Siria, si dalje e Rusisë në Mesdhe dhe në Lindjen e Mesme

Russia Syrian Game

 

 

Qysh prej fillimit të konfliktit në Siri, Rusia ka qenë aleati kyç i regjimit të Bashar al-Assadit. Shqetësimi kryesor i Rusisë ishte një ndërhyrje e mundshme Perëndimore dhe Arabe në Siri për të zëvendësuar regjimin e Bashar al-Assadit me një qeveri sunite pro-perëndimore. Ndryshe me rastin e Libisë, ku Moska nuk vendosi veto ndaj rezolutës të Këshillit të Sigurimit për të krijuar një zonë ndalim fluturimi, e cila solli ndërhyrjen e forcave të NATO-s dhe rrëzimin e regjimit të Muamar Gadafit, Rusia ka bllokuar çdo rezolutë të Kombeve të Bashkuara kundër Sirisë, me përjashtim të rezolutës për shkatërrimin e armëve kimike. Shembulli i Libisë nuk duhej të përsëritej në Siri. Si njohëse e mirë e kapacitete ushtarake të Sirisë, kjo më së shumti për shkak se ato janë prodhim rus, Moska është e sigurt se pa një ndërhyrje ushtarake të huaj regjimi i Assad-it mund të mbijetojë. Kjo është tanimë mëse e provuar me tejzgjatjen e konfliktit. Siguria e Rusisë tek mbijetesa e regjimit të Assad-it buron edhe nga mungesa e unitetit tek grupet opozitare siriane si dhe tek shfaqja e grupeve terroriste si “Shteti Islamik i Sirisë dhe Irakut” të cilat ua vështirësojnë forcave opozitare ushtarake avancimin territorial. Rrëzimi i presidentit Bashar-al-Asad nga pushteti në Siri do të përbënte për Rusinë një goditje të madhe për interesat e saj strategjike dhe gjeopolitike. Siria, nën regjimin e presidentit Assad është aleati i vetëm i Rusisë në Lindjen e Mesme dhe konsiderohet si qendra e zgjerimit të ndikimit rus në këtë rajon dhe në Mesdhe. Përfshirja e Rusisë në konfliktin sirian kësisoj përbën një çështje të sigurisë kombëtare dhe motivohet nga dy objektiva strategjikë: minimin i dominimin të SHBA-së në politikat botërore dhe mbrojtjen e interesave të saj gjeopolitikë dhe rajonale.

 

Aleanca mes Sirisë dhe Rusisë daton qysh prej Luftës së Ftohë e ka vazhduar pas kësaj periudhe. Siria është një nga klientët më të rëndësishëm të industrisë së armëve të Rusisë dhe një “shtet satelit” i saj në Lindjen e Mesme, veçanërisht prej shfrytëzimit të Portit të Tartusit në Mesdhe. Përpos kësaj baze, Rusia ka ngritur së fundmi edhe një tjetër bazë ushtarake, në Latakia, kryeqendrën e territoreve alavite e cila përveçse garanton sigurinë e portit të Tartusit, i ofron regjimit të Assad-it një mburojë dhe një mundësi që në rast të ndarjes së Sirisë, të garantohet pavarësia e një shtetit të vogël alavit, siç ka qenë gjatë mandatit francez.

Gjatë një intervistë të dhënë më 25 gusht 2015, presidenti sirian Bashar Al-Assad shprehu vetëbesim: “Ne kemi besim tek rusët, pasi ashtu siç janë provuan përgjatë krizës për katër vjet, ata janë të sinqertë dhe transparent në marrëdhëniet e tyre ndaj nesh” . Assadi e konsideroi qëndrimin e Rusis vis-à-vis regjimit të tij si parimor dhe konstant. Kjo deklaratë është perceptuar nga perëndimi si një mesazh : lideri sirian po sinjalizon se ai është politikisht i gjallë dhe se po për këtë i shkon merita Moskës. Megjithatë, mesazhi i Assadit është më i thellë. Ai po i çon një kumt të fortë popullit të tij brenda dhe jashtë Sirisë. Kësisoj, Assad-i nënkupton se forca të huaja jo vetëm që po luftojnë përkrah tij, porse prezenca e tyre në Siri është e legjitimuar. Meqenëse ushtria siriane ka probleme me rekrutimet, Assad-i çon tregon se ka burime të jashtme, nga mbështetja e Iranit dhe Rusisë. Duke folur për Iranit, ai u shpreh se burimet politike të Republikës Islamike të fituara pas marrëveshjes për programin bërthamor me SHBA-në përbëjnë një aset të çmuar për Sirinë: “Fuqia e Iranit është fuqia e Sirisë, dhe një triumf i Sirisë është një triumf i Iranit. Ne jemi në të njëjtën bosht, në boshtin e rezistencës” . Koncepti i “boshti i rezistencës”” u shfaq në një gazetë libiane në 2002 si një kundërpërgjigje ndaj frazës së presidentit Xhorxh W.Bush “boshti i së keqes”. Fakti se Assadi iu referua këtij termi tregon përpjekjen e presidentit sirian për të ngulitur aleancën ideologjike në konfliktin civil të Sirisë. Ai e sheh Sirinë si lojtarin madhështor të Iranit dhe Rusisë kundër Perëndimin. Kjo do të thotë se boshti i rezistencës ka dy kahe, njëra me Iranit e tjetra me Rusinë por që bashkohen në një pikë të vetme, që është minimi i interesave të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

 

 

 

Porti Tartus

 

Është me interes të theksohet se Shqipëria nën regjimin komunist, gjatë viteve të lulëzimit të marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik shërbente si një pikëkyçe e gjeopolitikës sovjetike në Europë e botë. Portet shqiptare shfrytëzoheshin si baza detare për anijet luftarake dhe nëndetëset ruse. Këtë rol, pas skizmës mes komunistëve stalinistë shqiptarë dhe Bashkimit Sovjetik të Hrushovit e ka luajtur Siria, me portin e saj Tartus, që është dalja e vetme e Rusisë në Mesdhe. Kësisoj, interesi strategjik dhe gjeopolitik i Rusisë në siria 2Siri është shfrytëzimi i portit në Tartus. Ky port gjendet në Detin Mesdhe dhe klasifikohet si port me shërbime të plota, për qëllime tregtare dhe ushtarake. Platforma ruse në Tartus ofron funksione të rëndësishme për anijet ushtarake ruse. Zyrtarisht konsiderohet si “Qendër e Ruajtjes së Marinës”. Skelat e portit janë të forta për të pranuar të gjitha anijet e flotës ruse, përjashtim Admiral Kuznetsovit, avionëmbajtësin e vetëm të Rusisë.

 

Marina sovjetike ka nisur të përdorë portin e Tartusit për nëndetëset dhe anijet sipërfaqësore nën marrëveshjen e vitit 1971 me Damaskun. Marina sovjetike ka pasur pika të ngjashme mbështetëse edhe në Egjipt, por është larguar nga bazat në Egjipt në fund të viteve 1970, duke dërguar anijet dhe pajisjet në këtë port sirian. Marina ruse ka vazhduar të shfrytëzojë Tartusin edhe pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik në vitin 1991, në kuadër të një marrëveshje për anulimin e një pjesë të majme të borxhit në këmbim të shfrytëzimit të portit. Më 1990, Siria i kishte Moskës 13.4 miliardë dollarë borxhe, kryesisht nga blerjet e armëve. Në maj të vitit 2005, ministri rus i Financave, Aleksei Kudrin, ka nënshkruar marrëveshje me homologun sirian, Muhamed al-Husein, me të cilën ka anuluar 73 për qind të borxheve siriane nga koha sovjetike. Rusia ka vazhduar të gëzojë të drejtat e bazës në Tartus nën marrëveshjen e vitit 1971, si rezultat i marrëveshjes për anulimin e borxheve, e cila po ashtu i ka hapur rrugën Damaskut për blerje të reja të armëve nga Rusia.

 

Ky port i shërben interesave strategjikë dhe gjeopolitikë të Rusisë. Baza më e madhe dhe më e rëndësishme ushtarake e Rusisë në një vend të huaj është ajo në Detin e Zi, në Sevastopol të Ukrainës. Për t’u vendosur në Det të Zi, luftanijet ruse duhet të kalojnë përmes Ngushticës së Bosforit, e cila është militarizuar nga Turqia – anëtare e NATO-s. Nën Konventën Montreux të vitit 1936, Bosfori është vlerësuar si një korsi ndërkombëtare e anijeve me kufizime ushtarake. Turqia tani mban të drejtën, sipas një amendamenti të vitit 1982, të mbyllë ngushticën sipas gjykimit të saj, në kohë paqeje dhe lufte. Kjo e bën Tartusin – bazën e vetme të Rusisë në Mesdhe – një aset jetik dhe strategjik, jashtë Bosforit. Si një port në ujëra të thella, aty mund të ankorohen edhe nëndetëse bërthamore. Tartusi po ashtu forcon aspiratat për pushtet të madh të Rusisë dhe rrit ndikimin e saj në diplomacinë rajonale.

 

Analistët pajtohen se vetot e Rusisë ndaj rezolutave të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, të cilat dënojnë dhunën e Asadit ndaj disidentëve, ashtu si edhe shitja e armëve ruse për regjimin, lënë të kuptohet se një qeveri opozitare, që do të zëvendësonte Asadin, do të përpiqej t’i hiqte Rusisë të drejtat në Tartus.

Porti i shërben Rusisë si një mjet politik, për të ndikuar në krizën siriane dhe për të ruajtur eksesin në këtë port strategjik të botës arabe dhe mesdhetare. Si rrjedhojë, Rusia, pavarësisht mënyrës sesi do të përfundoj krizë, nëpërmjet këtij porti ka mundësi të manovrojë. Për shembull nëse forcat e Assad-it do të tërhiqen nga Damasku dhe Alepo për t’u tkurrur në një zonë më të mbrojtës, si bregdeti alavit që shtrihet nga Latakia deri në portin Tartus, Rusia do të vazhdojë të ketë akses në këtë port. Nëse regjimi i Assad-it do të rrëzohet për t’u zëvendësuar nga një qeveri e unifikuar sunite, Rusia do të përpiqej të hynte në negociata të reja, pasi me mbështetjen që Rusia i ka dhënë Assad-it do të jetë e vështira vendosja e një marrëdhënie mes Rusisë dhe sunitëve.

 

Janë tre zgjedhje që mund të bëjë Rusia për interesat e saj në Siri. Mund të mbështesë ushtarakisht nëpërmjet Portit Tartus regjimin e Assadit, mund ta braktisë atë për të mbështetur një qeveri tjetër, ose mund të provojë një zgjidhje që i mundëson krijimin e një shteti alavit që vetvetiu nënkupton ruajtjen e portit të Tartusit, si pjesë të këtij shteti. Kjo e fundit, krijimi i një shteti alavit duket se është qëllimi që fshihet pas vendimit të fundit të Rusisë për të ngritur një bazë të re ushtarake në Siri, konkretisht në Latakia – kryeqendra e territoreve alavite. Rusia e justifikon këtë prezencë kinse me luftën kundër “Shtetit Islamik të Sirisë dhe Irakut” megjithatë sulmet e saj kanë vrarë komandantë ushtarakë të forcave opozitare. Por vendndodhja e kësaj baze në një kohë të shterimit të kapaciteteve ushtarake të regjimit përforcon idenë se Moska dëshiron një ndarje të Sirisë dhe krijimin e shtetit të “Alavitstanit” me dinastinë Assad në krye, në mënyrë që të ruajë privilegjet e saj diplomatike, ushtarake dhe ekonomike në Lindjen e Mesme.

 

 

Siria, partneri kryesor i tregtisë së armëve

 

Rusia është eksportuesi i armëve i dytë më i madh në botë pas SHBA-së. Eksportet e armëve të Rusisë janë rritur me 37% nga 2005-2009 dhe nga 2010-2014, me dërgesa drejt 56 vendeve dhe forcave rebele në Ukrainën Lindore. Sipas Institutit Ndërkombëtar të Stokholmit për Paqe Ndërkombëtare (SIPRI), ndryshe nga SHBA, tregtia e armëve e Rusisë ishte më e përqendruar – India, Kina dhe Algjeria përbënin 60% të totalit të eksporteve ruse.

Pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, Siria nënshkroi disa marrëveshje me Rusinë për modernizimin e ushtrisë, madje duke negociuar edhe për borxhet e mëdha që i detyrohej Moskës përgjatë viteve të Luftës së Ftohtë. Borxhi kapte shifrën e rreth 7-11 miliardë dollarë për kontratat e blerjeve të armatimeve. Rusia ishte e vetëdijshme se nuk kishte shumë gjasa se Siria do të paguante ndonjëherë borxhin, duke i kërkuar kështu në këmbim koncesione si porti i Tartusit për vazhdimin e mëtejshëm të tregtisë së armëve. Siria firmosi një marrëveshje të re bashkëpunimi me Rusinë në 1994 dhe zhvilloi negociata për konsolidimin e këtij bashkëpunimi në 1998. Në shkurt të 1999, Siria publikoi planet për shpenzuar 2 miliardë dollarë për të blerë armatime ruse, përfshire sisteme anti-tank. Blerjet e armatimeve pa vonesa në shlyerje dhe dhënia e koncesioneve nga Siria e bëri Moskën që ta vendosë në “ngrirje” borxhin sirian.

 

Në 2005, gjatë një takimi mes presidentit Sirian, Bashar al-Assad dhe ministrit rus të Financave, Alexei Kudrin, Rusia pranoi të fshinte 73% të borxhit sirian prej 13.4 miliardë dollarësh, duke e çuar borxhin publik të Sirisë në 10% të Produktit të Përgjithshëm Bruto. Kjo kishte si qëllim jo të ndihmonte ekonominë siriane porse t’i mundonte regjimit mbledhjen e fondeve për blerjen e armatimeve. Gjatë bisedimeve mes rusëve dhe sirianëve në 2005, të dy vendet nënshkruan gjashtë marrëveshje bashkëpunimi, mes të cilave në fushën ushtarake. Rusia u pajtua me një kontratë prej 100 milionë dollarësh për t’i shitur Sirisë raketa tokë-ajër. Para fillimit të konfliktit në 2011, importet e Sirisë me armë konvencionale u rritën me 330% nga 2001-2005 dhe 2006-2010. Gjatë viteve 2006–2010, Rusia përbënte 48 % të importeve siriane, me sisteme të mbrojtjes ajrore dhe raketa anti-anije. Furnizues të tjerë me armë konvencionale ishin Irani (21 %), Bjellorusia 20%, Koreja e Veriut 9% dhe Kina 2% . Rusia gjithashtu ka përmirësuar tanket siriane T-72.

 

Rrëzimi i liderit libian, Muamar Gadafi rriti kryeneçësinë e liderit rus Vladimir Putin në Siri, për të mos lejuar që vala e Pranverës Arabe të rrëzonte aleatin e vetëm të saj në Lindjen e Mesme. Kremlini ka pësuar një humbje prej rreth 4 miliardë dollarë me kontrata armatimesh me rrëzimin e regjimit libian e natyrisht nuk dëshiron që të humbasë miliarda të tjerë në Siri me rrëzimin Assad-it. Rusia është treguar e vendosur për të mos e ndalur tregtinë e armëve me regjimin e Bashar al-Assad-it pavarësisht krizës siriane. Madje, e ka intensifikuar atë për të garantuar sigurinë e regjimit. Anatoly Isaikin, drejtori i Rosobrooexport, agjencia shtetërore e Rusisë për tregtinë e armëve, ka thënë se Moska nuk do të ndalë furnizimet me armë ndaj Sirisë. Tregtia daton qysh prej viteve kohë së Luftës së Ftohtë me armatime të cilat përfshinin edhe armë kimike. Pikërisht, falë Rusisë shteti sirian ishte shndërruar në një “shtet-depo” me armë kimike. Siria ka qenë një nga blerësit më të mëdhenj të armatimeve ruse dhe kjo tregti u intensifikuan me ardhjen në pushtet, në vitin 2000, të Assadit dhe Putinit. Sipas Institutit Ndërkombëtar të Stokholmit për Paqe Ndërkombëtare, nga 2007-2010, shitja e armatimeve ruse për Sirinë kapte vlerën e 4.7 miliardë dollarë, më shumë se dyfishi krahasuar me vitet e kaluar, sipas studimit të Shërbimit Studimor të Kongresit Amerikan Në 1950-1990, tregtia mes Bashkimit Sovjetik dhe Sirisë kapte shifrën prej 34 milionë dollarë. Rënia e Bashkimit Sovjetik dhe ndërprerja e tregtisë së armëve shqetësoi rëndë sigurinë e regjimit sirian, i cili nuk mund të migronte pajisje moderne ushtarake nga Koreja e Veriut apo Irani. Rifillimi i tregtisë së armëve në 2005, ishte më shumë një veprim politik sesa ekonomik i Rusisë. Nga 2007-2011, 78% e të gjitha dërgesave me armë drejt Sirisë erdhën nga Rusia. Pavarësisht armëve që siguron nga Irani, tregtia me Rusinë është jetike për Sirinë

 

 

Kaukazi dhe Siria

 

Frika e Rusisë ndaj Islamit, veçanërisht të llojit sunit është një tjetër interes që fshihet tek mbështetja e Vladimir Putinit për regjimin e Bashar al-Assad. Në 30 vitet e fundit, Rusia është angazhuar në një betejë afat-gjatë kundër islamik radikal – në fillim në Afganistan dhe gjatë 15 viteve të fundit në Kaukaz – dhe presidenti Putin duket se ka një problem me xhihadistët në Çeçeni. Fondamentalizimi islamik në fakt vjen si një kërcënim për pushtetin e Vladimir Putinit, po aq sa vjen për regjimin e Bashar-Al Assadit. Nga këndvështrimi i tij, Putini sheh tek lufta civile në Siri një Çeçeni pasi vetë grupet ekstremiste të çeçenëve kanë në radhët e tyre një komponent të fort të xhihadizmit sunit ndërsa shumë myslimanë rusë i janë bashkuar konfliktit në Siri.

Një nga komandantët e organizatës terroriste “Shtetit Islamik i Irakut dhe Sirisë”, Abu Omar al-Shishani, i njohur si “Çeçeni” ka ofruar 5 milionë dollarë shpërblim për vrasjen e liderit çeçen, Ramzan Kadyrov, një aleat i ngushtë i presidentit Vladimir Putin. “Shteti Islamik” madje ka kërcënuar vetë Putinin, nëpërmjet një videoje: “Ky është një mesazh për ty, Vladimir Putin…Ne do të çlirojmë Çeçeninë dhe të gjithë Kaukazin dashtë Zoti”.Menjëherë pas publikimit të kësaj videoje, një sulm kamikaz goditi kryeqytetin çeçen Groznin. Kësisoj, fenomeni i luftëtarëve të huaj nga Çeçenia dhe Kaukazi verior që kthehen nga Siria përbën një shqetësim të madh për Rusinë. Kjo veçanërisht për arsyen se Rusia është një aleat i regjimit dhe si e tillë, shihet nga grupet terroriste si një bashkëpunëtore. Ky shqetësim dallohet edhe tek qasja e Moskës ndaj krizës së refugjatëve sirianë. Është ironike, por aleatja kryesore e Sirisë dhe e popullit sirian refuzon të presë dhe t’i ofrojë azil sirianëve. Në kulmin e kësaj krize humanitare, Rusia refuzon të pranojë azilkërkueseve pasi druhet se mos në mesin e refugjatëve ka terroristë. Në Shërbimin Federal rus të Migrimit, në të njëjtën periudhë kohore paraqitën kërkesë për azil vetëm 3.338 sirianë. Statusin zyrtar të refugjatit e morën vetëm 1.774 vetë. “Unë nuk mund të mbështetem në këto shifra të Shërbimit Federal të Migrimit”, thotë Svjetlana Ganushkina në bisedë me “Deutsche Welle”. Ajo është kryetarja e “Mbështetjes civile”, e së vetmes OJQ ruse që angazhohet prej dekadash për interesat e refugjatëve. Ganushkina drejton veç kësaj rrjetin “Migrimi dhe e Drejta” të Qendrës ruse të të drejtave të Njeriut, “Memorial”. Sipas saj numri i refugjatëve sirianë në vend është shumë më i madh. Problemi sipas saj është se njerëzve nuk u jepet mundësia për procesin e azilit. “Një refugjat vjen, por atij nuk i ofrojnë takim tek autoritetet. Ose këta njerëz arrestohen dhe dëbohen. Ka shumë raste të tilla”, shprehet me keqardhje Ganushkina. Numrin real të refugjatëve sirianë në Rusi ajo vlerëson te 10.000 vetë . Ndërkohë, sipas analizës së “Deutsche Welle”, Rusia ka refuzuar edhe rikthimin e komunitetit çerkezëve etnikë që gjenden në Siri. Mendohet se Siri jetojnë më shumë se 100.000 çerkezë etnikë. Paraardhësit e tyre u zhvendosën atje nga Perandoria Ruse në shekullin e XIX, pas Luftës së Kaukazit. Në vitin 2012, me iniciativën e senatorit të atëhershëm të rajonit të Kaukazit Verior, Kabardino-Balkari, Albert Kasharov, në Këshillin e Federatës Ruse u diskutua një kthim i çerkezëve sirianë. “Në fakt nuk bëhet fjalë për kthim, por për shpëtimin e këtyre njerëzve”, tha atëherë Kasharovi që ndërkohë nuk jeton më. Pika e debatit ishte se ku do të strehoheshin njerëzit. Kuotat e parashikuara për të kthyerit në Rusi qenë më të vogla se kuotat e atyre që donin të vinin në Rusi. Ideja e ngritjes së kampeve të refugjatëve nuk u mbështet nga autoritetet federative të Rusisë dhe me vdekjen e Kasharovit në vitin 2013, kjo temë as që diskutohet më.

 

 

Interesat ekonomike

 

Përpos tregtisë së armëve, rrëzimi i regjimit të Bashar-al-Assad-it ka pasoja edhe për interesat e tjera ekonomike të Rusisë, veçanërisht mbi investimet e kompanive ruse në sektorin e energjisë. Në vendet që kanë përjetuar Pranverën Arabe, kompanitë ruse kanë humbur miliona dollarë dhe ulje të aksioneve në bursa siç ishte rasti i Libisë Siria përbën për Rusinë partnerin më të rëndësishëm tregtar, ku Moska është eksportuese dhe Damasku importuesi. Shumë kompani ruse kanë investuar në projekte të mëdha në Siri. Në volum tregtar, është e krahasueshme me tregtinë e Rusisë me Egjiptin ose Izraelin, megjithatë është me vogël sesa tregtia me Turqinë dhe vendet e BE-së. Marrëdhëniet tregtare mes dy Sirisë dhe Rusisë janë në favor të eksporteve të Rusisë dhe bazohen në kontrata mbi prodhimet e lëndëve djegëse dhe makinerive. Kompania ruse Stroytransgaz ndërtoi gazsjellësin arab 319 km të gjatë gjatë Egjipti në Siri dhe një impiant të përpunimit të gazit, ndërsa kompania Tatnef, një nga prodhueset më të mëdha të naftës së papërpunuar është përfshirë në një “jonint venture” me Kompaninë Petroleum të Sirisë për zbulimin dhe shfrytëzimin e fushave të naftës . Kësisoj, rrëzimi i regjimit të Bashar-al-Assadit përbën një kërcënim për interesat tregtare të Rusisë, veçanërisht ndaj sektorëve kyçe të shtetit rus si energjia.

 

 

Pranvera Arabe, një shfaqje e jashtme me pasoja të brendshme për Vladimir Putinin

 

 

Një tjetër arsye për mbështetjen e Rusisë ndaj Assadit gjendet brenda Rusisë vlerat që mbarti protestat e Pranverës arabe për demokraci dhe liri . Në dhjetor 2011, Rusia u përfshi nga vala më e madhe e protestave qysh prej rrëzimit të Bashkimit Sovjetik. Kësisoj, Putin si një figurë autoritare druhet se mund të pësonte të njëjtin fat si diktatorët e rrëzuar arabë. Ashtu siç ka dëshmuar historia me vendet totalitare, ashtu si në vendin tonë gjatë komunizmit, shpikja e një armiku të jashtëm për të ruajtur stabilitetin e brendshëm është një taktikë e ndjekur edhe nga Putini. I pozicionuar si anti-amerikan dhe anti-Perëndimor, siç po tregon edhe me krizën aktuale në Ukrainë duke risjellë Luftën e Ftohte, rezistenca ruse ndaj presioneve dhe mbështetja për Assad-it në OKB dhe në terren tanimë me forcat e saj ushtarake përbën rezistencë ndaj Perëndimit.

 

Lini një përgjigje

Adresa juaj e emailit nuk do të bëhet publike. Fushat e detyrueshme janë shënjuar me *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>