Tentativa e Edvinit për të orkestruar mësymje ndërkombëtare kundër çadrës, një akt dëshpërimi

cadra-jpg

Çadra e Opozitës është shndërruar tanimë në një agora të shqiptarëve dhe si e tillë është kalitur në një “institucion”, i mandatuar nga shqiptarët në protestën masive të 18 shkurtit. Në mes të atij bulevardi, ku shtrihen godinat e kupolës shtetërore, ajo çadër, pa tulla, ornamente e sofistifikime arkitekturore qëndron aty bash si një ngrehinë që nuk mund të hiqet thjesht duke i hequr disa shtylla. Themeli i saj është ngritur mbi një Opozite pas së cilës siç konfirmoi protesta e 18 shkurtit, ka pas vetes shumicën e shqiptarëve. Ajo nuk është një çadër beduinësh, por një çadër-betimi për zgjedhje të lira e të ndershme e një Shqipëri të çliruar nga kanabisi.

Në relievin politik dhe natyror të Shqipërisë ka mbirë hashashi, i harlisur deri në skajet e kufirit shqiptar, dhe “mbirja” e një çadre në Bulevard është një kundërpërgjigje për të shembur një regjim bujkrobërie kanabisi që ka molepsur marrëdhëniet shtetërore dhe njerëzore në Shqipëri. Me këtë fizionomi, kjo çadër ka si mision të sajin diktimin e qëndrimit, dhe jo zbatimin  e qëndrimeve. Çka do të thotë se, siç historia ka dëshmuar, protestat prodhojnë qëndrim dhe ky qëndrim që sendërtohet nga lëvizjet për ndryshim kthehet në një sistem. Procesi i tranzicionit është mjaft delikat dhe krijon konfuzion, siç ka krijuar tek ndërkombëtarët ose tek disa shqiptarë. Me këtë efekt anësor, të rrëzimit të një sistemi e ngritjes së një tjetri duhet një lexim i kujdesshëm i kumteve që dalin nga çadra por edhe i rrethanave ku ndodhet Shqipëria. Thënë kjo, ndërkombëtarët, sidomos europianët dhe amerikanët, nuk duhet të gjykohen për faktin se po bëjnë atë çka janë, pra ndërkombëtarë. Natyrisht, leksiku i tyre është stabiliteti, integrimi në BE dhe reforma në drejtësi. Kjo është një gjendje e natyrshme dhe e frikshme do të ishte që të dëgjonin ndërkombëtare që flasin për destabilitet. Në këtë kontekst, fjalët e ndërkombëtarëve nuk duhet të pompohen sikur ndërkombëtarët kanë rrethuar çadrën si me qene armata evropiane e 1880 e rrethimit të Ulqinit. Tentativat e Edi Ramës për të orkestruar një mësymje të ndërkombëtarëve ndaj çadrës janë akte dëshpërimi të një kryeministri të rënë. Rama po kërkon një vjegë ku të kapet dhe po shfrytëzon natyrën paqtore të ndërkombëtarëve për t’u dukur sikur është Princ Vidi, i mandatuar nga ndërkombëtarët për të qeverisur Shqipërinë. Duke theksuar se fjalët që dalin nga ofiqet ndërkombëtare duhen respektuar, ato nuk janë përcaktuese dhe diktuese për t’i hequr të drejtën një Opozitë që të jetë Opozitë. Lëshimi i Çadrës nuk është si lëshimi i Ulqinit. Europianët dhe amerikanët përgjatë historisë kanë treguar se janë ithtare të opozitave kudo në botë, ashtu siç ndaj PD-së së Lulzim Bashës. Lulzim Basha është një figurë politike që ka një mbështetje robuste ndërkombëtare, madje një mbështetje që zor se mund ta ketë ndonjë lider tjetër në Ballkan. Në atë çadër, është duke u mbrujtur një  sistem i ri, që nuk i drejtohet vetëm personit Edi Rama, por sistemit të Tanzimatit të Kanabisit që ky i fundit ka ngritur për të qëndruar në pushtet. Thjeshtësia  e çadrës nuk mund të jetë objekt qesëndisjeje ashtu siç nuk mund të jetë objekt qesëndisjeje një stallë, ku mund të lind një Mesia. Lëvizja Basha, natyrisht që në inercinë e zellit opozitar mund të kritikohet e duket destabilizuese, por në fakt po nxjerr Shqipërinë nga destabiliteti. I dukshëm apo jo për disa shqiptarë a ndërkombëtare, destabiliteti ka pllakosur vendin. Dhe angazhimet për të nxjerrë një vend nga destabiliteti mund të shoqërohen me lëvizje tektonike, ama vetëm për periudhën e tranzionit. Por çka vjen me qeverinë teknike dhe zgjedhjet e lira është stabiliteti dhe integrimi i Shqipërisë në BE. Këtë kërkon Basha, këtë kërkojnë ndërkombëtarët!

 

 

Lini një përgjigje

Adresa juaj e emailit nuk do të bëhet publike. Fushat e detyrueshme janë shënjuar me *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>