HEC-i i Devollit, që janë projekte madhore të firmosura nga qeveria Berisha.

Berisha: Shteti i Noriegës është mafia që largon investitorët e huaj/ Lidhur me rezultatet shqetësuese të paraqitura në raportin e fundit të Departamentit Amerikan të Shtetit, referuar investimeve të huaja në vendin tonë ka reaguar edhe ish-kryeministri Sali Berisha. Në një status në Facebook, Berisha e cilëson situatën si alarmante, ndërkohë që nënvizon se shkak për largimin e investitorëve te huaj nga Shqipëria janë lidhjet e qeverisë me bandat e drogës dhe krimit të organizuar. Ish-kreu i ekzekutivit teksa shpërndan një pjesë të raportit që lidhet me investimet amerikane në vendin tonë, shprehet se shteti i Noriegës përbën mafien që po largon investitorët e huaj.

 

 

Lini një përgjigje

Adresa juaj e emailit nuk do të bëhet publike. Fushat e detyrueshme janë shënjuar me *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>