Shtohen përmbytjet në  Shkodër, uji i afrohet qytetit

Përmbytjet sa vijnë e shtohen por qeveria e kanë lënë Shkodrën në mëshirë të ujit dhe fatit, ndërsa shkarkimet nga HEC-et mbi Drin vazhdojnë. Bashkia dhe banorët kanë bërë thirrje për shpalljen e gjendjes së emergjencës, por për Ramen nuk ka ndonjë emergjencë.

E rëndë: Velipojës i ndërpritet uji i pijshëm, përmbyten pompat dhe panelet elektrike

Edmond Panariti i LSI-së: Ndërhyrje emergjente në zonat e përmbytura. Qeveria të bëj vlerësimet e dëmeve të mëdha të shkaktuara te banorët dhe fermerët

 

Përmbytjet në Shkodër sa vijnë e shtohen. Por e kundërta qëndron me qeverinë shqiptare të drejtuar nga Edi Rama. E kanë lënë Shkodrën në mëshirë të ujit dhe fatit, ndërsa shkarkimet nga HEC-et mbi Drin vazhdojnë. Bashkia dhe banorët kanë bërë thirrje për shpalljen e gjendjes së emergjencës, por për qeverinë shqiptare nuk ka ndonjë emergjencë. Ndërsa sot kanë ardhur pamje të përmbytjeve, ku duket se në Shkodër mund të lëvizësh veç me varka. E ndërsa pamjet janë dramatike dhe kjo duket dhe në fotot e bëra nga Malton Dibra i LSA, nga qeveria askush nuk sheh.

Dyfishohet sipërfaqja e përmbytur në territorin e bashkisë së Shkodrës. Informacionet e orës 14:00 nga kjo bashki flasin për 4215 ha sipërfaqe tokë e përmbytur, gati dyfishi i sipërfaqes së përmbytur më parë. Ndërkohë uji po përparon  drejt qytetit.

Në zonën e Livadheve janë të përmbytura 110 ha. Pas inspektimeve më të fundit rezulton se në rrugën Et‘hem Kazazi ka prezencë uji dhe në një segment rruge ka vështirësi kalimi. Në këtë rrugë ndodhen mbi 40 shtëpi me prezencë uji afër oborreve të tyre dhe nga këto 4 familje mbajnë bagëti, ku si pasojë e fushave të përmbytura paraqiten vështirësi në sigurimin e ushqimit për to. Këto familje furnizohen me ujë të pijshëm nëpërmjet puseve dhe ky paraqitet si problem. Nevojiten çizme të gjata për 10 familje. Në lagjen Ajasëm janë rreth 3 ha tokë e mbuluar nga uji. Në 13 banesa ka prezencë uji. Emergjente paraqitet baza ushqimore për bagëtitë për 5 familje , rreth 100 krerë bagëti, shkruan Ora Neës. Në njësinë administrative të Dajçit, niveli i ujit ka pësuar rritje dhe ka sërish tendencë rritjeje. Në total  banesat që janë të bllokuara nga uji janë mbi 194. Kërkohet të ndërhyhet për lartësimin e argjinaturës së Pentarit pasi niveli është 20 cm pa dalë nga argjinatura. Në Obot kalohet vetëm me varka. Në këtë fshat janë rreth 150 shtëpi të rrethuara nga uji nga ku në 12 prej tyre ka hyrë uji.

E rëndë: Velipojës i ndërpritet uji i pijshëm, përmbyten pompat dhe panelet elektrike/Si pasojë e rritjes së nivelit të ujit, Ujësjellës – Kanalizime Shkodër është detyruar që të stakojë stacionin e pompave në Trush, i cili furnizon me ujë të pijshëm Velipojën. Uji ka përmbytur disa nga pompat dhe panelet elektrike. Stakimi është bërë sot rreth orës 8:00 në mënyrë që të mos dëmtohet i gjithi. Punëtorët po punojnë për ngritjen në lartësi të pajisjeve që të shpëtohet sa më shumë të jetë e mundur.

Edmond Panariti: Ndërhyrje emergjente në zonat e përmbytura. Qeveria të bëj vlerësimet e dëmeve të mëdha të shkaktuara te banorët dhe fermerët./Grupi Parlamentar i LSI në takimin e përjavshëm diskutoi për çështjet e ditës, veçanërisht diskutimet e grupit u përqendruan në situatën dramatike të përmbytjeve të shkaktuara ditët e fundit, ku me mijëra hektarë sipërfaqe toke bujqësore, me qindra dhe mijëra banesa janë të përmbytura, prodhim bujqësor dhe bagëti të dëmtuara, dëme kolosale të shkaktuara nga këto përmbytje, të shkaktuara për hir të së vërtetës jo vetëm  nga faktorë natyrorë, por edhe nga faktorë njerëzor. Grupi Parlamentar i LSI konstaton se ndërhyrjet e shtetit, e organizmave shtetëror janë anemike. Janë thuajse inegzistente, ndërkohë që kërkohej një mobilizim total për tu ardhur në ndihmë banorëve të përmbytur, të cilët janë të dëmtuar rëndë dhe kanë nevojë më shumë se kurrë për ndërhyrje emergjente. Ndërkohë që nuk kuptojmë pse qeveria heziton të shpall gjendjen e emergjencës kombëtare, ku ne ndodhemi de facto në kushtet e një katastrofe natyrore, e cila ka përfshirë të gjithë Shqipërinë. Pra, kërkohet ndërhyrje emergjente. LSI u bën thirrje institucioneve shtetërore, të cilët të jenë në terren, të jenë përkrah banorëve, përkrah bizneseve të dëmtuar, përkrah fermerëve të dëmtuar, dhe të mobilizojnë në radhë të parë ndihmat emergjente, të zhvendosin popullatën nga banesat e përmbytura, ti pajisin ata me materiale të domosdoshme për të garantuar në radhë të parë mbijetesën, dhe më pas të shpërndajnë ndihma ushqimore, bazë ushqimore për blegtorinë, dhe ajo që është më kryesore të çojnë në mënyrë urgjente grupet e vlerësimit, të dëmeve të shkaktuara nga kjo katastrofë natyrore. Është kjo që kërkohet, është kjo dhe apeli i fuqishëm që vjen nga banorët e zonave të përmbytura. Ajo që ne kërkojmë që tashmë në shumë zona të vendit kemi kompromentim të rëndë të prodhimit bujqësor. Me qindra hektarë sera janë tashmë të shkatërruar, bimët kanë më tepër se 24 orë që janë në ujë, janë të asfiksuara, dhe prodhimi bujqësor është totalisht i dëmtuar. Prandaj fermerët nuk kanë më përse të presin fondet propagandistike të Xha Agros, por fondet për subvencione në ato zona ku prodhimi bujqësor tashmë është inekzistent duhet të kalojë për dëmshpërblimin e këtij prodhimi të kompromentuar dhe për këtë nuk duhet hezituar. Grupet e punës nga Ministria e Bujqësisë, nga Ministria e Pushtetit lokal dhe nga bashkitë duhet të ishin në terren për të bërë vlerësimet, për të filluar procesin e vlerësimit dhe më pas të dëmshpërblimit të dëmeve katastrofike të shkaktuar nga kjo fatkeqësi natyror. Për këtë u diskutua nga grupi parlamentar i LSI-së, e cila kërkon urgjentisht bërjen e vlerësimit të dëmeve të shkaktuara, njëkohësisht dhe mbajtjen e përgjegjësive, aty ku kemi veçanërisht shkarkime të parakorduara, të paparalajmëruara, të cilët e kanë rënduar akoma më shumë situatën e përmbytjes në veri të vendit. Prandaj kërkohet një ndërhyrje e menjëhershme dhe ajo që është më kryesore mobilizimi i fondeve shtetërore, mobilizimi i fondeve të emergjencës, dhe mobilizimi i fondeve të subvencioneve të bujqësisë, të premtuara tashmë prej ditësh, të cilët duhet të vihen në dispozicion të menjëhershëm në funksion të rehabilitimit të prodhimit bujqësor dhe blegtoral të dëmtuar, në rehabilitimin e atyre bizneseve që tashmë janë të dëmtuara në tërësinë e tyre, në mënyrë që të ngrihen në këmbë. Për këtë grupet e punës duhet të ishin në terren, por për fat të keq shohim mospraninë e tyre në territoret e përmbytura.

 

Lini një përgjigje

Adresa juaj e emailit nuk do të bëhet publike. Fushat e detyrueshme janë shënjuar me *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>