Sulejman Gjana: Të parandalojmë çdo lloj rehabilitimi të diktaturës së diktatorit Hoxha

Rehabilitimi i simboleve të komunizmit dhe figurës së Enver Hoxhës, PLL memorandum ambasadorëve të BE dhe SHBA

 Partia “Lëvizja e Legalitetit” u ka dërguar Ambasadorëve të vendeve anëtare të BE të akredituar në Shqipëri, Institucioneve Europiane dhe Ambasadorit të SHBA në Shqipëri, një Memorandum ku shpreh shqetësimin e saj për prirjen e një pjese të politikës shqiptare për rehabilitimin e simboleve të komunizmit dhe diktatorit Hoxha. Në letrën e kryetarit të PLL, Sulejman Gjana thuhet se orvatjet për të rehabilituar diktaturën komuniste dhe diktatorin Hoxha nuk janë vetëm një ofendim ndaj mijëra shqiptarëve që u persekutuan e vranë përgjatë epokës komuniste, apo dhjetëra mijëra të tjerëve që kaluan vite të tëra në burgje a kampe përqendrimi. “Kini mirësinë të na lejoni të ndajmë me Ju një shqetësim serioz që lidhet me ringjalljen e simboleve të ndryshme të ish diktaturës komuniste, të cilat u shpërfaqën qysh kur qeveria aktuale mori pushtetin në shtator 2013. Këto simbolika patën si zanafillë praninë e portreteve të ish-diktatorit Enver Hoxha në Ceremoninë Zyrtare të mbajtur më 29 nëntor 2013, në varrezat “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë. Që prej 9 janarit 2014, disa deputetë kanë bërë thirrje për krijimin e një Komisioni të Posaçëm për të përkujtuar 70-vjetorin e çlirimit të vendit me qëllimin e fshehur për të rehabilituar diktaturën komuniste dhe diktatorin Hoxha dhe në të njëjtën kohë për të injoruar kontibutin e forcave jo-komuniste që operonin gjatë LDB kundër Boshtit dhe përkrah Aksit. Këto thirrje u përsëritën disa herë në vijim dhe në prill të vitit 2014, media raportoi se një grup deputetësh kishin paraqitur, që në fillim të vitit, në Parlament një kërkesë zyrtare për krijimin e këtij Komisioni të Posaçëm Shtetëror. Më 5 maj 2014, në Ceremoninë Zyrtare të Përkujtimit të Ditës së Dëshmorëve, portretet e ish-diktatorit u shfaqën në qytete të ndryshme të vendit. Në qytetin e Përmetit u shpalosën simbolika të spikatura të diktatorit komunist: si prania e “Pionierëve të Enverit” dhe përdorimi i ‘grushtit lart’ në praninë e një numri të konsiderueshëm deputetësh dhe anëtarësh të qeverisë. Në të njëjtën ditë, në qytetin e Beratit, Ministri i Drejtësisë, bëri homazhe para Monumentit vendor të Dëshmorëve të Kombit, ku një portret i ish-diktatorit Hoxha ishte vendosur në qendër të këtij monumenti. Më 24 Maj, në 70-vjetorin e të ashtuquajturit “Kongres të Përmetit” që faktikisht i nxiti komunistët të ndërmerrnin një luftë civile gjatë LDB-së, të rrëmbenin pushtetin njëanshmërisht dhe të vendosnin një regjim diktatorial komunist, shumë politikanë të rangjeve të larta morën pjesë në një ceremoni në qytetin e Përmetit, ku thirrjet e qarta në dobi të ish-diktatorit Enver Hoxha dhe simbolikat e diktaturës frikësuan shumë shqiptarë. Më së fundmi, në qytetin e Korçës, Memoriali i ushtarëve amerikanë që humbën jetën në Shqipëri gjatë LDB-së u dëmtua rëndë nga vandalët, akt i cili ende nuk është zbardhur nga policia dhe nuk është raportuar nga organet zyrtare të Shtetit.

Megjithatë, gjendja aktuale meriton një vëmendje të veçantë nga çdo faktor i shoqërisë shqiptare dhe prej partnerëve tanë ndërkombëtarë. Në fakt, ne besojmë fuqimisht se orvatjet për të rehabilituar diktaturën komuniste dhe diktatorin Hoxha nuk janë vetëm një ofendim ndaj mijëra shqiptarëve që u persekutuan e vranë përgjatë epokës komuniste, apo dhjetëra mijëra të tjerëve që kaluan vite të tëra në burgje a kampe përqendrimi. Këto orvatje nuk janë gjithashtu vetëm një ofendim për besimtarët, kishat e xhamiat që u shkatërruan, mbyllën a tjetërsuan gjatë asaj periudhe, dhe as vetëm një ofendim ndaj historisë dhe të vërtetës. Por, çka është më e rëndësishmja, ne jemi të bindur se këto synime për të rehabilituar diktaturën komuniste dhe diktatorin Hoxha, ofendojnë vlerat e lirisë, paqes, demokracisë dhe orientimit Perëndimor, që u ishin ndaluar shqiptarëve gjatë shumë viteve. Pikërisht për këto vlera të përbashkëta me partnerët tanë Perëndimorë, dhjetëra mijëra jetë shqiptarësh u flijuan apo u rrënuan. Për afro 50 vjet, komunistët luftuan kundra këtyre vlerave dhe kryen krime në emër të vlerave dhe parimeve që i përkasin një tjetër periudhe, një tjetër ideologjie dhe dallueshëm një kampi tjetër. Përvoja tragjike më shumë se 50-vjeçare e diktaturës komuniste na jep arsye të mjaftueshme për të besuar se rikthimi te vlerat dhe referencat e diktaturës do të dëmtojnë së shpejti jo vetëm paqen dhe stabilitetin e mëtejshëm në Shqipëri e rajon, por edhe interesat gjeostrategjike të vendit tonë dhe aleatëve tanë natyralë. Prandaj, ne jemi të mendimit se është në interesin tonë të përbashkët për të qenë të vëmendshëm ndaj rreziqeve të rishfaqjes së këtyre simbolikave të diktaturës komuniste, dhe të parandalojmë çdo lloj rehabilitimi të diktaturës e diktatorit Hoxha”, thuhet në memorandumin e z.Gjana. Në këtë Memorandum, krahas shprehjes së mirënjohjes  ndaj partnerëve ndërkombëtarë për mbështetjen e tyre ofruar Shqipërisë në rrugën e integrimit Euro-Atlantik, Partia “Lëvizja e Legalitetit” kërkon vazhdimin e kësaj mbështetjeje për dhënien e Statusit të Vendit Kandidat në BE. PLL gjykon se kjo do të jetë një mjet më shumë për parandalimin e çdo lloj rehabilitimi të diktaturës komuniste dhe diktatorit Hoxha.