Skandali me radarët në det, zbulohet raporti sekret: Nuk filmojnë asgjë

mimi-kodheli-raporton

Nënkryetari i LSI, Luan Rama: “Komisioni i Sigurisë të nisë seancat dëgjimore për çështjen e mosfunksionimit të radarëve, u favorizua trafiku i drogës”

Pas letrave të zyrtarëve të lartë, ku zbuloheshin problemet me sistemin e radarëve në det, Qendra e Menaxhimit të pamjeve konfirmon skandalin. “News 24” ka siguruar raportin konfidencial që qendra ndërinstitucionale operacionale detare i dërgon ish-ministres së mbrojtjes Mimi Kodheli 24 orë pas publikimit të lajmit. Në raportin sekret të Qendrës shkruhet se performanca e radarëve ka pësuar rënie, ndaj zbulimi i mjeteve lundruese nën shtatë metra bëhet i vështirë dhe në kushtet e motit të keq, radarët nuk filmojnë asgjë. “Pavarësisht mbajtjes në gatishmëri të Sistemit të Vëzhgimit të Hapësirës Detare (SIVHD), sipas ekspertëve me kalimin e viteve performanca e radarëve ka pësuar rënie. Për arsye objektive në varësi të kushteve klimaterike apo lartësive të dallgëve të detit, nganjëherë zbulimi/vëzhgimi i objekteve të vogla lundruese (sidomos nën 7 metër) bëhet i vështirë. Ideja apo pretendimi për të zbuluar njerëzit nga sistemi është thjesht absurditet”. Përpos të tjerave Qendra pranon se për më shumë se një vit, radari në Ksamil ka qenë jashtë gatishmërie, duke konfirmuar shqetësimet e ngritura nga Haki Çako dhe ish-ministri Dritan Demiraj në letrat e tyre. “Aktualisht përveç Sistemit të Vëzhgimit të Hapësirës Detare janë në funksion edhe dy radarë të administruar nga Policia Kufitare dhe Migracionit; njëri ne Hoxharë dhe tjetri në Ksamil. Këto radarë nuk janë të integruar, pasi i përkasin një gjenerate më të vjetër. Si rezultat Qendra Ndërinstitucionale Operacionale Detare (QNOD) nuk merr pamje nga këto radarë, por vetëm nga njësitë e Policisë Kufitare dhe Migracionit, që shërbejnë atje. Radari i Ksamilit ka qenë jashtë gatishmërisë nga data 18 prill 2016 deri më datë 24 maj 2017”.  Qendra pranon gjithashtu se sistemi nuk siguron mbulim të të gjithë hapësirës detare. Edhe ky institucion ashtu si zyrtarët e rendit, konfirmon se sistemi i vjetruar i radarëve duke krijuar kënde të vdekura, që duket se shfrytëzohen mirë nga trafikantët e drogës. “Duhet qartësuar se sistemi që kur është ndërtuar, nuk siguron mbulimin 100 % të hapësirës detare. Komandanti i Qendrës së Vëzhgimi Detar, ka zhvilluar disa herë seanca sqaruese, si për gatishmërinë dhe performancën e sistemit, ashtu edhe për zonat e pambuluara me sinjal nga Sistemi i Vëzhgimit të Hapësirës Detare, me qëllim rritjen e kontrollit me mjete me mjete apo shërbime të tjera alternative.” Skandali me radarët përplasi institucionet, por në fakt asnjë prej tyre nuk informoi nëse do të merren masa për përmirësimin e sistemit, që sipas kryepolicit Çako do të rriste efektivitetin e policisë në luftën kundër drogës.

Rama: Komisioni i Sigurisë të nisë seancat dëgjimore për çështjen e mosfunksionimit të radarëve, u favorizoua trafiku i drogës

Çështja e mosfunksionimit të radarëve që monitorojnë kufijtë e Shqipërisë, është rikthyer sërish si një problematikë shqetësuese në një deklaratë të ditës së djeshme të Nënkryetarit të LSI, Luan Rama. Në prononcimin e tij për mediat pas mbledhjes së grupit parlamentar, Rama tha se sistemi i radarëve nuk është operacional dhe kështu vendi ynë ka cënuar seriozisht standartet e NATO-s. “Sistemi i radarëve që mbikqyrin hapësirën detare të Shqipërisë nuk është operacional. Prej 2014-2015 ka dëshmi që ky sistem nuk ka funksionuar dhe Shqipëria si vend anëtar i NATO-s ka cënuar standardet e NATO-s. Problemi bëhët edhe më i rëndë, dhe më lejoni tju them sot që jo vetëm 7 radarët që disponojnë Forcat tona detare, por edhe 11 radarët që disponon policia e shtetit nuk kanë qenë në punë me kapacitete operacionale për të kontrolluar hapësirën detare në Shqipëri. Ky është një problem skandaloz dhe ajo cka duhet bërë është nxjerrja e përgjegjësisë së të gjitha institucioneve që nuk kanë përmbushur detyrën”, u shpreh Rama. Duke theksuar se fikja e radarëve në mënyrë të qëllimshme ose jo ka favorizuar trafikun e drogës në vend, Rama deklaroi se ai do ti propozojë Komisionit të Sigurisë zhvillimin e seancave dëgjimore me të gjithë protagonistët e kësaj çështje. “Grupi parlamentar mbështeti propozimin tim për të nisur një cikël seancash dëgjimore në komisionin e cështjeve të sigurisë dhe mbrojtjes në lidhje me një problem që  jo vetëm në vlerësimin tim është delikat, i rëndësishëm dhe me një realitet që është problematik dhe që nxjerr në pah jo vetëm mosveprimin, por edhe bashkëveprimin në sensin negativ që ka të bëjë me mosfunksionimin e sistemit të radarëve të monitorimit të hapësirës detare në Shqipëri. Në funksion të transparencës unë do ti propozoj komisionit të sigurisë një axhendë takimesh seanca dëgjimore me të gjithë funksionarët e lartë shtetërore, titullarët e institucioneve që kanë përgjegjësi për garantimin e sigurisë kombëtare”, tha ai. Rama e cilësoi të pakuptimtë dhe të pafalshëm mos nisjen e hetimeve për këtë çështje nga ana e prokurorisë, ndërsa deklaroi se lënia jashtë e këtij sistemi ka favorizuar narkotrafikantët. Gjithashtu sipas tij është dëmtuar standardi i sigurisë kombëtare dhe duhen marrë masa ndëshkuese për ata që toleruan diçka të tillë. “Nuk është justifikim që nëse unë nuk e kam dërguar zyrtarisht dosjen që kam pranë prokurorisë që ato mos të fillojnë investigimin e kësaj situate. Duhet të ishte nisur një investim ligjor nga Prokuroria. Është e pafalshme që megjithëse janë investuar miliona euro dhe dollarë të taksapaguesve, situata ka qenë e dëmshme ndaj standardit të sigurisë dhe e favorshme ndaj trafikut të narkotikëve. Lënia jashtë e këtij sistemi me apo pa dashje ka favorizuar trafikun e lëndëve narkotike. Sepse rastësisht qëllon që pikërisht në pikat e njohura nga ku nisen trafikantët  e lëndës narkotike ne brigjet italiane, në ato zona janë më me probleme dhe nuk funksionojnë radarët. Kjo ka nevojë për masa ndëshkuese në zbatim të ligjit dhe për të krijuar besimin se angazhimi institucional është në funksion të garantimit të parametrave të sigurisë”, theksoi nënkryetari i LSI.

 

Lini një përgjigje

Adresa juaj e emailit nuk do të bëhet publike. Fushat e detyrueshme janë shënjuar me *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>