Shqipëria humbet 11 vende në raportin e “Heritage Foundation” për shkak të korrupsionit

b-kadia-sekretar-per-sipermarrjen-ne-pd-847x477

Raporti “Heritage Foundation” e rendit Shqipërinë 11 vende më poshtë se në vitin 2013. Ky raport është bërë publik nga Partia Demokratike nëpërmjet një deklarate për mediat nga Besart Kadia. Sipas tij kjo renditje negative për Shqipërinë vjen si pasojë e inefikasitetit dhe paaftësisë së qeverisë

 

Partia Demokratike nëpërmjet një deklarate për mediat të Sekretarit për Sipërmarrjen, Besart Kadia i ka bërë me dije publikut se prej ditësh disponon raportin e fundit të “Heritage Foundation”, në të cilin Shqipëria renditet 11 vende më poshtë sesa viti 2013. Kadia deklaroi se biznesi është në dijeni të regresit që po pëson ekonomia dhe po ashtu si ta raportet ndërkombëtare reflektojnë shqetësimin për dështimin e politikave ekonomike në Shqipëri, ku probleme kryesor mbeten ende borxhi i lartë publik, presioni i lartë fiskal dhe shpenzimet publike jo efikase.

“Duam t’ju kujtojmë se në 15 janar të vitit 2014 Ministri i Ekonomisë Ahmetaj krenohej se ‘Heritage Foundation’ i kishte dhënë qeverisë së Rilindjes “të parin vlerësim cilësor në funksion të përmirësimit të klimës së biznesit dhe lirisë së të bërit biznes në Shqipëri”. Sipas tij në raport “përmendej pozitivisht ambicia e vendit dhe e Qeverisë Rama”. Duke qenë se ky raport i fondacionit prestigjoz ”Heritage” më qendër në Uashington është një tregues që qeveria Rama e ka vlerësuar si të rëndësishëm në atë kohë dhe është një mënyrë e pavarur për të matur performancën e reformave ekonomike në vend, është shqetësuese që pas katër vitesh në pushtet për shkak të politikave ekonomike të gabuara ne kemi humbur 11 vende”, tha Kadia nga selia blu. Ai vijoi më tej duke deklaruar se Ministri Ahmetaj dhe Kryeministri Rama thonë se reformat e tyre po japin frytet pozitive, por në realitet ekonomia në Shqipëri ka bërë 11 hapa mbrapa. Sipas Partisë Demokratike në raportin për Shqipërinë theksohet se shkak për rënien me 11 vende janë padyshim reformat ekonomike të paqarta, të pamenduara e të njëanshme ndaj biznesit, të cilat kanë ndikuar edhe në përkeqësimin e lirisë ekonomike në vend. Kadia u shpreh gjithashtu se ky rezultat negativ është produkt edhe i korrupsionit masiv. “Në muajt e fundit të qeverisjes së Rilindjes ‘Fondacioni Heritage’ me qendër në Uashington thotë se Kryeministria po i le bizneseve një klimë të përkeqësuar duke e renditur vendin e 65-të nga 54 që ishte në vitin 2014. Heritage Foundation shprehet se “sistemi gjyqësor mbetet jo efikas dhe vulnerabël ndaj ndërhyrjes së politikës. Por ajo që theksohet si një përkeqësim i klimës së biznesit është KORRUPSIONI”, theksoi Kadia. Ndërkohë sipas përfaqësuesit të Partisë Demokratike edhe pretendimi i Rilindjes për gjetjen e arkës së shtetit bosh bie poshtë, sepse “Heritage Foundation” shpreh shqetësimin se është “zgjerimi i shpenzimeve qeveritare ai që ka çuar në defiçit buxhetor dhe në zgjerim të borxhit publik në vitet e fundit”. Sipas konstatimeve të Heritage Foundation vendi ynë vuan edhe peshën e paaftësisë së administratës dhe inefikasistetin. “E vetmja gjë që mund të bëjë një qeveri është t’i ofrojë biznesit një administratë efikase dhe profesionale. Por për ‘Heritage Foundation’, institucionit më me peshë në politikat e administratës së Republikanëve në SHBA, Shqipëria ka përfunduar me një administratë që është barrë për të bërë biznes pasi sipas saj ‘administrata është e rrënuar nga inefikasiteti, paaftësia dhe nga korrupsioni’. Ne mendojmë, ashtu si dhe Heritage Foundation, se liria ekonomike është e drejta themelore e çdo njeriu për të qenë zot i punës dhe pasurisë së tij”, deklaroi Sekretari për Sipërmarrjen në PD.

Duke theksuar edhe njëherë premtimin e kreut të PD-së, Lulzim Basha për vendosje të tatim-fitimit për bizneset në 9 për qind, Kadia u shpreh se e gjithë kjo është një politikë që do të ndiqet për të lehtësuar biznesin shqiptar nga taksa e komplikuar progresive e për të nxitur punësimin e rritjen ekonomike. Për Partinë Demokratike sipërmarrja e lirë është thelbi i një shoqërie që mund të ecë përpara dhe kjo është politika e parë dhe më e rëndësishme për të bërë aleat biznesin.

“Në një shoqëri me liri ekonomike, individët janë të lirë të punojnë, prodhojnë, konsumojnë dhe investojnë në çdo mënyrë që e shohin të përshtatshme. Liritë ekonomike janë të siguruara vetëm kur pushteti është i kufizuar. Të kesh politika ekonomike pro-biznes do të thotë të jesh në gjendje të kuptosh sesi krijohet pasuria, e cila nuk vjen nga urdhrat e politikanëve, por nga njerëz të lirë që punojnë së bashku, që krijojnë, kursejnë, investojnë, blejnë e shesin, dhe të gjitha këto nën respektin për pronën dhe të drejtat e të tjerëve. Politika pro-biznes do të thotë presion fiskal i kufizuar. Do të thotë më pak qeveri më shumë liri. Çdo konferencë, çdo tryezë, e qeverisë me biznesin është thjeshtë propagandë, propagandë dhe vetëm propagandë. Këto janë PPP-të e vetme që ka njohur biznesi shqiptar këto vite qeverisje”, nënvizoi në fund Kadia.

 

 

 

Lini një përgjigje

Adresa juaj e emailit nuk do të bëhet publike. Fushat e detyrueshme janë shënjuar me *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>