Takimi Rama-Meta: Ku thërret Qameti

rama 100 minuta

 

 

Pas 100 minutash zvarritje e turpërim publik, Edi Ramës i është mbyllur goja dhe s’ka mundur të bëjë propagandë se punët i ka mirë e se ndërkombëtarët e besojnë. Ka dështuar përpjekja për të bindur Brukselin se korrupsionin do ta luftojë edhe vetëm, prandaj pas votës kundër hetimit për CEZ-in, Edvini është paraqitur i vetmuar tek Meta, për t’i kërkuar që “t’i këpusë kokën” kujt ministri socialist të dëshirojë. Qameti në qeverisje ende s’ka kaluar dhe ditët në vijim do kuptohet cilët ka shitur kryeministri, për të zgjatur edhe pak ditë në kolltuk, pa iu kthyer gijotinës së zgjedhjeve të parakohshme

Vëzhgimi/Ecja vetëm e Ramës në Bulevard, nga dëshmi virgjërie për Metën, në çertifikatë vetmie politike

 

Nga Nju-Jorku tek Kryesia e Parlamentit ka qenë një ndryshim i madh stili për propagandën e Edi Ramës. Pasi u fabrikuan në Nju-Jork dhjetëra njoftime e kronika për pseudotakime që s’ndodhën apo për strategji që e nxirrnin kryeministrin një politikan të “kalibrit botëror”, mbrëmë pamë se si kalecët e qeverisë e kishin të vështirë të nxirrnin raportime që do ta shihnin në dritën pozitive heshtjen pas takimit me kreun e LSI-së, Ilir Metën. Misterioziteti që u përpoqën t’i vinin fjalisë së sikletshme të Edvinit drejtuar gazetarëve “Një fundjavë të qetë” s’e fshihte dot mungesën e rezultatit. Të gjithë kuptuan se Edi Rama ishte në krye të fushatës për të adresuar të gjithë problematikën qeverisëse tek Ilir Meta, por ndërkombëtarizimi i skandalit të CEZ, vëmendja ndërkombëtare ndaj aferës që sipas opozitës u ka kushtuar shqiptarëve 600 milionë euro prej firmës së tij, si dhe pamundësia për të çuar deri në fund aksionin për bërjen kurban të kreut të Kuvendit, detyroi dje Edvinin të qeraste bashkëkryetarin e koalicionit me një ecje të vetmuar drejt zyrës së tij si dhe me një takim 100 minutësh, që nuk zgjidhi asnjërin prej halleve të kryeministrit.

E vërteta është se takimi ndodhi pasi publiku dhe ndërkombëtarët kuptuan se pas javë akuzash, u mor vesh se LSI-ja e ka vënë kryeministrin nën akuzë dhe se vetë PS-ja ishte e tmerruar nga hetimi ndërkombëtar për aferën e CEZ. Linçimi mediatiko-politik i kreut të Kuvendit mori më shumë kohë dhe kostot e operacionit po shkonin ekskluzivisht për qeverinë, në vend që të merrnin kosto nga qeverimi për t’ia faturuar “partnerit” të babëzitur. Përpjekja për diabolizimin e partnerit të vogël të koalicionit s’e kaloi sprovën parlamentare dhe vota kundër e Edi Ramës ka thirrur në skenë nevojën për një marrëveshje të re mes ortakësh, marrëveshje që të paktën nuk do nxjerrë në shesh të palarat, të paktën edhe për njëfarë kohe. 100 minuta zvarritje s’e shmangën qametin që vetë Edvini duket se provoi me historitë e tij bizantine, të cilat si shpesh ai ngutet t’i nisë, por për shkak të ndërlikimit të tyre, asnjëherë s’ua gjen përfundimin dhe detyron mentorët e tij politikë të ndërhyjnë, për t’ia hequr gështenjat nga zjarri. Por tani ai është në krye të skemës bizantine, prandaj kurrfarë mentori s’gjendet për t’u përdorur si kokë turku. Fajtorët duhen kërkuar tek ministrat dhe llotaria mes Tahirit, Ahmetajt e Beqjes rrezikon të rrëzojë krejt ekuilibrin e brishtë që ngjan se Edi Rama kish gjetur më herët me kasnecët e tij dhe me ministrat e Ilir Metës. Refreni i dëshiruar i Ramës se ai nuk mund të qeverisë me ministrat grabitës të Metës tashmë po zëvendësohet me masat e vështira që duhen marrë për të mbajtur gjallë karakatinën qeverisëse, duke bërë kurban nja dy ministra, për të qetësuar partnerin e koalicionit, i cili e akuzon se ia bëri me hile.

Këto lëvizje mund të sigurojnë sërish një shumicë në parlament, por ato rrënojnë propagandën që Edi Rama ka paraqitur para kancelarive ndërkombëtare e njëkohësisht edhe vë në rrezik përpjekjet për reforma gjithëpërfshirëse në sistemin e drejtësisë. Takimi me Metën iu kthye Ramës në një takim “ku thërret Qameti”, sepse tani ai po iu shfaqet ndërkombëtarëve, ashtu siç është, liliput në politikë. Kurban-ministrat, të lidhur me qindra fije me korrupsion e me krim s’kanë ndërmend të dorëzohen lehtë, ndërkohë që dështimi i reformave, për hir të kompromiseve të reja brenda mazhorancës, do ta rrënonte përfundimisht edhe atë pak asistencë ndërkombëtare që po i jepet Axhendës “Rama” në parlament. Ecja vetëm në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, e arkitektuar si një dëshmi virgjërie në marrëdhëniet e tij me Metën, pas 100 minutave turpëruese janë kthyer në një dëshmi të vetmisë që sjell turpi i tradhtisë në politikë, ndaj shokëve, bashkëpunëtorëve, partnerëve e ortakëve.

Lini një përgjigje

Adresa juaj e emailit nuk do të bëhet publike. Fushat e detyrueshme janë shënjuar me *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>