Shën Shtjefni – Protomartir, Martiri i parë për fe në historinë e krishtërimit

Shën Shtjefni, një emër i madh në historinë e Kishës. Pas Krishtit, ai është i pari që u vra me gurë dhe dëshmoi kështu me gjakun e vet se Jezusi është Zot dhe Shpëtimtar.

Për figurën e Shtjefnit flet vetë Bibla në Veprat e Apostujve, por edhe tradita e Kishës e ka kujtuar gjithmonë me nderim të madh. Ai u zgjodh si diakon për Kishën në një moment historik kur bashkësia e parë e krishterë po zgjerohej, dhe që të mos lihej pas dore shërbesa e predikimit nga ana e Apostujve, u mendua të zgjidheshin disa “plot me Shpirt Shenjt” për t’u kujdesur për të varfërit, ndër të cilët ishte edhe Shtjefni.

Famullia e Blinishtit në Zadrimë i kushtohet pikërisht këtij Shenjti të madh. Liturgjia e Kishës në mbarë botën e feston Martirin e Parë, më 26 dhjetor çdo vit, por me Famullinë e Blinishtit ndodh ndryshe. Pajtori shën Shtjefni kremtohet më 3 gusht në fshatrat Blinisht dhe Piraj të Zadrimës dhe në fshatin Blinisht të Mirditës. Përse ky ndryshim? Legjenda thotë se më shumë se para një shekulli, teksa një bijë e martuar po vinte nga larg në familjen e prindërve në Blinisht për festën e Pajtorit (kur festohej më 26 dhjetor), foshnja i vdiq në duar nga të ftohtët. Pas kësaj ngjarjeje, populli dhe famullitari i atëhershëm, i kërkuan Ipeshkvit të Dioqezës së Sapës që për fshatrat e sipërpërmendur, Festa e Shën Shtjefnit të kremtohej në një datë ku moti është më i butë. Dhe u vendos data 3 gusht.

Me ardhjen e lirisë fetare në Shqipëri, famullitari i parë i Blinishtit, don Antonio Sciarra, e nxiti më shumë se askush lartësimin e kësaj Feste. Çdo vit nuk mungonin proçesionet në nder të Shenjtit, lujtet, Meshët e Shenjta, koncerte dhe bashkëndarje vëllazërore.

Ju uroj të gjithë besimtarëve katolikë dhe të gjithë atyrë që bashkëndajnë këtë gëzim me ne: Gëzuar Festën e Shën Shtjefnit, të cilën e kremtojmë pikërisht më 2 dhe më 3 gusht!

 

 

Lini një përgjigje

Adresa juaj e emailit nuk do të bëhet publike. Fushat e detyrueshme janë shënjuar me *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>