‘Takimet e Gjeçovit 2017’ në Zym të Prizrenit, 12-15 shtator

Nga data 12 deri më 15 shtator, në fshatin Zym të Hasit, komuna e Prizrenit, mbahen ‘Takimet e Gjeçovit 2017’, manifestimi i përvitshëm kulturor kushtuar françeskanit të njohur shqiptar Atë Shtjefën Gjeçovit. Sivjet, në manifestimin kulturor tre ditor ‘Takimet e Gjeçovit’, do të flitet për trashëgiminë kanunore te shqiptarët;  për traditën e ushqimeve dhe të veshjeve tradicionale në zonën e Hasit, e do të mbahen edhe programe tjera me karakter kulturor e artistik, pohojnë organizatorët me në krye gazetarin Frrok Kristaj, mbledhës i pasionuar i folklorit e studiues i historisë.

Ja pse sipas Pjetër Domgjonit, duhet me vizitue Zymin e Hasit si vend turistik.

Mbas qytetit të Gjakovës, Zymi Hasit asht vendi dytë në Kosovë ku nderohen shumë françeskanët, me vet faktin se gjatë shekujve, kisha famullitare e Zymit n’të shumtën e herave asht administrue prej tyne. K’tu ndoshta edhe qëndron sekreti pse banorët e atij vendi janë aç punëtorë, aç atdhedashës, aç t’shkolluemë, aç të urtë e me plot kulturë, por mbi të gjitha edhe bukëdhanësa t’përmendun. Urtia, rregulli, kultura dhe disiplina françeskane e kanë ba punën e tyne gjatë shekujve.

Zymjani, zanatë tradicional e ka prodhimin e bukës dhe kurrë nuk e mbyll furrën pa bukë. Së pakut dy – tri bukë duhet me mbetë n’furrë. Kjo për shkakun se. Mund paraqitet ndoj udhëtar i vorfun apo skamnorë i unritunë dhe edhe atij duhet me i dhanë bukë. A s’na e kujton kjo edhe njenin prej vyrtyteve t’nalta të urdhnit françeskan. Dhanja e bukës: „BUKA E SHNA NDOUTË“

S’ka shqiptar n’Ballkan që di shkrim – lexim e t’mos ketë ndëgjue për TAKIMET E GJEÇOVIT e bashkë me ato takime t’ketë ndëgjue edhe për vet Zymin.

S’ka politikanë shqiptarë t’Kosovës që t’mos e ketë vizitue Zymin e t’mos jetë mrekullue prej mikritjes bujare t’zymjanëve, por shumë pak kanë nda mjete për zhvillimin e atij vendi.

Zymi si vend i banuemë që n’kohnatë e lashtësisë, ka hy tash në agjendën turistike të Kosovës dhe ate duhet me e vizitue sepse:

Aty ndodhen dy vorretë ku pushojnë eshnatë e dy françeskanëve t’mdhaj. Pater Luigj Palaj dhe patër Shtjefën Gjeçovi.

Zymi asht vendlindja e Pjetër, Andrej dhe Lukë Bogdanit dhe e nji mori figurave t’jera kombtare shqiptare që kanë shërbye vazhdimishtë n’at vend e nji pjesë e madhe e tyne edhe kanë lind aty tue ardhë deri tek ANTON PASHKU që ban pjesë në grupin e shkrimtarëve ma t’mdhaj t’Letërsisë Kombëtare Shqiptare. Monumentin e Abetares, i çuajtun n’kulturën kombëtare si. ABETARJA E ZYMIT. Përmendoren madhështore t’patër Shtjefnit dhe truporen e shejtneshës NANA TEREZE. N’Zym ndodhet edhe shtëpia lindjes e KATARINA JOSIPIT. Aktores së parë shqiptare në t’gjithë ish Jugosllavinë ku kanë jetue shqiptarët. Kemi aty amfiteatrin ku mbahen të gjitha manifestimet kulturore t’vendit

Dy Kisha madhështore/Shoqninë shumë t’sukseseshme kulturoro artistike Katarina Josipi. Veshën e bukur e shumë t’vjetër kombëtare t’grave t’Zymit. Veshë që konsiderohet se daton prej kohës së ilirëve. Keni urbanizimin e vendit, natyrën e virgjër, ajrin e pastër dhe dy – tri klube me shërbime shumë t’kulturueme. Mbi Zym, keni edhe liqenin, i njoftun si: L’KENI HASIT. Nji vend çlodhës dhe rekreativ që si pseudonim i ka shërbye pater Shtjefën Gjeçovit, por mbi të gjitha.. Atje keni edhe banorët e Zymit shumë punëtorë, dashmirës, mikpritës, bujarë e që i karakterizon nji dozë e lehtë humori. Vizitojeni Zymin si vend turistik, monumental, kulturorë, rekreativ dhe çlodhës. Aty me t’vërtetë, në çdo cep do t’ndesheni me gjurmët e rendit, rregullit dhe kulturës që nëpër shekuj e kanë lanë françeskanët.

 

 

 

Lini një përgjigje

Adresa juaj e emailit nuk do të bëhet publike. Fushat e detyrueshme janë shënjuar me *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>