S’i mjaftojnë 300 mexhite salep-kryeministrit tonë, që të dalë nga loja!

EdiRama2

 

Jemi në një fazë finale të transit qeveritar që po na ndjek prej 2013-s. Edi Rama përgënjeshtroi ditën për diell Departamentin Amerikan të Shtetit lidhur me praninë e një deputeti të dënuar në grupin e tij parlamentar, ndërkohë që në të njëjtën ditë shpalli se masat kundër dekriminalizimit do t’i ndërmarrë vetëm, ato do t’i vijnë hidhur opozitës së Partisë Demokratike dhe se reformën e drejtësisë gjithashtu do ta bëjë vetëm. Ai shpalli një sezon masash ndëshkimore në fillim të shtatorit, të cilat do t’i zgjidhin të gjitha andrallat që atë shqetësojnë. Andrallat në fakt kanë të bëjnë me arkën e shtetit dhe masat që salep-kryeministri ynë shpalli janë ato masat që zbatoi në ndërhyrjen-pilot të Shkodrës, pra rrahja e grabitja e tregtarëve të vegjël, ndërprerja e ujit për secilin hallexhi që s’do ta paguajë faturën që kanë planifikuar qehajajtë e qeverisë, si dhe rrënimi i secilit biznes të vogël që ka jetuar deri më tani në hapësirat joformale që ka ofruar struktura taksidare e shtetit. Një numër i pafund biznesesh kërcënohen me mbyllje, qindra mijë banorë do të kenë probleme faturash të ujit, dritave, kasave fiskale apo sigurimeve shoqërore, kurse ata që do t’i mbijetojnë “shtrëngimit të darës edviniste” do të jenë në kufijtë e mbijetesës, pra veç me llogaritë familjare të bukës si dhe duke shkarkuar sa të munden barrën e qehajajve edvinistë tek më të pamundurit.

Skema që tregojmë s’është nxjerrë nga librat e Balzakut, por thjesht është një fazë e dytë e konferencës së djeshme për shtyp të Edi Ramës, teksa njoftonte se 300 ditët e treta të qeverimit të tij kishin për të qenë 300 ditët e kiametit, 300 ditët e dhunës së qehajajve, e dekapitimit të kundërshtarëve dhe e “lulëzimit” të “farave” të regjimit.

Por asgjë s’është fushë me lule. Ende s’ka një emër investigimi i krimbave partiakë për të gjetur fajtorët se ku kanë humbur 200 mijë vota në zgjedhjet e 2015-s, edhe pse fondet shtesë ishin akorduar që ato të shkonin në “folenë” e duhur. Ende s’dihet se si do t’i rregullojmë stomaqet e trazuara fort pas dalldisë së zgjedhjeve vendore, pasi rregullimi ngjan më i vështirë e më i shtrenjtë sesa status-quoja, pra më e ndërlikuar sesa lënia pa ndërhyrje, sesa qeverimi i mëtejshëm në fazën e çartaqejfit. Kjo situatë e pazakontë prodhoi dje frazën impotente se “qeveria s’do ndryshojë në vjeshtë”. Ajo ishte një thirrje për status-quo, por në fakt ishte një ftesë që status-quoja politike të ruhet edhe në vjeshtë, kur masat ndëshkuese do të vihen në zbatim, për shkak se arka e thesarit të sulltanit është në alarm e s’duron dot më as edhe qerasjen e pensionistëve me nga një bukë në muaj. Arrestimi i mijëra kryefamiljarëve që s’paguajnë dot ujin që pijnë, i qindra tregtarëve që s’kana paguar sigurimet shoqërore të mijëra punëtorëve të tyre si dhe ngushtimi i hapësirës gri për dhjetëra mijë evazorë të tjerë, që staticienët i klasifikojnë në shifrat “e harruar” apo “e panjohur”, është një kosto e lartë që salep-kryeministri s’është në gjendje ta kapërdijë i vetëm.

Po të shtojmë edhe koston personale të martesës së tij me përfaqësuesit e krimit nëpër bashki, agjenci shtetërore e bile edhe përfaqësues në parlament, salep-kryeministrin e pret një vjeshtë fort e ndërlikuar. Zgjidhjet e forcës me kapjen e gjykatave, KLD-së e Prokurorisë janë ushtrime terapeutike që mund t’i nevojiten personalisht atij, por ato s’ofrojnë zgjidhje politike as për parlamentin e as për partnerët ndërkombëtarë. Ekuilibrat e nxjerrin kryeministrin në hapësirë negative, prandaj një mendje e mençur duhet ta këshillojë atë të mendojë si të tërhiqet nga sfida me sa më pak dëme.

Por tërheqjet nga loja janë një vendim sovran njëlloj si hyrja në lojë, por Edi Rama s’duket aq autonom për vendime të tilla. Precedenti i një kryeministri që s’vendos dot pa hapësirën gri të shoqërisë si dhe pa disa eksponentë të botës së krimit s’është një precedent i ri. Trashëgimia jonë zakonore ka edhe proverbin e denjë për situatën e sikletshme: “jep dy pare e hy në valle, jep 300 e s’del dot”.

E sigurtë është se Edvinin s’e shpëtojnë as 300 mexhitet e kumbarit që e sponsorizon. SHBA kërkon dekriminalizimin, aleatët e tij në qeverim s’janë të përgatitur për të ndarë faturën, ndërkohë që të inkriminuarit në pushtet kërkojnë mexhite dhe mbrojtje që të lënë hapësirën që kanë zënë. A mjaftojnë 30 ditë gushti për vendime të tilla kaq jetike?

 

 

1 Koment

  1. 55

    31/07/2015 at 12:53

    Shish duhet tu bëj me dije historikun e pretenduesve në politik që të nesërmen të mos jet tepër vonë.