Shtypi britanik sërish jehonë kriminelëve shqiptarë të kanabisit dhe mbështetjes së tyre në politikë

Mediat e huaja vazhdojnë t’i bëjnë jehonë kriminelëve shqiptarë të kanabisit, duke nënvizuar edhe mbështetjen që këta kriminelë kanë siguruar nga politika. Në një shkrim të detajuar, gazeta prestigjioze “The Times” i ka kushtuar një reportazh situatës së kultivimit dhe trafikut të kanabisit nga Shqipëria drejt vendeve të BE-së, ndërsa përmendin se trafikantët shqiptarë kanë fituar më shumë pushtet në perëndim dhe se kontrollojnë tregun e drogës. Në këtë artikull, përmendet edhe kushëriri i Saimir Tahirit, Moisi Habilaj, tashmë i vënë përpara drejtësisë italiane, si një nga kokat e organizatës kriminale drejt vendit fqinj. Në shkrimin e tij, gazetari britanik përmend edhe Edi Ramën, ndërsa përkufizon me ironi edhe deklaratën e tij se ‘kriminelët nuk janë vetëm shqiptarë’. Prestigjozja britanike teksa thotë se ka përpjekje tashmë të qeverisë për shkatërrimin e plantacioneve me drogë, nënvizon po ashtu se tregtia e drogës nisi qysh në fillim të viteve 90 nga grupe të vogla kriminale për t’u përhapur më pas në të gjith vendin.  Shkrimi i the Times: Ndërsa përgatiste një ngarkesë të madhe me kanabis për mafien siçiliane, një nga kontrabandistët e Shqipërisë e bëri të qartë pikëpamjen e tij mospërfillëse të Cosa Nostra. “Ne do të fusim disa kallashnikov”, tha Moisi Habilaj në një bisedë të përgjuar. “Ata do të masakrojnë njëri-tjetrin, kujt i plas – kjo është ajo që ata duan”. Habilaj dhe bandat e tij u arrestuan në vjeshtë nga policia italiane pasi morën armë dhe më shumë se 3.5 ton kanabis në Sicili, një biznes me vlerë 20 milionë euro në vit. “Ne mund t’i kemi kapur, por një nga rrjedhat e drogës nga Shqipëria anembanë Adriatikut nuk është ndalur”, tha një hetues italian. Kontrabandistët shqiptarë janë burgosur në gusht me 41 persona të tjerë pasi importuan 60 milionë paund drogë, duke i bërë jehonë një raporti të fundit britanik të policisë ku pohohej se bandat shqiptare kanë kontroll të konsiderueshëm në të gjithë tregun e drogës në Britani. Me lidhje të drejtpërdrejta me furnizuesit kolumbianë, bandat shqiptare po rriten pas daljes kaotike të vendit të tyre nga sundimi komunist. Kryeministri Edi Rama ka propozuar një marrëveshje për krerët evropianë për prishjen e bandave për të ndihmuar ofertën e tij për anëtarësimin në BE.  Gangsterët shqiptarë, shkroi në një letër në nëntor Rama, banojnë dhe lulëzojnë edhe në vendet tuaja, duke përfituar nga droga, trafikimi i qenieve njerëzore dhe aktivitete të tjera të paligjshme. Ai shtoi: “Ne duam ndihmën tuaj dhe ofrojmë tonën në këmbim për t’i kapur dhe për t’i sjellë para drejtësisë”. Bashkëpunimi me policinë britanike është në proces. Vitin e kaluar një përpjekje e përbashkët ndaloi një skemë për të çmontuar kallashnikovët në tre pjesë dhe t’i vendosnin në vende të ndryshme, për t’i dërguar nga Tirana te disa shqiptarë në Britani. Rama tha se refuzon të merrte fajin për rolin në rritje të shqiptarëve në krimin global. “Ky është një debat i madh”, tha ai, “kriminelët shqiptarë nuk janë problem i Shqipërisë dhe ata janë aktivë në vende të tjera”, tha ai. Sepse ata kanë lidhje dhe familje këtu. Kryeministri fajësoi mafien italiane për dhënien e “arsimimit” të shqiptarëve në Britani. Është e vështirë të gjesh kryekriminelë shqiptarë që nuk kanë udhëtuar në Itali së pari, tha ai. “Shqipëria është një zgjerim i Italisë jugore në shumë aspekte. Italianët janë shqiptarë të veshur në Versace”. Pas migrimit në Evropë dhe Amerikë në vitet 1990, shqiptarët morën reputacion për dhunë ekstreme dhe thuhet se u morën si vrasës nga familja e mafias Gambino në Nju Jork. Kur Habilaj humbi një dërgesë në një bastisje të policisë italiane ai u përgjigj duke thënë: “Po të kisha Kallashnikov unë do t’i kisha vrarë të gjithë – bang, bang, bang”. Ata kanë ndërtuar një reputacion për besueshmërinë, duke shpërndarë në kohë dhe duke mbajtur një profil të ulët, siç bënë duke ndërtuar një plantacion të madh të kanabisit në Lazarat, në Shqipërinë jugore. Pas marrjes së detyrës në vitin 2013, zoti Rama dërgoi policinë që kapi 71 ton drogë nga fshati dhe më shumë se 400 armë automatike, një mitraloz anti-avion, granatë-hedhës, mortaja dhe armë anti-tank. Në përgjigje, trafikantët punësuan një ushtri fermerësh për të përhapur kultivimin në të gjithë vendin. Me policinë italiane u rritën fluturimet e mbikqyrjes duke shkatërruar më shumë se dy milionë bimë në vitin 2016. Qeveria tha se vetëm 58 plantacione janë vërejtur vitin e kaluar, nga më shumë se 2,000 vitin paraardhës.  Sidoqoftë, ka patur pak bindje për bosët e drogës, të cilët kanë kthyer vëmendjen e tyre ndaj Shqipërisë dhe Evropës nga Afganistani nëpërmjet Turqisë. Makinat e tyre luksoze janë ende një pamje e zakonshme në rrugët e Tiranës. “Ne po bëjmë arrestime, por ditën tjetër ata lirohen”, tha Rama, duke shtuar se ishte duke forcuar kontrollet e pasurisë për gjyqtarët e dyshuar në listën e pagave të mafias.Në tryezën e tij Fatmir Xhafaj, ministri i brendshëm, ka një listë prej rreth 50 kriminelësh kryesorë, 20 prej të cilëve tha se veprojnë jashtë shtetit. “Ne jemi duke kontrolluar taksat, pronën dhe bizneset”, tha ai. “Ne do t’i kapim ata, duke ndjekur paratë”.

 

Lini një përgjigje

Adresa juaj e emailit nuk do të bëhet publike. Fushat e detyrueshme janë shënjuar me *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>