Shoqëri në letargji

Temperatura zbret, dita shkurtohet, nga mungesa e diellit gjethet ndryshojnë ngjyrën e bien. Dimri sjell pasoja, në shumë vënde aq sa të pamundësojë jetën e disa qenieve të gjalla. Nevoja për mbijetesë ka vulosur në ADN e tyre refleksin se nuk mund të pengojnë ndryshimet stinore, por duhet të luftojnë me shpresen se pranvera vjen pas. Disa adaptohen e disa emigrojnë, të tjerë e kalojnë me gjumë letargjik. Nga ato që vendosin të kalojnë dimrin aty ku janë duke u adaptuar, një pjesë e përballojnë pa ndryshuar dukshëm, të tjerë krijojnë rezerva të mjaftueshme, disa përshtasin ngjyrën me kushtet e reja, të tjerë trashin qimen dhe lëkurën, e disa bëhen më agresive nga ankthi i mbijetesës. Ka nga ata që e presin dimrin me padurim sepse i favorizon për të jetuar më mirë. Ato që emigrojnë në vende ku gjejnë siguri se jeta do vazhdojë, marrin përsipër udhëtime të vështira. Lënë pas foletë e ngritura me mundim, cepat ka kanë puplat e të parëve, rrezikojnë veten dhe të vegjlit në aventura shpesh pa kthim. Ato të gjumit letargjik, pasi kanë krijuar rezerva dhjamore gjatë kohës që ishin zgjuar, i shfrytëzojnë për të jetuar dhe fjetur në pritje të kushteve më të mira që do vijnë pavaresisht a janë zgjuar apo duke fjetur. Edhe njerëzit, si qeniet e tjera të gjalla nuk bëjnë përjashtim në perpjektjet për mbijetesë. I vetmi dallim është se jo vetëm klima jua prish apo ndreq atyre terezine. Njeriu ka sajuar Qeveritë dhe i ka deleguar mundësinë për të garantuar disa kushte bazë të mbijetesës, njëkohësisht edhe mundësinë për të bërë të kundërtën. Nëqoftëse duam të dallojme nëse shqiptarët kanë “dimër” ose jo, mjafton të shohim tri rrethanat e sipërcituara që lidhen me qeniet e tjera. Çfarë po bëjnë ato që adaptohen? Sa janë ato që nuk ndryshojnë, po ato të fazës së babëzisë për të grumbulluar rezerva “dhjamore”? Sa janë ato që kanë pritur “dimrin” me padurim sepse i favorizon? Ato që po emigrojnë, shkojnë larg që të harrohen, apo afër me shpresë kthimi? Letargjikët a janë shumica, si dhe sa reagohet për zullumet e qeverisë, apo pritet me “sqep” hapur çfarë do hedhin ndërkombëtarët?Sondazhet, ikjet dhe  kthimet nga shtetet e BE, aplikimet për llotarinë amerikane tregojnë se, emigracioni është në nivelet me të larta që nga viti 1997. Të gjitha shifrat në rekord negativ konfirmojnë  rrethanat përse shqiptarët ikin nga sytë këmbët prej vendit tyre me “mbështetjen” e Qeverisë që po i mban “derën” hapur.Njëkohësisht edhe gjumi  letargjik është masiv dhe nuk është tepër të thuhet se kemi një shoqëri në hibërnim. Opozicioni i qytetarëve është afër zeros. Vetëm një grup politikanësh që nuk ka asgjë në dorë proteston sepse është në opozitë dhe i takon, pak media tregojnë të vërtetën, ndonjëintelektual apo sindikalist kontribon aq sa mundet, asnjë nga shoqëria civile nuk ankohet. “Dimri” ka ardhur në formë të plotë, shpresë-shumë për ato që “acar” duan, i egër dhe pamëshirë

për ato që kërkojnë një jetë normale. Dilema si të reagojmë, në tre format e qënieve të zhvilluara jo në nivelin njerëzor, apo me dinjitetin e krijesës së vetme me ndërgjegje kaloi pesë vite provë. A janë lejlekët, arinjtë e breshkat vetëm bashkë-udhëtarë nga Arka e Noes, apo i kemi më afër se kemi kujtuar? Përgjigja gjatë 2018-s!

 

Lini një përgjigje

Adresa juaj e emailit nuk do të bëhet publike. Fushat e detyrueshme janë shënjuar me *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>