S’ka shpëtim, Rama në hetim ndërkombëtar

berisha

 

Deklarata e forta të ish-kryeministrit, Sali Berisha

-Vetoja e Çekisë dhe tre ligjet për statusin e vendit kandidat, justifikime për të mbuluar pazarin më të fëlliqur të Ramës me kompaninë çeke

-CEZ-i, jo përzgjedhje e qeverisë “Berisha” por privatizim i bërë me ndërmjetësimin e Bankës Botërore

- E kam paralajmëruar se Rama e do Metën në burg, aleanca e ngjalave është aleanca e halave

 

Ish-kryeministri, Sali Berisha, ka zhvilluar dje një bashkëbisedim me gazetarët ku ka folur rreth çështjes së CEZ-it duke përsëritur thirrjen për një hetim ndërkombëtar nga dita e parë e privatizimit e gjer sot. Z. Berisha theksoi se vetoja e Çekisë në BE dhe tre ligjet për statusin e vendit kandidat janë sjellë si justifikime për të mbuluar atë që ai e quajti pazarin më të fëlliqur të Ramës me kompaninë çeke duke theksuar se Çekia nuk mundej kurrë të ngatërronte një vendim politik me një çështje tregtare për të bllokuar një vendimmarrje të Bashkimit Europian. Në vijim të bashkëbisedimit, ish-kryeministri Berisha sqaroi disa paqartësi të nxitura nga manipulimet qeveritare duke u shprehur ndër të tjera se privatizimi i sektorit të energjisë nga CEZ nuk ishte një zgjedhje e drejtpërdrejtë e qeverisë së tij, porse erdhi si pasojë e një ndërmjetësimi nga Banka Botërore. “Ju thirra sot, pas një zhvillimi të djeshëm të veçantë për aferën më të madhe korruptive në historinë e pluralizmit shqiptarë, aferën e CEZ-it, aferë në të cilën shqiptarët u gjobitën secili personalisht me 1200 euro, që do të paguajnë nga xhepi me rritjen e çmimeve, për të mos thënë pastaj totalin që shkon në mbi 3 miliardë euro. Një personalitet në fushën e energjisë u soll nga Edi Rama për dëshmitar në Komisionin e Aktiviteteve Prodhuese të Parlamentit shqiptarë. Zoti Kopac deklaroi, konfirmoi, pazarin e kulisave të bërë në kurriz të shqiptarëve. Deklarata e tij se, gjysmë ore pas firmosjes së marrëveshjes më CEZ-in, qeveria çeke tërhoqi veton, tregon qartë se Edi Rama bashkërendoi me x-in pazarin për CEZ-in. Kurrë një qeveri, e një vendi anëtar të BE, nuk mund të përdorë veton për ta blerë me 600 milion euro heqjen e saj. Kjo është jashtë çdo imagjinate. Çështja e statusit nuk është çështje tregtare, është vendim i mirëfilltë politik, kryekëput politik i vendeve anëtare dhe Komisionit Europian. Çështja e statusit, unë kam pasur garanci të plotë nga kryeministri i Çekisë, Necas, i cili erdhi në Tiranë për vizitë dhe unë e bëra publike se një nga çështjet kryesore ishte çështja e CEZ-it, por se Çekia nuk mundej kurrë të ngatërronte një vendim politik në një çështje tregtare, e cila sipas ligjit europian, sipas ligjit anglo-sakson do të zgjidhej në arbitrazh, do të zgjidhej sipas rregullave tregtare. Pra, meqenëse unë e kam shkruajtur edhe kur ka qenë në funksion komisioner, kam përmendur aty komisionerin Fyle, e keni shkrimin të botuar, ka qenë komisioner, ku mesa duket bashkërendoi, nuk kam fakte, por fakti se marrëveshja u firmos në zyrat afër tij. Po, po, marrëveshja është firmosur në Bruksel, e tha ministri Ahmetaj këtë, marrëveshja me CEZ-in. Fakti që, Kopac deklaron se gjysme ore mbrapa Çekia tërhoqi veton tregon se ky ka qenë një pazar nga më të fëlliqurit e Edi Ramës, në të cilin mund të jenë ndarë dhjetëra e dhjetëra milionë euro. Kurrë një qeveri, e një vendi anëtar, nuk mund të shndërrojë një çështje tregtare në një çështje madhore politike të bllokimit. Nuk po bllokohej Shqipëria, po bllokohej Bashkimi Europian. E imagjinoni ju që të mund të bllokohej për një kompani dhe problemet e saj e tërë vendim-marrja e Europës? Jashtë çdo lloj mundësie. Kjo ka vetëm një mundësi, kur palët bien dakord, kur njëra palë thotë më bllokoti që të bëjmë pazarin, dhe këtu pastaj faturën e paguajnë shqiptarët.

Ndaj dhe jam sot këtu për ti bërë thirrje Edi Ramës të pranojë hetimin ndërkombëtar për aferën e CEZ-it, nga dita e parë e ardhjes së tij në Shqipëri, deri në ditën e firmosjes se marrëveshjes famëzezë, më të cilën shqiptarët i gjobitën 1200 euro për person duke krijuar një gropë të tmerrshme energjetikës, tatimeve dhe doganave shqiptare nga kompania, e cila në Shqipëri falimentoi. Ndaj dhe mendoj që, zotin Kopac ta falenderoj edhe unë për dëshminë që bëri, por nuk është komuniteti dhe sekretariati i energjisë që do të merret me hetimin, hetimi ndërkombëtar ka rregullat e veta, dhe ligji që ka dërguar PD është një ligj i shkëlqyer i bazuar në praktikat e mëparshme të Shqipërisë në hetimet e suksesshme ndërkombëtare”.

 

  1. Berisha, opozita ka kërkuar dorëheqjen e kreut të Kuvendit Meta për afera korruptive, pse nuk kërkohet për këtë rast edhe dorëheqja e kryeministrit?

Unë kam akuzuar kryeministrin akuzoj edhe Ilir Metën dhe i kam bërë publike, por ka një dallim të jemi realist. Ilir Meta u bashkëngjit, me kërkesën time për hetim ndërkombëtar dhe unë këtë e vlerësoj. Ai thotë të behet hetim ndërkombëtar. Unë dua që të bëhet një transparencë e plotë për të gjitha këto veprime dhe jo të përdoret, siç po e përdorin për pengmarrje ndaj njëri-tjetrit krahët e “aleancës së qelbësirave”, këtë unë nuk e dua, se nuk fitojnë gjë shqiptaret nga kjo, unë dua të që të fitojnë shqiptarët. Unë dua që interesat e tyre të rivendosen, sepse Edi Rama i shkelmoi me të dyja këmbët. Dosja është aty, avokati ndërkombëtar i yni nga më të shkëlqyerit, na dha garanci të plotë se çështja është e fituar nga ju. Ky avokat fitoi çështjen e Mamidoil, që ishte çështje shume e komplikuar. Ne ishim të sigurtë që në arbitrazh do të fitonim, kurse kjo ju ka kushtuar shqiptarëve me shtrenjtë se çdo gjë tjetër. Në total kjo ju ka kushtuar sa ç’mund të ketë kushtuar gjithë Kaskada e Drinit. Kjo është aferë e tmerrshme.

 

A përfituat ju politikisht nga privatizimi?

Absolutisht zero përfitim. Kam bindjen më të thellë se kryeministri Topolanek nuk ka pasur asnjë ndikim në vendimin, nuk ishte i tij, vendimi është i rakorduar për ti pranuar Shqipërisë kërkesën për vend anëtar në Bashkimin Europian. Unë po them të hetohen, por hetimi i kësaj çështje është një kusht shumë i madh, sepse ju po e shihni vetë se çfarë është bërë. Po marr vetëm DIA-n, ne i kemi çuar ato kompani për ndjekje penale, edhe drejtuesit e CEZ ne i kemi çuar për ndjekje penale. Çfarë ndodhi në Vjenë. Në Vjene, CEZ, në ofertën që bëri tha do ta mbajmë ne DIA-an, kurse këta e sollën në derë tek ne. E dini çdo të thotë kjo? Edhe 135 milionë euro nga xhepat e shqiptarëve. Kush e bërë këtë lëshim dhe kompromis. Duhet hetim ndërkombëtar dhe të dalin të gjitha përgjegjësitë. Ju them një gjë. Pala e CEZ-it përpiqej të akuzonte palën shqiptare dhe ta akuzonte atë se nuk po funksiononte për shkak të qeverisë. Ju garantoj se qeveria ka bërë gjithçka që pala e CEZ-it të funksionojë, jo të dështojë. Ai merrte kompani për të mbledhur të ardhurat e përditshme dhe i ndante, ajo ishte rruga e vjedhjes dhe falimentimit. Atëherë nese ti i thua tjetrit mblidhi ato dhe do të të jap 40-50%, atëherë ti ndan para me ta dhe shkon drejt falimentimit. Logjike tjetër tregu mbi toke nuk ka. Se ai duhet të bëjë investime, te mbulojë shpenzimet. Ne kemi qenë korrekt në çdo hap. Çdo hap ne e kemi bërë me transparencë absolute ndaj CEZ-it. Edi Rama sa ka ardhur në pushtet ka lëshuar tërkuzën e akuzave ndaj qeverisë për sjellje të keqe të CEZ, për përzënie të CEZ sikur ishte punonjës si CEZ, i fliste goja jo xhepi Edi Ramës. Se një kryeministër nuk mund t’ia bënte kurrë vendnit këto. Se këto deklarata ishin të mjaftueshme për ti përdor CEZ-i ne arbitrazh dhe kudo kundër nesh. Pa le më zëdhënësi i tij Gjiknuri në çdo platformë doli duke mbrojtur CEZ. CEZ që i kishte shqiptarëve 3.2 miliarde euro me claime, pa claime 800 milion.

Në kohën kur po bëhej marrëveshja me DIA-a ju ai ishit në dijeni për influencën qe ministri juaj i jashtëm në atë kohe, zoti Meta po bënte për këtë marrëveshje …

Absolutisht asnjë dijeni. Pse? Personalisht, nëse do ti bini rrotull planetit nuk do të gjeni kurrë një kompani, të cilës unë i kam rekomanduar nënkontraktorë. Që në momentin që unë të rekomandoj një nënkontraktor ta keni të qartë që unë kam shprehur një interes timin dhe kjo nuk ka ndodhur dhe nuk mund të ndodhë kurrë.

Nuk është e vërtetë se nuk është ditur borxhi. Borxhi është ditur, borxhi ka qenë në favor të CEZ për ta mbledhur, nuk janë fshehur letrat, auditi është bërë. Përgatitja e privatizimit ka zgjatur dy vjet dhe dihej që autoritetet shtetërore, private i kanë CEZ këtë borxh dhe ky borxh u pranua se do të mblidhej nga CEZ-i. Njëra anë është mbledhja e borxhit, në të cilin çdo kompani, por edhe çdo shtet përdor mekanizma të ndryshme për trajtimin e tij, por ana tjetër ishte mbledhja e të ardhurave. Por tani të vijë një kompani dhe te outsource për mbledhjen e të ardhurave dhe të ndajë të ardhurat me të, çfarë do të investonte ky pastaj, nuk investoi asgjë vetëm rrënoi. Vetëm konsumim dhe shkatërrim te rrjetit energjetik dhe ky është një dëm i jashtëzakonshëm që bëri CEZ. Unë nuk kam ditur asnjë gjë, sepse nuk ka qenë detyrë e asnjë ministrie. Ai ka qenë veprimtari private e CEZ. Nëse ndokush ka dashur të fusë miqtë e vet, padiskutim që është me dorë ne tavë.

Thuhet se nuk është vetëm kompania e DIA-s në aferë korruptive janë edhe kompani të tjera që janë pjese e kësaj afere korruptive por qe pretendohet se kane lidhje me familjarët tuaj…

Asnjë kompani nuk ka lidhje me mua dhe me të afërmit e mi në mënyrë kategorike. Është shpifje, siç kanë shpifur. Le të më nxjerrin njërin, natyrisht kam mënyrën time të reagimit, të afërmit e mi do të kenë mënyrën e tyre të reagimit dhe do tu përgjigjem më transparencë të plotë në sallën e gjyqit ose kudo tjetër, siç kanë praktikën e tyre.

Nuk është rekomanduar nga të afërmit e mi e as nga unë kurrë asnjë kompani. Duhet ta dini ju dhe të gjithë shqiptarët, se në asnjë rast të afërmit e mi, është fjala për fëmijët e mi, nuk kanë qenë ndërmjetës në jetën e tyre një herë të vetme midis qeverisë dhe një kompanie private ose e kundërta. Nuk kanë qenë palë në gjyqe, nuk kanë mbrojtur në gjykata kurrë një kompani që ka paditur qeverinë, nuk kanë mbrojtur asnjë kompani. Ata kanë pasur një kod etik shumë rigoroz të punës së tyre për të cilin sa herë janë akuzuar me dokumente kanë fituar padinë pa asnjë vështirësi, sepse i janë përmbajtur me rigorozitet këtij kodi. Nuk ka ardhur kurrë ndonjëherë ndonjë ndërmjetësim asnjëri prej tyre as tek unë, as ne gjykata, askund.

Po flitet paralelisht edhe për zgjedhje të parakohshme keni ndonjë koment…

Unë ajo që shoh është se vendi nuk ka qeverisje. Ky vend është pas qeverisje. Ky vend ka një kryetar ekzekutivi që është sot njeriu me qesharak i planetit, i cili nga një piktor i dështuar që s’ka shitur dot në jetën e tij një pikturë tani me paratë e taksapaguesve, do të bindë botën se është piktor i madh, pavarësisht se jane shkarravina të thjeshta fare. Ajo është rruga e larjes së parave. Atë t’jua shesë mediave, por mua s’ma shet dot kurrë. Ajo është shumë e thjeshtë. Prisni ju kur të shihni deklaratën e pasurisë qindra mijëra euro nga shitja e pikturave.

Faktikisht vendi qeverisje nuk ka dhe po të kishte përgjegjësi më minimale kjo situatë nuk vazhdonte as 4 ditë. Por ka një alternativë tjetër, ëndrra e revolucionit demokrati, i cili do ti krrejë këta nga pushteti.

Ka një krisje mes aleancës së Metës dhe Ramës, ju vetë sa jetë gjatë e shikoni këtë aleancë?

E kam shumë të lehtë përgjigjen se që në fillim në parlament që muajin e parë i kam thënë Ilir Metës se ky u kthye nga Gjermani dhe tha se Ilir Metën e duan në burg. Unë ia thash se ishte e vërtetë. Në Bruksel ishte ë vërtet se i kërkuan burg. Jam i vetmi që i kam thënë në mënyrë të përsëritur se ti je një skllav dhe nuk duhet të rrish aty, sepse nëse vjen dhe të thotë nga Brukseli dhe Gjermania këto, ti ke një rrugë urdhëroni dhe hetoni. Por Edi Ramës i kanë thënë mbi bazën e dosjes që ke sjellë ti për Ilir Metën. Pra unë “aleancën e ngjalave” e kam quajtur “aleancën e halave”. Se ngjalat i hëngri Nardi dhe këtyre ju la skeletet. Jo Nard Ndoka, por personazhi tjetër (Koka).

Pse e zgjodhët CEZ kur dihej se CEZ në të gjitha vendet ishte problematike?

Nuk e zgjodhëm ne, aty ishte një privatizim i bërë me ndërmjetësimin e BB. Dhe janë dokumente për këtë, dhe janë edhe shumë dokumente të tjerë të shprehura të institucioneve të tjera, të partnerëve. Ishte gjigandi i peste energjetik në Evropë. Mbrapa rezultoi me probleme në Bullgari, Ceki. Këto privatizime kane patur aspekte të ndryshme në vende të ndryshme. Prandaj them unë që duhet të hetohet, të hetohet dosja se si u shpall fitues, kontrata që u bë, pra çdo gjë. Problemi është se këta me nenin 19 e zbuluan veten, kemi vjedhur po kos na dënimi thonë. A jo! Ata që kanë vjedhur do dënohen.

 

Lini një përgjigje

Adresa juaj e emailit nuk do të bëhet publike. Fushat e detyrueshme janë shënjuar me *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>