S’ka koalicion, por duhet të ketë Front anti-Ramë

iliri

90 ditë politikë jonomade në Çadrën e Protestës prodhuan një marrëveshje të paprecedentë që do të ketë ndikime pozitive imediate, por përmes vendosjes së precedentit, do t’i shërbejë pafundësisht vendosjes së standardit të zgjedhjeve të lira, me përfshirjen në proces të opozitës, në të gjitha votimet e ardhshme. Sigurisht, praktika e përfshirjes së opozitës në qeveri si mekanizëm kontrollues ia vlen të verifikohet gjatë këtyre 37 ditëve se sa efektive do të jetë, pasi nga ky rendiment varet edhe rendimenti se sa larg do të mbahen klanet e krimit dhe të kanabisit nga zgjedhësit dhe kutitë e votimit.

Që në orët e para të publikimit, kjo marrëveshje ka shkaktuar edhe çartjen e humorit të shumë politikanëve. Ata që bërtasin skandal e turp se si u mor firma e opozitës pa largimin e Ramës nga karrigia, do bënin mirë t’i bënin një analizë koshiencës së tyre, se mos me të vërtetë e donin opozitën jashtë zgjedhjeve. Zërat e parë të kësaj “revolte” të vogël erdhën nga disa parti të vogla, të cilat shpallën koalicionin PS-PD dhe rrezikun e shkrirjes së partive të vogla. Por këto parti duhet të korrigjojnë shënjestrën. Nuk është Lulzim Basha që i la jashtë regjistrimit në koalicion, por mania e Edi Ramës për të hedhur çfarëdolloj aleati, kur i bëhet i bezdisshëm apo i panevojshëm. Është Edi Rama që i mashtroi, duke nxjerrë Bibën e KQZ-së për t’u thënë se do ta shtynte apriori afatin e regjistrimit të koalicioneve e më pas i rimashtroi duke u thënë se do të merrnin votat e opozitës, meqenëse ai “kish marrë garanci” se ajo s’do të lejohej të futej në proces. Me marrëveshjen e 18 majit opozita futet në proces dhe merr votat e saj, ndërkohë që ish-aleatët e Ramës duhet të vrasin mendjen si ta kërkojnë shpagimin e kryeministrit-përgjegjës.

Vëzhguesit e dinamikës se si u konsumua ky 90 ditësh i politikës jonomade mund të kenë vënë re faktin se Edi Rama me të vërtetë kishte nisur të mendonte se ia kish arritur ta nxirrte opozitën nga sistemi dhe po përgatitej që së bashku me levat e tij, të themelonte një sistem të ri të partisë-shtet, ku vetë do të luante edhe ligjin, edhe maliqin. Shprehja “me dorë në zemër” e kryeministrit se e ka dashur opozitën në proces, përgënjeshtrohet nga listat e kandidatëve që ai publikoi, ku spikaste renditja e tij e 6-a në Vlorë dhe renditja e Ruçit si i 9-i në Fier. Kjo renditje s’është marrje përgjegjësish, por mesazhi që ai jepte për “aleatët” e tij se sa ka ndërmend të lërë nga “torta” e deputetëve për partitë që i legjitimojnë procesin.

Por, rezistenca e paprecedentë e opozitës dhe shndërrimi i Shqipërisë në një vatër infeksioni që po eksportonte destabilitet në rajon e më gjerë, i detyruan partnerët tanë ndërkombëtarë të ndërhynin për ta ndalur turravrapin monist të Ramës. Tani kemi një marrëveshje dhe prej saj mund të qëmtojmë gënjeshtrat e parafushatës së kryeministrit si dhe merakun e tij të vetëm. Nga e gjithë ngrehina propagandistike me vetting e me aleancë strategjike, kryetari i PS në fund ruajti vetëm një vijë të kuqe, atë të mbajtjes së zgjedhjeve brenda muajit qershor. Të tjerat i lëshoi. Bënte be e rrufe për vettingun, por në ditët e fundit u desh këmbëngulja amerikane dhe deklarimi publik i opozitës që të thirrej një seancë e posaçme plenare për vettingun, pasi Edi Rama ishte i gatshëm të firmoste një marrëveshje që s’kishte nevojë fare për konsultim parlamentar lidhur me reformën në drejtësi. Tha se s’e donte “republikën e re” dhe shqiptarët do të vijonin të bënin shtet me të, por gënjeu si dreqi, pasi në marrëveshjen e firmosur me Lulzim Bashën ka rënë dakord për ndryshime të thella kushtetuese, në fillim të legjislaturës së re, çka parathotë një rithemelim të të gjithë ngrehinës së institucioneve të demokracisë tonë. Pasi i lëshoi të gjitha, ia arriti të ruante vetëm vijën e kuqe të qershorit, e cila i demaskon lojën që ka luajtur deri më tani me partnerët në koalicionin qeveritar. Përrallat për aleancë strategjike me LSI-në u pluhurosën poshtë parakushtit të 25 qershorit, çka pamundëson riregjistrimin e koalicioneve. Kjo datë është disi edhe një garanci për lidhjet okulte që kryeministri mban me narko-klanet, çka mund të konsiderohet si dëmi më i madh anësor i marrëveshjes Rama-Basha.

Dëmi tjetër, ai i ndëshkimit të koalicioneve parazgjedhore është një dëm i vogël, i cili ka mundësi rikuperimi para 25 qershorit. Partitë e vogla të së majtës patën edhe njëherë rastin të “shijojnë” pabesinë e Edi Ramës. Vija e kuqe e 25 qershorit është një shans për ato parti të formojnë një narrativë elektorale, që do konsistojë në denoncimin e sjelljes së kryeministrit. Për partitë e vogla të djathta, të cilat u sakrifikuan 90 ditë së bashku me Bashën dhe PD, besoj se një marrëveshje interesi të ndërsjellë do të gjendet, por gjithsesi ato janë të rreshtuara apriori në llogoren që kërkon ndëshkimin elektoral të kryeministrit.

Pra mund të themi, në përfundim të orëve të para të publikimit të marrëveshjes Rama-Basha, se s’do të kemi koalicione në zgjedhje, por do të kemi një front Anti-Ramë.

 

 

Lini një përgjigje

Adresa juaj e emailit nuk do të bëhet publike. Fushat e detyrueshme janë shënjuar me *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>