Situata e acartë në vend, probleme me ujin e pijshëm dhe energjinë, izolohen të sëmurët

dimri

Acari që ka mbërthyer vendin ka nxjerrë në pah problemet e rënda që po hasin qytetarët në përditshmërinë e tyre. Temperaturat e ulëta dhe sidomos pamundësimi i lëvizjes në zonat rurale ka zbuluar qartësisht pamundësinë e (pu)shtetit për tu ardhur në ndihmë qytetarëve

 

Acari që ka mbërthyer vendin ka nxjerrë në pah problemet e rënda që hasin qytetarët në përditshmërinë e tyre. Temperaturat e ulta të nisura pas ndërprerjes së reshjeve të dëborës kanë vështirësuar jetesën e banorëve në zonat më të prekura nga moti i ftohtë, dhe sidomos qarkullimin rrugor në zonat rurale, duke zbuluar qartësisht pamundësinë e një shteti për tu ardhur në ndihmë qytetarëve. Më të prekurit nga këto problematike gjenden vendet rurale në pamundësi lëvizjeje për shkak të bllokimeve të akseve rrugore. Të sëmurët në vendet e izoluara gjenden pa ndihmë dhe personel mjekësor të specializuar duke përplasur përgjegjësitë ministrit të shëndetësisë i cili përveç se vjedhjeve të tenderave, ka përkeqësuar sistemin shëndetësor në vend duke u gjendur përballë mos menaxhimit të situatës emergjente. Temperaturat e ulëta nën zero kanë sjellë probleme në furnizimin me ujë të pijshëm dhe me energji për qytetarët, të bllokuar dhe pa ndihma ata mbeten vetëm në shpresën e përmirësimit të motit, ndërkohë që janë shënuar tashmë dy viktima për shkak të temperaturave të acarta. Në këto ditë të acarta për të gjithë vendin, më problematik ka qenë qarku i Dibrës ku janë shënuar edhe vlerat më të ulëta deri në -25 gradë celsius apo në Qafë Mali apo zona të thella edhe më e ulët se kaq. Acari ka shkaktuar edhe ngrirjen e lumit Drin. Pavarësisht masave nga emergjencat civile ende ka akse rrugore nëpër fshatra të njësive administrative në zona të thella malore, të cilat nuk ka qenë e mundur të hapen plotësisht. Nga ana tjetër, akset nacionale janë plotësisht të qarkullueshme, dhe vetëm në ndonjë segment ka nevojë për përdorimin e zinxhirëve.

Akse rrugore të pakalueshme që kanë sjellë edhe izolimin e fshatrave që lidhen me to në qarqet e Kukësit, Dibrës Shkodrës dhe Lezhës. Konkretisht në Kukës të pakalueshme për shkak të lartësisë së dëborës dhe ngricave janë akset rurale të Njësive Administrative: Grykë Çajë, Kalisë, Arrën, Surroj, Topojan Shishtavec. Gjinaj, dhe bashkia Has. Në Dibër vazhdon të jetë i bllokuar aksi rrugor Peshkopi-Lurë. Të bllokuara janë edhe disa akse në Shkodër si Shkodër-Qafë Thore – Theth , Selcë(Vermosh janë ne ngrohje mosh), Shllak – Temal ndërkohë që po punojnë tre fadroma për hapjen e akseve rrugore në bashkinë Malësi e Madhe. Në Lezhë Akset rrugore rurale të njësive administrative, Fan, Orosh, dhe Selitë janë bllokuar nga dëbora e cila ka arritur trashësinë 35-100 cm. Nga harta e vështirësive kanë dalë akset rrugore në qarqet e Elbasanit, në zonat e thella të Librazhdit si dhe qarku i Korçës ku qarkullimi bëhet me zinxhirë në ato rrugë të prekura nga dëbora. Në misionet e shpëtimit janë angazhuar deri tani dy helikopterë të forcave të armatosura,  njëri prej tyre ka shpëtuar ditën e djeshme 3 persona në fshatin Iballë të Pukës. Ndërsa helikopteri i dytë u angazhuara në një mision tjetër në fshatin Konaj të Fanit për shpëtimin e një gruaje shtatzanë e cila u transportua në maternitetin e Tiranës. Problematike ka qenë gjendja e të sëmurit në Sopot pasi ka qenë e pamundur të shkojë autoambulanca dhe ulja e helikopterit ka qenë gjithashtu një mision i vështirë. Raste të rënda ka pasur edhe për dy persona në Koman dhe Tepelenë, për shpëtimin e të cilëve është dashur ndërhyrja e forcave të armatosura. Ndërkohë që ndihma e ofruar një gruaje shtatzanë në Arrëz të Kukësit, nuk ka përfunduar pasi pas tratativash, gruaja nuk ka pranuar të hipë në helikopter. Temperaturat e ulëta nën zero kanë sjellë probleme në furnizimin me ujë të pijshëm dhe me energji për qytetarët. Banorët e Durrësit janë zgjuar me tubacionet dhe depozitat e ngrira nëpër tarracat pallateve. Një situatë e tillë është paraqitur edhe në kryeqytet, ku në disa zona sot ka pasur problem me ujin. Në Bulqizë situata me ngrica dhe temperatura që kanë zbritur deri në -23 gradë ka bërë që banorët e lagjes “Gjeologu” të kenë tre ditë pa u furnizuar me ujë të pijshëm dhe qytetarëve u duhet të furnizohen me ujë jashtë qytetit. Thuajse në të gjithë qarkun e Lezhës banorët janë përballur me mungesën e ujit të pijshëm, për më shumë se tre ditësh, për shkak të ngrirjes së tubacioneve të ujit. Ndërkohë që në zonat malore banorët mundohen me mjete rrethanore të shkrijnë borën, në Lezhë qytetarët janë të detyruar të shkojnë në burimet e afërta për të siguruar ujin e pijshëm, edhe pse këto burime nuk kanë siguri apo kontroll për konsumimin e tij. Probleme ka patur edhe në furnizimin me energji. Rritja e konsumit për ngrohje ka çuar në mbingarkesa dhe të paktën në kryeqytet ka pasur stakime të energjisë elektrike në disa zona. Po ashtu, probleme ka patur në zonat e Burrelit dhe Kukësit të cilat janë më të prekura nga defektet, por pa ndërprerje të energjisë nuk kane shpëtuar as disa fshatra në Korçë dhe Elbasan tek të cilat është rikthyer energjia në mesditë, ndërsa  aksi rrugor Pogradec-Lin, në Qarkun e Korçës, është i kalueshëm vetëm me zinxhirë, për shkak të akullit dhe ngricës në rrugë. Sipas meteorologëvë temperaturat do të vazhdojnë të mbeten në minimalet e tyre të paktën deri të mërkurën.

Lini një përgjigje

Adresa juaj e emailit nuk do të bëhet publike. Fushat e detyrueshme janë shënjuar me *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>