Skandali/ Ministrja Kumbaro mbron ndërtimin klientelist dhe shkatërrimtar në Butrint

Deputetja Vokshi: “Ndërtimi brenda parkut arkeologjik të Butrintit shkelje e rëndë ligjore dhe shpërfillje e UNESCO-s, pezulloni punimet”

 

Ditën e djeshme në ambientet e komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik u zhvillua interpelanca me ministren e Kulturës, Mirela Kumbaro, e cila raportoi lidhur me lejen e ndërtimit që ka dhënë në kundërshtim me ligjin për një ndërtim në parkun kombëtar të Butrintit. Kryetarja e komisionit, Albana Vokshi shprehu shqetësimin për projektin dhe theksoi se Ministria e Kulturës nuk ka lejuar mediat në këtë zonë, duke mos qenë transparente, ndërsa të gjitha këto përpjekje tregojnë se diçka tjetër më e madhe që prek kufijtë e një skandali fshihet mbas kësaj leje ndërtimi. Opozita dhe mediat kanë bërë me dije prej kohësh se në Butrint do të ndërtohet duke dëmtuar një objekt të mbrojtur nga UNESCO, për llogari të një klienti të qeverisë, por ministrja Kumbaro në raportimin e djeshëm ka qëndruar e palëkundur në qëndrimin e saj duke mbrojtur këtë hap që po ndërmerret për shkatërrimin e një pasurie të tillë. Ndërtimi i një biznesi brenda parkut arkeologjik të Butrintit përbën një shkelje të rëndë ligjore dhe shpërfillje të UNESCO-s. E vërteta është se një prodhuesi sallami i është dhënë leja e ndërtimit nga ministrja e Kulturës, që të shkatërrojë një perle historike si Butrinti. Ndërkohë edhe vetë Kumbaro ka pranuar se UNESCO-n nuk e ka pyetur për projektin para se të jepte lejen për klientin e qeverisë dhe i është drejtuar UNESCO-s për marrje mendimi pasi problemi është bërë publik nga arkeologët, media dhe opozita. Albana Vokshi duke parë deklaratat kontraverse të ministres së Kulturës, i ka kujtuar asaj se leja që është dhënë përcakton se brenda parkut të Butrintit do të hidhet beton dhe  me llaç e tulla do të ndërtohet në kundërshtim me ligjin një objekt prej 400 metra katror. Ajo i ka kërkuar Kumbaros që të mos vazhdojë me përgjigje që shkojnë në linjën e propagandës qeveritare, por t’i shpjegonte komisionit dhe opinionit publik vendimin e saj të ndërmarrë në kundërshtim total të ligjit për trashëgiminë kulturore. për “Më shpjego llaçin dhe  tullën, se ligji nuk e lejon. Në zonat Arkeologjike A, është e ndaluar çdo lloj ndërhyrje me karakter ndërtimor. A është karakter ndërtimor? E keni marrë lejen e UNESCO-së? Se një herë thatë po dhe një herë thatë jo. Ju ka dhënë aprovimin për këto gërmime?”, i është drejtuar Vokshi ministres së Kulturës, që në çdo moment është përpjekur të devijojë përgjigjen. Deputetja demokrate i kërkoi ministres Kumbaro që të japë urdhër për ndërprerjen e punimeve në mënyrë të menjëhershme dhe u shpreh se ministrja mund të thirret në komision një herë tjetër për t’iu dhënë përgjigje të gjitha pyetjeve të anëtarëve të komisionit. Informacioni është i mangët. Të gjitha pikëpyetjet nuk marrin përgjigje shteruese, duke na sqaruar pse nuk ka komunikim me UNESCO-n, pasi Butrinti që nga viti 1992-n, për vetë vlerat kulturore dhe trashëgimore që përmban. Ka vetëm një aneks, por asnjë lloj komunikimi që Ministria mund të bëjë punime në Butrint. Për sa kohë gjërat mbeten të pasqaruara deri në fund, ju duhet të kërkoni ndërprerjen e punimeve tani. Për të gjitha ato çështje që nuk do të marrim përgjigje mund ta thërrasim ministren në një rast të dytë. Është identiteti kombëtar në pikëpyetje. Është një trashëgimi botërore. I gjithë procesi është bërë në mënyrë jo transparente. Nëse ju pengoni mediat që të investigojnë të gjitha këto ngrenë hije dyshimi në atë ju e keni lejuar dhe disa profesionistë e quajnë krim”, deklaroi Vokshi. Ndërkohë një tjetër fakt që rrëzon ministren Kumbaro është publikuar gjatë kohës që në Komision zhvilloheshin debatet.  Policia ka pezulluar punimet brenda në Parkun arkeologjik të Butrintit në datën dy tetor, por ky urdhër është injoruar dhe punimet kanë rifilluar sërish. Edhe pse ka pasur një urdhër pas ngritjes së shqetësimit publik, sërish punimet kanë vijuar dhe pezullimi i vendosur nga policia është injoruar, si duket nga Ministria e Kulturës apo Drejtoria e Trashëgimisë Kulturore që kanë lejuar të vijohet masakra në Parkun e Butrintit.

 

 

 

Lini një përgjigje

Adresa juaj e emailit nuk do të bëhet publike. Fushat e detyrueshme janë shënjuar me *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>