Statistikat/ 70 mijë shqiptarë të droguar mund të drejtojnë kompani, institucione apo qeverinë

Raporti për përdorimin e drogës në botë, i hartuar nga Zyra për Drogën dhe Krimet e Kombeve të Bashkuara (UNODC), pohoi se Shqipëria renditet e para në botë për përdorimin e kokainës mes grupmoshave 15-64 vjeç. Kjo gjetje ngre një sërë pyetjesh shqetësuese për të gjithë qytetarët e vendit. Nëse 2,5 për qind e qytetarëve të Shqipërisë përdorin kokainë do të thotë se të paktën 70 mijë shqiptarë janë të droguar

 

Raporti për përdorimin e drogës në botë, i hartuar nga Zyra për Drogën dhe Krimet e Kombeve të Bashkuara (UNODC), pohoi se Shqipëria renditet e para në botë për përdorimin e kokainës mes grupmoshave 15-64 vjeç. Kjo gjetje ngre një sërë pyetjesh shqetësuese për të gjithë qytetarët e vendit. Nëse 2,5 për qind e qytetarëve të Shqipërisë përdorin kokainë do të thotë se të paktën 70 mijë shqiptarë janë të droguar. Kokaina është droga e të pasurve, dhe përdoruesve të përhershëm të kokainës u nevojiten shumë para për të kënaqur nevojën e tyre—me çmimet mesatare të tregut, rreth 500 euro në muaj për përdoruesin rastësor në mbi 3 mijë euro në muaj për përdoruesin e rregullt. Kjo do të thotë se 70 mijë shqiptarët përdorues të rregullt të kokainës i përkasin, më së shumti, shtresës së pasur ose shumë të pasur të vendit—ata të cilët kanë mundësi të shpenzojnë nga 6 mijë deri në 36 mijë euro në vit vetëm për përmbushjen e varësisë së tyre. Ndërsa në vendet më të mirëqena të botës, ku njerëzit kanë më shumë para në dorë, mes përdoruesve ka shumë nga ata që i përkasin shtresës së mesme dhe të varfër të popullsisë, në vende si Shqipëria kjo nuk ka asnjë mundësi të ndodhë. Financiarisht, në Shqipëri kokaina nuk mund të përdoret nga të varfërit, punëtorët, apo edhe mësuesit e pedagogët, sepse këto shtresa të popullsisë nuk mund t’ia lejojë vetes. Për to, nëse kanë varësi ndaj drogave, nevoja mund të kënaqet vetëm nga heroina e cilësisë se dobët dhe morfina kontrabandë nga spitalet. Por sa të pasur ka në Shqipëri? Sipas Shoqatës së Bankave, në Shqipëri qarkullojnë rreth 90 mijë karta krediti. Duke parë edhe pasionin e shqiptarëve për udhëtime jashtë vendit, përjashtim ndonjë të moshuar, nuk ka të pasur në Shqipëri pa të paktën një kartë krediti. Kjo do të thotë se praktikisht gati të gjithë ato që kanë një kartë krediti janë përdorues kokaine, ose më saktë gati të gjithë të pasurit në Shqipëri përdorin kokainë. Fatkeqësisht ndër këto 70 mijë persona mund të ketë edhe drejtues të shtetit, politikanë dhe me shumë gjasa zyrtarë policie dhe të drejtësisë, dhe ndoshta shumë prej tyre janë korruptuar për të përballuar kokainën. Të gjithë këta 70 mijë persona drejtojnë kompaninë, zyrën, institucionin, qeverinë dhe marrin vendime të rëndësishme, përpara dhe pas përdorimit, për veten e tyre, për familjet e tyre, por shpesh edhe për të gjithë vendin. Me shumë mundësi të gjithë banojnë në Tiranë, sepse në Pukë dhe në Ersekë mënyrat e jetesës janë më pak të përshtatshme për këtë ves. Por, për një qytet me rreth 700 mijë banorë, në të cilin shumica dërrmuese maksimumi mund t’i lejojë vetes ndonjë gotë raki, 70 mijë përdorues kokaine janë shumë, tej mase shumë. Duke i shtuar kësaj edhe 5,6 për qind të popullsisë që përdor kanabis, ky numër shkon në 150 mijë persona përdorues të drogave në vend. Një klasë e tërë drejtuese e droguar. Fatkeqësisht kjo shpjegon shumë gjëra. Nëse përdorimi i kokainës në Itali vlerësohet në 0,3 gramënë ditë për çdo një mijë banorë, dhe vetëm 1,8 për qind e italianëve përdorin kokainë, atëherë, në doza të barabarta, në Shqipëri përdorimi për frymë është rreth 0,42 gramë në ditë për çdo një mijë banorë, që do të thotë se në Shqipëri konsumohet 440 kilogramë kokainë në vit. Më shumë se një kilogramë e dyqind gramë kokainë në ditë. Dhe nuk është vetëm kokaina. Pra, nëse një gramë kokainë kushton 100 euro, do të thotë se në total shpenzohen 44 milionë euro për blerjen e kokainës. Kjo shifër krahasohet me trefishin e buxhetit të Ministrisë së Kulturës ose të Ministrisë së Ekonomisë, me një të tretën e buxhetit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, me buxhetin e Ministrisë së Bujqësisë pa ndihmën e huaj, ose me të gjitha të ardhurat e mbledhura nga tarifat doganore. Për ta bërë më të qartë, disa familje shqiptare mund të shpenzojnë mesatarisht për të blerë kokainën më shumë se gjysmën e asaj që shpenzojnë të gjitha familjet shqiptare për edukimin e fëmijëve të tyre. Droga në Shqipëri gjithmonë është konsideruar vetëm si një mundësi për t’u pasuruar shpejt, që në thelb ishte diçka e cila maksimumi dëmtonte dikë tjetër. Tani ama duhet të fillojmë të ndërgjegjësohemi që në realitet dëmi ka qenë shumë i rëndë, i thellë për të gjithë shoqërinë shqiptare, e cila tashmë e gjen veten me një klasë drejtuese që shpesh merr vendime “në interes të publikut” kur është e droguar, një elite sipërmarrëse dhe profesionale gjithashtu të droguar, një sistem vlerash shoqërore tërësisht të shkatërruar, një kontekst tërësisht të trullosur në të cilin rriten brezat e rinj. Por kokaina, dihet, mpin dhimbjen e tyre

(Exit.al)

 

 

Lini një përgjigje

Adresa juaj e emailit nuk do të bëhet publike. Fushat e detyrueshme janë shënjuar me *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>