Thaçi njofton themelimin e ushtrisë së Kosovës, reagojnë SHBA dhe NATO

thac

 

 

Me një nismë ligjvënëse, presidenti i Kosovës kërkon shndërrimin e FSK-së në ushtri të mirëfilltë, por ky hap ka shqetësuar Uashingtonin dhe NATO-n, të cilat e cilësuar veprimin e Thaçit si të njëanshëm. Në një konferencë të mbrëmshme, Hashim Thaçi tha se nuk do të tërhiqej nga nisma, pasi s’mund të pretendohej që të merrej leje nga Beogradi për themelimin e ushtrisë së Kosovës

 

Shtetet e Bashkuara dhe NATO-ja janë shprehur të shqetësuara me paralajmërimet për ndryshimin e mandatit dhe misionit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, pa ndryshime kushtetuese. Në një deklaratë të ambasadës amerikane në Prishtinë, thuhet se “Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të shqetësuara për synimin e paralajmëruar të Kosovës për ndryshimin e mandatit të Forcës së Sigurisë së Kosovës pa amendamente kushtetuese: “Ne e mbështesim transformimin gradual dhe transparent të Forcës së Sigurisë së Kosovës në një forcë shumetnike në përputhje me standardet e NATO-s. Megjithatë, ky transformim duhet të bëhet në pajtim me Kushtetutën e Kosovës dhe përmes një procesi politik gjithëpërfshirës dhe përfaqësues që pasqyron demokracinë shumetnike të Kosovës. Ne jemi të gatshëm të angazhohemi në një proces këshillues me të gjithë hisedarët për ta arritur qëllimin tonë të përbashkët për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në mënyrë të tillë që e rritë sigurinë e Kosovës, i kontribuon stabilitetit rajonal, dhe që përkrahë Kosovën në rrugën e saj drejt integrimit Euro-Atlantik. Miratimi i ligjit të propozuar tani do të na detyronte që ta rivlerësojmë bashkëpunimin tonë dypalësh me forcat e sigurisë të Kosovës si dhe ndihmën tonë afatgjatë për këto forca”, thuhet në deklaratë.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, është shprehur i shqetësuar me planet e autoriteteve të Kosovës për ndryshimin e misionit te Forcës së Sigurisë. Sekretari Stoltenberg tha nëpërmjet një deklarate se ka biseduar në telefon me presidentin e Kosovës Hashim Thaçi dhe me kryeministrin, Isa Mustafa, “që t’iu përcjellë shqetësimet serioze të aleatëve të NATO-s për propozimin e fundit të autoriteteve të Kosovës për ta transformuar Forcën e Sigurisë së Kosovës në një Forcë të Armatosur, pa ndryshime Kushtetuese. E kam bërë të qartë se hapat e njëanshëm siç janë këta janë të padobishëm dhe u bëj thirrje autoriteteve të Kosovës që të jenë në kontakt të ngushtë me Beogradin”, thuhet në deklaratë. “Në vitet e fundit, NATO-ja ka mbështetur zhvillimin e Forcës së Sigurisë si një forcë profesionale dhe shumëkombëshe. Struktura, mandati dhe misioni i saj janë çështje të institucioneve të Kosovës në përputhje me Kushtetutën e tyre. Megjithkëtë, nëse mandati i FSK-së evoluon tani në mënyrën e propozuar, NATO-s do t’i duhet ta rivlerësojë nivelin e përkushtimit të saj, posaçërisht në fushën e ndërtimit të mundësive të saj. Këtë e kam bërë të qartë gjatë vizitës sime në Kosovë në muajin shkurt dhe e kam ripërsëritur në bisedat telefonike të zhvilluara sot. Jam në kontakt të vazhdueshëm me partnerët e mi në Bashkimin Evropian”, thuhet në deklaratën e sekretarit Stoltenberg.

Të martën presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i dorëzoi kryetarit të parlamentit projektligjin për ndryshimin e misionit dhe detyrave të Forcës së Sigurisë së Kosovës. Presidenti Thaçi tha në një intervistë me Zërin e Amerikës se “Forca e Sigurisë do të luajë rolin dhe detyrat si çdo ushtri e çdo vendi të pavarur dhe sovran. Do të jetë në shërbim të çdo qytetari të Kosovës, do të jetë forcë shumë etnike dhe do të ruaj tërësinë territoriale dhe sovranitetin e Republikës së Kosovës”.

Reagimi i presidentit Thaçi: “Ushtrinë do ta bëjmë, kjo është punë e kryer/Presidenti i vendit, Hashim Thaçi ka thënë se iniciativën për të shndërruar FSK-në në ushtri e konsideron të domosdoshme. Në një konferencë të mbajtur për media, Thaçi ka thënë se përkundër deklaratave të SHBA-ve, NATO-s  dhe Shteteve të Kuintit ky proces do të vazhdoj. Ai pret nga deputetët e Kuvendit ta votojnë projektligjin e ri për themelimin e Ushtrisë së Kosovës.

Ja edhe fjala e plotë e presidentit Thaçi:

Këtë iniciativë e konsideroj si të domosdoshme për avancimin dhe fuqizimin e rolit dhe detyrave të Forcës së Sigurisë së Kosovës. Ky ndryshim do të ndikojë në misionin dhe detyrat që do të marr FSK-ja, do të bëhet një ushtri moderne multietnike profesionale dhe e gatshme për t’i mbrojtur qytetarët e Kosovës. Në këtë periudhë i gjithë spektri politik duhet të jemi të bashkuar për të përmbyllur me sukses këtë mision, e gjitha kjo varet nga vullneti i institucioneve tona. Të gjithë aktorët politik të përfshirë duhet të jenë në nivel të detyrës për përmbylljen me sukses të këtij procesi. Kosova nuk po bënë asnjë hap të papritur, asnjë veprim të njëanshëm apo të pakoordinuar, asnjë veprim antiligjor apo antikushtetues nuk po bënë asgjë që mund të konsideroj rrezik për paqen në rajon. Realiteti dhe e vërteta në këtë proces është kjo. Shteti i pavarur i Kosovës thjesht po bënë një akt ligjor. Ne si institucione demokratike të shtetit të pavarur kemi vendosur që FSK-së t’i japim misionin dhe detyrat e një ushtrie moderne profesionale multietnike e cila do të jetë në gjendje për ta mbrojtur sovranitetin. Nuk mund ta kontestoj askush nga parterët tanë perëndimor. E ka kundërshtuar dhe vazhdon ta kundërshtoj Serbia duke thënë se themelimi i ushtrisë së Kosovës paraqet kërcënim për paqen dhe sigurinë në rajon. Serbia vazhdimisht po e thotë një gjë të tillë. Në të njëjtën kohë Serbia nacionaliste e mbush hapësirën ajrore me aeroplan të dhuruar nga Rusia kjo po që është në kundërshtim me vlerat euroatlantike. Aktualisht i vetmi kërcënim për paqen dhe stabilitetin në rajon është rritja e ndikimit të Rusisë, bazat ushtarake të Rusisë në Serbi. Këtij kërcënimi duhet shtuar edhe kërcënimet terroriste, Kosova vazhdon të mbetet kampion në luftën kundër ekstremizmit dhe terrorizmit. NATO të jetë e vetëdijshme për këto rreziqe konkrete dhe të mos shqetësohet për avancimin e rolit të Forcës së Sigurisë së Kosovës pasi ajo është trajtuar pikërisht nga NATO dhe shtetet anëtarë të NATO-s. Këtë e thash si një përgjigje ndaj sekretarit të NATO-s. Vërejtja kryesore ishte gjoja se NATO e konsideron iniciativën tonë si një veprim i njëanshëm. Kjo nuk qëndron në asnjë rrethanë. Deputetët e Listës Serbë kanë bërë të qartë se kurrë nuk do ta votojnë ushtrinë e Kosovës ky qëndrim është i udhëzuar dhe i urdhëruar nga Serbia. Kosova është e pavarur sovrane dhe vendimet i marrim vetë, Serbia është vetëm vend fqinj. Këto janë të papranueshme sepse fati i Kosovës dhe ushtrisë sonë nuk guxon dhe nuk do të lejoj që të mbetet peng i vullnetit të Serbisë në asnjë rrethanë. Për më tepër si president qysh dje kam zhvilluar një bisedë telefonike me kryeministrin e Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi. I kam komunikuar vendimin tim dhe i kam bërë të qartë se FSK nuk paraqet asnjë kërcënim as për Serbinë dhe as për ndonjë shtet tjetër kudo në botë. Kosova duhet të thellojë bashkëpunimin me NATO-n anëtarësimi në këtë organizatë është qëllimi kryesor i yni. SHBA-të në asnjë rrethanë nuk e vënë në pikëpyetje të drejtën tonë legjitime themelimin e ushtrisë së Kosovës mirëpo duan që ky proces të ndodhë nëpërmjet ndryshimeve kushtetuese. Asnjëherë nuk i kam ndalur përpjekjet për të bërë ushtrinë përmes ndryshimeve kushtetuese. Deputetët serb janë zotuar dhe kanë qenë të gatshëm të votojnë mirëpo në bazë të rrethanave ka qenë e pamundur që FSK të bëhet ushtri. Të gjithë ne si aktorë kemi dështuar që t’i bindim deputetët e listës serbe për të votuar themelimin e Ushtrisë së Kosovës. Deputetët e listës serbe i binden vetëm urdhrave që vijnë nga Serbia. Ka qenë e pamundur të presim për ta. Në rast se NATO dhe Shtetet e Kuintit kanë arritur t’i bindin deputetët serbë për të votuar për ndryshimet kushtetuese do ta procedonim sot. I kam kërkuar garanci NATO-s mirëpo askush deri më sot nuk ka mundur të garantoj një vot të deputetëve të listës serbe. Kam kërkuar miratimin e gjithë partnerëve tanë kjo nuk ka qenë një iniciativë e njëanshme. Pasi qeveria të japë vendimin e vet iu takon deputetëve që të marrin vendimin e merituar që FSK të transformohet në ushtri. Jam i bindur që deputetët nuk do ta lënë Kosovën pa ushtri.

 

1 Koment

  1. Arian

    15/03/2017 at 16:14

    Thaqi me këtë iniciativë pa u konsultuar me askënd ka qëllim që ushtria jo të formohet por të mos formohet.

Lini një përgjigje

Adresa juaj e emailit nuk do të bëhet publike. Fushat e detyrueshme janë shënjuar me *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>