Shehët që nuk pyesin për faktet

ske

 

Kur lexon opinionet e Redi Shehut (opinione u thënshin), ndjen keqardhje dhe s’ka si mos të shkojë mendja në një kohë tjetër, 103 vjet më parë, në ditët e fundit të pushtimit osman, kur forcat ruse po merrnin Plovdivin dhe në anët tona po i afroheshin Durrësit, ndërsa në Shijak përflitej për fitore e turqve në Plovdiv. Sa për serbët, askush nuk e besonte se mund të hynin në Durrës. E dhimbshme, por dhe e justifikueshme, po të kemi parasysh çfarë kishte ndodhur me ne për pesëqind vjet ose 15 breza njëri pas tjetrit.

Po tani? Edhe në kushtet e këtij zhvillimi marramendës të teknologjisë së informacionit, ka një grup njerëzish që mendojnë se mund të mbahen me slogane dhe pa paraqitur asnjë fakt, ta detyrojnë njeriun e shekullit XXI t’u besojë qorrazi. Ajo kohë iku dhe nuk mund të kthehet. Sot flitet me fakte ose flitet kot; nuk ka rrugë të mesme. Njëri ndër ata që e mëshiron periudhën osmane të shqiptarëve është Redi Shehu që mendon se antikomunizmi mund të jetë një mënyrë për t’u bërë i pranueshëm edhe pa qenë bindës, sidomos për ata që mendojnë se komunizmi i ka ra në qafë periudhës së pushtimit turk.

Po antikomunistët çfarë thonë? Mehdi Frashëri në librin e tij “Problemet shqiptare” shkruan: “Një i huaj kur vjen nga Europa në Shqipëri, sheh një vend mjaft të bukur; me brigje deti, me limane të mira, me fusha pjellore, me ujëra të bulbërta e të shumta, me male te egra, por piktoreske, me liqene, me lumenj, në një kënd të Evropës që përbën bregun e detit perëndimor të Ballkanit. Me gjithë këtë, sheh njerëz të zbehur nga fytyra, të venitur nga sytë, të rreckosur nga rrobat, të palarë e të parruar, faqet të thelluara midis rreshtave të nofullave nga mungesa e ushqimit; qetë e lopët, kuajt e gjithë gjëja e trashë, të vegjël e të dobët. Nuk sheh asnjë vijë udhë të hekurt, as një liman të sistemuar, as fabrika, as pallate, as universitete, as spitale që të përfshijnë kushtet shëndetësore. Gjithashtu i huaji që na viziton nuk sheh as vepra arti, të vjetra ose të reja, me një fjalë, asgjë nga ato që shihen kudo në vende të qytetëruara. Vetvetiu këtij të huaji i vjen ndër mend pyetja: Pse ka mbetur kështu ky vend? (Mehdi Frashëri, Problemet Shqiptare, Antologjia e mendimit shqiptar 1870-1945, botimet “Toena” Tiranë 2003, f.396). Në të njëjtën mënyrë gjykon dhe Ali Këlcyra. Sipas tij “mund të thuhet pa e tepruar se sundimi pothuaj 450-vjeçar osman nuk qe gjë tjetër veçse një pushtim ushtarak. Gjatë gjithë kësaj kohe vendi ynë jo vetëm që nuk bëri asnjë përparim në të gjitha shfaqjet (aspektet) e jetës kombëtare; përkundrazi mbeti prapa. Në fillimin e jetës së pavarur vendi ynë nuk kishte jo vetëm një rrjet rrugor për të qenë, por as udhë për kalimin e qerreve e të karrocave e as ura. Limanet, sfratet e kanalet ekzistuese, përpara ardhjes së osmanëve, qenë prishur ose mbyllur, shumica e tokave pjellore (ishin) kthyer në moçalishte të dëmshme për shëndetin e popullsisë, prandaj banorët e këtyre anëve qenë të shtrënguar të tërhiqeshin nëpër zonat malore. Popullsia e varfëruar qe e këputur nga sëmundjet e mosushqimi. Në shumicën e krahinave shqiptare mungonte hierarkia administrative. E po ashtu mungonte organizimi i arsimit, e veçanërisht ai në gjuhën kombëtare. Midis gjithë popujve që përbënin Perandorinë Osmane vetëm shqiptarëve u ishte ndaluar rreptësisht mësimi dhe botimet në gjuhën amtare. Megjithatë gazetat dhe librat shqip shtypeshin nga bashkatdhetarët tanë në mërgim dhe futeshin në vend fshehurazi. Fatkeqësia më e madhe për popullin tonë, në kohën e sundimit osman, qe ndarja e tij në fe të ndryshme, klerikët e të cilave ishin bërë vegla të verbra të propagandës politike e vareshin prej shteteve të huaja. Kjo ishte, në vija të përgjithshme, gjendja e vendit tonë, kur u shpall më 1912 shtet i pavarur” (Tanush Frashëri, Ali Këlcyra, Shkrime për Historinë e Shqipërisë”, kujtime politike si dhe shkrime e letërkëmbime, botimet “Onufri”, Tiranë 2012).

Ja dhe një shkrim i gazetës “Drita” në vitin 1909, që besoj se ishte shkruar nga një jokomunist. “E fëlliqura Turqi shqiptaret i ka rrjepur e varferuar keq saqe mund te themi se varferi e vobesi si e shqiptareve nuk gjendet gjekundi. Pa shtepi, pa gje, pa mesim e pa me te voglen shprese kane mbetur, edhe prap pagese te rende i paguajne Turqise e cila i merr ushtare qe te vejne e vdesin nga klima dhe shigjetat e Mahmut Jahjait ne Arabi. As udhe s’kemi, as ura, as mesonjetore as ndonje te mire per vendin tone ka bere gjer me sot Turqia. Te gjitha te hollat qe mbledh i dergon ne Stamboll dhe çdo nepunesi te saj i ka dhene lejen te rjepe gjendjen ne çdo udhe te mundur…” (Gazeta “Drita” Nr. 86, dhjetor 1906).

Tani edhe faktet: Fillimisht theksojmë se çdo pushtues ka pasur si synim përfitimin e hapësirave të reja dhe unifikimin në territore gjithnjë e më të gjëra. Por vetë pushtuesit kanë pasur nivel të ndryshëm qytetërimi dhe tradite, për rrjedhojë dhe pasojat mbi vendet e pushtuara kanë qenë të ndryshme.

Nën pushtimin romak u ndërtua rruga Egnatia, Apollonia e Ilirise qe qyteti me i madh ndër 20 Apollonitë që kishte atëhere, kishte shkollë të zgjedhur, ku mbaroi studimet vetë perandori Oktavian Augusti. Durrësi ishte njëri ndër qytetet më të mëdha në bregun lindor të Adriatikut. Amfiteatri i tij ishte më i madhi pas atij të Romës. Përsa u përket pushtimeve të tjera: ilirët dhe arbrit erdhën nen pushtime të huaja, sepse bota jetonte në perandori. Këtë fat paten dhe shumica e popujve të tjerë. Pas shkatërrimeve të barbarëve, nën bizantinët vendi e mori veten dhe pati nivel të   njëjtë zhvillimi me popujt fqinj të bregut lindor të Adriatikut. Nën bizantinët: Durrësi, Justiniana Prima dhe Ohri qenë ndër qytetet më të rëndësishme të Perandorisë. Gjatë sundimeve bizantine, veneciane dhe serbe u zhvilluan komunat qytetare me statute; pati shkolla ne gjuhët latine, greke si në të gjithë Europën e kohës, deri në universitetin e Durrësit.

Pavarësisht nga këto të dhëna, duhet sqaruar se nuk ka pushtues të mirë dhe çdo pushtim shkon kundër zhvillimit të natyrshëm të një populli, por edhe midis pushtuesve mund të bëhet krahasimi për të parë kush ka qenë më i keq.

Pushtimi turk: 95 përqind analfabetë. Zhvillim artizanal të shekullit XVI dhe në fund të shekullit XIX. Asnjë kilometër rrugë automobilistike.

Pushtuesit osmanë shkatërruan gjithçka gjetën dhe për pesëqind vjet nuk ndërtuan asgjë, sa trashëgimia otomane sot është e katandisur në ndonjë urë, hamam dhe objekte kulti.

Pushtimi austriak: Në periudhë lufte, brenda 2-3 vjetësh ndërtuan rrugët: Shkodër-Tiranë; Shkodër-Pukë-Kukës; portin e Shëngjinit; dekovilin Prizren-Kukës, qindra shkolla, dhjetëra qendra shëndetësore në të gjithë zonën e tyre të pushtimit, si dhe shume projekte te tjera, një pjesë e të cilave të mbetura përgjysmë pas kapitullimit.

Pushtimi italian: Rrugën Vlorë-Tepelenë-Përmet; rrugën Vlorë-Sarandë; portin e Vlorës. Pa përmendur Luftën II Botërore, kur Italia Fashiste ndërmori projekte te rëndësishme zhvillimi në infrastrukturë, arsim, shëndetësi, etj. Akoma më zi është gjendja në arsimin shqip gjatë periudhës otomane: Në vitin shkollor 1896-1897 kishte: shkolla greke: 1276 me 85015 nxënës; shkolla bullgare: 821 me 29846 nxënës; shkolla serbe: 162 me 7511 nxënës; shkolla rumune: 80 me 3678 nxënës. Vetëm shkolla shqiptare nuk kishte. Ishin deri në dhjetë shkolla që autoritetet osmane here i hapnin dhe here i mbyllnin. Pse na diskriminoi kaq keq Perandoria Osmane? Nuk vepruan kështu austro-hungarezët që na pushtuan vetë dy vjet. Me urdhër të Komandës së Përgjithshme Ushtarake Austriake arsimi fillor u bë i detyrueshëm për fëmijët 7-12 vjeç në fshatra dhe 7-14 vjeç në qytete. Në vitin shkollor 1916-1917, Tirana kishte 24 shkolla fillore me rreth 1000 nxënës e 39 mësues; Prefektura e Durrësit pa Krujën kishte 40 shkolla, me 1542 nxënës e 67 mësues; Prefektura e Elbasanit kishte 49 shkolla , 1750 nxënës dhe 61 mësues. (Hajrullah Koliqi, Historia e Arsimit dhe e mendimit pedagogjik shqiptar, Prishtine 2002, f.327). Këto janë faktet, këto janë gjykimet e jo-komunistëve për periudhën osmane të shqiptarëve. Tash vetëm një pyetje? Si ju duket, a ngjajnë gjykimet e antikomunistëve dhe komunistëve në gjykimin e periudhës së pushtimit turk? Meqenëse ngjajnë, duket lënë anti-komunizmi se nuk mund të shërbejë si alibi për të mbrojt prapambetjen e shqiptarëve nën pushtuesit osman. Nuk mund të ecet me gjykime që nuk mbështeten në fakte, aq më keq që janë kundër fakteve.

 

 

 

1 Koment

  1. albano

    03/10/2015 at 15:24

    nuk ishte mendimi i nje komunisti por i cdo njeriu te zgjuar shqiptar NAIM FRASHERI DHE SHUME TE TJERE AS QE E DINI SE EXISTONTE KOMUNIZMI . DHE TURQIA NA LA MBRAPA KETE E DINE TE GJITHE … NUK JAM AS KOMUNIST AS ……. TURQIA NA PERCAU JA DHA MALIN E ZI ITALIANEVE … SERBET I L TEFLISNIN GHUHEN E VET GREKET I LA TE PAGUANIN TAKSA DHE …. NDERSA NE NA MASAKROI NE KOMPLOTE ME SERBET ITALIANET…. EDHE PER TE FOLUR GJIHEN TONE NUK DESHEN ..NE FRANCE NE ANGLI EDHE SOT E KESAJ DITE KA RRUGE TE NDERTUARA NGA ROMAKET ..NE SHEKULLIN E 2 ..NDERSA TEK NE VETEM VJEDHJE .PLACKITJE .DHE ZAKONA ARABESH …. JA CNA BERI TURKU …