Speciale/Në rrënjët e Gjermanisë së Madhe

 

 

1870 – Parisi u përpoq të ndalë Berlinin, dhe i shkoi shumë keq. Lufta zgjati më pak se një vit, nga 1870 deri në 1871. Por sanksionoi fuqinë e Gjermanisë së Madhe dhe rënien e pandalshme të perandorisë franceze Në 1 prill 1867, në Paris inaugurohej Ekspozita Universale: më e madhja e kohës. Njeriu që ofronte nderimet e mikpritjes ishte Napoleoni III, prej pothuaj njëzetë vitesh dominues i jetës franceze. Mes VIP-ave të ftuar, tre gjermanë të mëdhenj: mbreti i Prusisë, Vilhelmi I, kancelari i tij shumë energjik, Otto von Bismarck dhe gjenerali Helmuth von Moltke. Në pavionin e madh qendror të ekspozitës, përfaqësuesit e dy perandorive u gjendën në një vis a vis metaforike, gjithësecili me shkëlqimet e vet. Franca ekspozonte produkte luksi të madh, Prusia një top lufte shumë të fuqishëm, të markës Krupp. 50 tonë çelik, që jo më larg se tre vite më vonë, do të shfrynte në fushat e betejës. Rikthim tek rendi Por të bëjmë një hap prapa. Saktësisht në dyvjeçarin 1814-1815, data e Kongresit të Vienës, ku me dëbimin e Napoleon Bonapartit, nisi i ashtuquajturi Restaurim. Prusia dhe Franca e Luigjit XVIII u gjendën aleate mes tyre. Dhe pas 1848-ës, bashkëautore në shtypjen e shtytjeve liberale që shkaktonin tronditjen e monarkive shekullore. Ndërkohë, secili komb ndiqte interesat e tij: Napoleoni III, me konsensusin ndërkombëtar, riktheu perandorinë (1852), duke theksuar edhe rolin e tij qendror në konfliktin e Krimesë (1853-1856). Ndërsa Prusia ruante një profil pakëz më të ulët, e angazhuar për t’i marrë Austrisë kontrollin e Konfederatës gjermane të krijuar në Kongresin e Vienës. Megjithatë, ishte e dukshme që kjo ndjenjë mes të dy fuqive nuk do të zgjaste shumë. Ambiciet ekspansioniste të Napoleonit III dhe Bismarckut (nga viti 1862 kryeministër i Prusisë) i bëri që të futen shumë shpejt në rrugën e përplasjes. Me një veçanti: begatia ekonomike e arritur nga Franca – simbolizuar prej rinovimit të thellë arkitekturor të Parisit – nuk e trembte kancelarin e ardhshëm prusian, i cili arriti në konkluzionin që aftësia politike e rivalit të tij, ndoshta ishte mbivlerësuar deri në ato momente. Duke injoruar grandeur-in francez, ai vazhdoi me politikën e tij ekspansioniste duke mundur perandorinë austriake dhe krijuar Konfederatën e Veriut (1867), një bashkim shtetesh, të komanduar nga Prusia e madhe. Situata precipitoi në vitin 1870. Napoleoni, gjithnjë e më shumë i dobësuar fizikisht dhe psikologjikisht, i shihte me frikë sjelljet e gjermanëve në krizën spanjolle, e cila nisi pas rënies së mbretëreshës Izabela II. Cortes-ët ia ofruan kurorën princit gjerman, Leopoldi i Hohenzollern-Sigmaringen. Perandori francez, i dobësuar nga nervat (dhe shëndeti) iu druajt rikthimit në kohët e Karlit V, me rrethimin që këtë herë saldohej nga një Gjermani gjithnjë e më e fortë mbi lumin Ren, por e rrethuar edhe në jug, ku që në vitin 1866 ishte regjistruar aleanca antiaustriake mes Prusisë dhe Italisë. Napoleoni vendosi kështu se do të ishte një pikë pa kthim, pranimi i kurorës nga ana e Hohenzollern-ëve. Vilhelmi I nuk donte luftë dhe e nxiti nipin, Leopoldi I të hiqte dorë. Por, Bismarcku nuk kish ndërmend të ndiqte një politikë tërheqjeje, dhe nuk hezitoi që ta modifikojë telegramin që mbreti kishte shkruajtur nga Emsi, duke hequr prej tij frazat më zbutëse. Teksti përfundimtar mbyllej kështu: “Madhëria e Tij, Mbreti nuk pranoi të takojë sërish ambasadorin francez dhe kërkoi që t’i thuhet, përmes ndihmësit të tij, se nuk kish asgjë për t’i thënë ambasadorit”. Një shuplakë për regjimin Ky lloj telegrami, me të mbërritur në tryezën e Napoleonit, pati një efekt dinamit. Perandori u tërbua. Dhe, pikërisht ashtu si kishte parashikuar Kancelari, në 19 korrik Franca i shpalli luftë Konfederatës. Napoleoni ishte agresori, dhe gjermanët, të gjendur në anën e viktimave, u bashkuan përreth kancelarit të tyre, që nuk është se e donin shumë. Pasi kishin kryer një sulm më shumë demonstrues në Saarin gjerman, trupat franceze përfunduan megjithatë të shpartalluara nga një makinë ushtarake e organizuar përsosmërisht dhe mobilizuar me shpejtësi, falë rrjetit hekurudhor shumë eficient. Armatat gjermane, të udhëhequra nga Moltke e shpartalluan reshtimin shumë të dobët të armikut: edhe pse në planin taktik, francezët luftonin me “elan”-in e famshëm (dhe me pushkët shumë të mira Chassepot, të cilat u shkaktuan humbje të rënda gjermanëve), gjeneralën e Napoleonit pësuan një seri mbresëlënëse humbjesh, mbi të gjitha në Voerth (6 gusht) dhe në Gravelotte (18 gusht). Megjithatë, vendimtare ishin manovrat e mëdha strategjike të vëna në zbatim nga Moltke, kundër dy ushtrive kryesore franceze, të izoluara nga njëra-tjetra. Ndërkohë që ushtria e Bazaine shtyhej drejt Metzit dhe aty rrethohej, ajo e udhëhequr nga MacMahon dhe nga Napoleoni (gjithnjë i sëmurë) u rrethua në Sedan, dhe u detyrua të dorëzohet në 2 shtator 1870. Kapja rob e 39 gjeneralëve, 85 mijë ushtarëve dhe vetë perandorit, megjithatë, nuk i dha fund luftës. Parisi i rrethuar Nëse humbja u binte këmbanave të vdekjes për Perandorinë e Dytë, në 4 shtator u shpall në Paris Republika e III, krerët e të cilës ishin të vendosur që të nisnin kundër pushtuesve një luftë popullore. Mes shtatorit dhe tetorit, marshimi i prusianëve vazhdoi pa u ndalur, me pushtimin e Toulit, Strasburgut dhe Orleansit: në 27 tetor, Bazaine u dorëzua me 180 mijë burra, ndërkohë që nga 19 shtatori, vetë Parisi përfundoi nën një rrethim të fortë, gjatë të cilit thuhet se parizienët e uritur ushqeheshin edhe me kafshët e marra në kopshtin zoologjik. Por rezistenca e organizuar nga Leon Gambetta, i vënë në krye të popullit dhe që mishëronte tashmë frymën e strategjisë së re ushtarake franceze, dhe që në 7 tetor ishte larguar nga kryeqyteti për të organizuar kundërofensivën, po ndihej: në 30 tetor Orleansi iu rimor gjermanëve, të cilët u mundën dhjetë ditë më vonë edhe në Coulmiers. Pavarësisht habisë së Moltkes, Bismarcku dhe mbreti vendosën të bombardojnë Parisin me ata topat Kruppp, që tre vjet më herët ishin ekspozuar në pavionin e Fushës së Marsit. Drejt paqes Nën zjarrin e artilerisë së rëndë, qeveria franceze u dorëzua, dhe në 28 janar 1871 u firmos konventa, që sanksiononte kapitullimin e Parisit me kushte: gjermanët do të hynin kështu në 2 mars, vetëm për një marshim triumfues, duke e lënë kështu qytetin mes trazirave të brendshme, që shumë shpejt u shfrynë tek Komuna dhe lufta civile. Nisën edhe tratativat e paqes, që përfunduan në 1 mars. Franca dorëzoi Alsasën dhe një pjesë të Lorenës, dhe do të mbetej e pushtuar deri në vitin 1873, me garancinë e pagesës së një dëmshpërblimi të luftës prej 5 miliardë frangash. Gjermania e Madhe Në Europë po lindte kështu një fuqi e re dhe një perandori e re: në 18 janar 1871, në Versajë, Bismarcku kishte shpallur lindjen e Rajhut të Dytë gjerman. Shtetet aleate që kishin marrë pjesë në luft në krah të Konfederatës gjermane të Veriut, u aneksuan nga perandoria. Lindi kështu Gjermania e Madhe. Por jo vetëm kaq. U krijuan edhe premisat për revanshin francez që këtë herë do të drejtohej kundër një tjetër Kaizeri, Vilhelmit II. Duke u përpjekur për një revansh, që do të vinte vetëm në 1918. Pas një tjetër lufte, e cila do të trondiste të gjithë botën.

Marrë nga periodikja “Storica”