Shqipëria nuk e ruan dot kufirin, BE sjell anijet e Frontex për të patrulluar detin shqiptar

Së shpejti në kufirin shqiptar vendoset roja kufitare dhe evropiane bregdetare. Siç duket në pamundësi që vendi ynë të ruajë kufirin e vet dhe të ndalojë gomonet me drogë, BE ka vendosur të ruajë vetë detin shqiptar. Komisioneri për Migrimin dhe Punët e Brendshme, Dimitris Avramopulos do të nënshkruajë marrëveshjen mes policisë shqiptare dhe Frontex, Agjencisë së BE-së përgjegjëse për mbikëqyrjen e kufijve tokësorë e detarë të zonës europiane Shengen, në koordinim me vendet anëtarë të zonës Shengen. Komisioneri Avramopulos do të jetë në delegacion më një grup ekspertesh të Frontex, me të cilët pritet të zyrtarizohet bashkëpunimi e që do mbështesin palën shqiptare me logjistikë dhe trajnime. Në një intervistë për Javanews, Avramopulos thotë se kjo do të sigurojë një menaxhim më të mirë të migracionit të parregullt drejt BE-së. “Marrëveshja do të lejojë vendosjen në Shqipëri të ekipeve evropiane të Kufirit dhe Rojës Bregdetare me kompetenca ekzekutive. Kjo do të sigurojë një menaxhim më të mirë të migracionit të parregullt, që përbën interesin tonë të përbashkët. Shqipëria ka një rol kryesor në rajon dhe marrëveshja do të shërbejë si një model edhe për marrëveshjet e ngjashme që po negociojmë me partnerë të tjerë në Ballkanin Perëndimor. Situata përgjatë rrugës së ashtuquajtur ‘Rruga e migracionit të Ballkanit Perëndimor’ është përmirësuar shumë krahasuar me dy vjet më parë, falë deklaratës BE-Turqi dhe përpjekjeve tona të përbashkëta në të gjithë rajonin për të kontrolluar më mirë kufijtë tanë dhe për të luftuar kontrabandistët. Megjithatë, ne vazhdojmë ta ndjekim me kujdes situatën në terren, gjithashtu edhe me mbështetjen dhe përfshirjen e Gardës Evropiane dhe Rojet Bregdetare si edhe me Europol. Ne duhet ta shtojmë më tej bashkëpunimin tonë kundër atyre rrjeteve kriminale të cilat shfrytëzojnë njerëzit e cenueshëm dhe e kërcënojnë sigurinë tonë. Vendosja e një Zyrtari Ndërlidhës për Vizitorët në Shqipëri në muajt e ardhshëm të këtij vit me siguri do të kontribuojë për këtë” – ka thënë komisioneri europian.

 

 

Lini një përgjigje

Adresa juaj e emailit nuk do të bëhet publike. Fushat e detyrueshme janë shënjuar me *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>