Tre vështrime për Thethin

Theth5

 

Kur ngjitesh ne Qafen e Thores ndjehesh si mbi shpinën e një kali gjigand me jelet tek retë. Ne një krah vështrimi perthehet mbi luginën e Boges qe nis e kreshpëruar, zbret poshtë atje ku shtëpitë e fshatit e humbasin përmasën reale dhe nxiton duke e lënë anash Razmen, për t’u puthur me ujërat e liqenit përmatanë Koplikut…Ne krahun tjetër lugina e Thethit mbytur ne gjelbërimin qe ka nis tashme tu beje vend ngjyrave te vjeshtës. Vetëm pak t’i ngresh sytë drejt qiellit has kreshtat e gurta, si kala prehistorike qe i kane pritur me çdo çmim rrufetë tinzare te Zotave, te Motit e te Njerëzimit…Prej ujëvarave, prej Syrit te Kaltër, prej burimeve akull te borërave te tretura, qe u përvidhen pyjeve e shkëmbinjve, nis udhëtimin neper zallishtet e trazuara te Shalës, Breg Lumit e Shoshit përmatanë, një lum ngjyre kristali qe zbret e zbret për tu bashkuar me detin e kripur qe lag Shkodren…Fatlume ne histori kjo treve e Dukagjinit për pushke e mendje, për tradite e qëndrese, për kullat me mikun si ne shtëpi te vet….Aty Kanuni dhe Drejtësia, Kisha dhe Kulla e Ngujimit, shkolla dhe distanca me globalizmin rrinë pranë e pranë…Këto i ndjen kushdo qe kalon e bujte ne këto ane, por i di dhe gjithkush qe ka shfletuar sado pak faqe libri nga mbresat e refleksionet e te huajve e vendasve ….te atyre qe e kane pare Dukagjinin me syrin e poetit e shkrimtarit, historianit e artistit, klerikut e ushtarakut….madje dhe te atyre qe ia ngulen mbi trup ca lapidare për te shenjestruar skuadrat vrastare ne sytë e atyre qe nuk denjuan te përkuleshin, e kurrë kryet e vështrimin ta ulnin përdhe….

* * *

Ne vogli, neper Odat e fisit tim pa nda e kisha dëgjuar se diku te treqind vite me pare GJANA (Gjoni) është ngulur ku jemi sot. Vijmë prej Buze Ujit rrëfenin…prej aty ku ishte vendosur një rrem i shkëputur nga Shala a Shoshi dhe kishte zënë vend buze liqenit qe sot administrativisht e rrok Malsia e Madhe. Pas një qëndrimi te gjate aty, pak me larg prej dimnit e vorfnise, po jo larg prej pushkës e gjakut, pasi mbërthehen keq ne hasmëri, marrin udhe për larg. Konakun e pare e ngritën matanë Zepes, ne kufirin ndarës me kumbarët tanë te Fanit te Mirditës. Pastaj siç tregojnë muranat, qe janë ende dhe sot, vendosen ne Tejdrine, ne krahun e majte te rrjedhës se Drinit te Zi e kohe me prapa te Kroi i Humes ne rrjedhën e djathte te Bushtricës….për tu ngjitur ne fillim te viteve 900 ne Tbana, atje ku fisi Gjana sot po u afrohet 200 familjeve…po jo shtëpive, sepse si gjithandej jemi hapërdarë ne Belgjike e Paris, ne Londër e Nju Jork, ne Landet e Austrisë, Zvicrës e Gjermanisë…ne Tirane e neper Shqipëri po e po………ky vështrim i imi për Malësinë e Madhe dhe Shalën e Shoshin nuk me është ndare kurrë prej mendje….si brenga e ariut qe nuk e braktis kurrë lajthitjen deri te kthehet aty ku koka i ka ra për here te pare mbi sipërfaqe te dheut………….Sa e sa here u kam thane miqve te mi ne Malsi te Madhe te ma lëshonin një copë truall prej atij te te pareve te mi……po dhe pse i kam miq te mire, politika me njohu me ta, as ata nuk u ngehen e as unë u bana për mbare…..

* * *

Aty ne Qafe te Thores ndala te një mini kompleks ndërtesash me dru pishe. Te gjitha mbyllur. Mbyllur dhe rubineti i cezmes qe sillte aty ujin e një burimi atje lart ku ndahej kullota me shkëmbin. Një burrë thatim, Preka prej Boge,luajti prej stolit te drurit aty ne verande. Mbyllur –na tha, tatimoret e shtetit na e kane mesy me dryna e pranga njëherësh…Po nga një raki rrushi nuk ban pa e pi…te njoh prej kohe –me tha. E për bese as paret nuk i paguen….e piva ne heshtje…nuk po me shkonte ta shaja me rrënjë e dege këtë qen shtet, këtu maje malesh, ku zotat e zanat kane shtëpinë….Kërceva ne sediljen e Jeep–it qe ma dha një miku im dhe u lëshova teposhte neper udhën leqe leqe përmes pyllit pa mbarim…Ne një vend te ngushte, me dy gishta ndërmjet, u hasa me një Toyta ne ngjitje…I ulem xhamat e dyerve dhe u përshëndetem. Unë e kisha makinën plot…Ai tek vetëm. Ishte nga Insbruku i Austrisë…ishte i mahnitur ne virgjërinë e Alpeve te kësaj ane….E kam pare vendin tënd i thashë, jam gjendur atje për një Konference te FAO-s….ishte vërtetë bukur….similar, me tha dhe i dha gaz mjetit te tij…

I pata shkelur disa shtëpi ahere ne pyjet dhe malet e Insbrukut. Austriaket e maleve qe jetonin me pak blegtori e me nga tre kater dhoma për turistet ne dimër e vere ndjeheshin zot ne toke e qiell.

I patëm braktisur këto vise, tregonin. Po kur Europa u gjallërua pas luftës se Dyte, shteti investoi shume ne këto ane dhe pas viteve 60 ne u rikthyem. Shteti na mbështet, na subvencionon, kujdeset për udhe e ujë e drita e telekomunikacion….shteti na mundëson te mos e braktisim, te mos e shpopullojmë…..Mendova se deri aty ne maje do ja kenë behur skuadrat pushkatare te tatimoreve….Po kur zbrita ne Theth, pasi u vendosa ne Bujtinën e Gj.Harushes dhe dola për një kafe ekspres ne ndonjë lokal te vogël aty rrotull, drynat mbretëronin ngado….u pezmatova vërtetë… Pyeta dhe me thane se me te shumtët i kane mbyllur…tatime e polici bashke as donin te dinin për vështirësitë tona, për mundin tone, për 6 muaj dimër qe nuk na ndahet….nuk donin te dëgjonin se me thonj kemi rinisur te ngremë jetesën…..nuk dëgjonin nga ai vesh…..donin para për te mbushur buxhetin, sa për te qeshur e për te qare…..Po ani, me tha një prej thethasve, varfërinë ne Zall te Kirit aty e kemi, kjo qeveri na do kështu te varfër, te poshtëruar, te shpërngulur….na do jabanxhinj ne vendin tone…..Zoti i marroftë dhe i mallkoftë këta shtetarë harbuter ……Kur mbrëmja po afrohej dhe majat i përflaku perëndimi te dukej vetja si ne fundin e një kupe gjigande me buzët te lyera me flori….lart ne qiell vija te bardha e përflakje avionësh ne fluturim ma sillnin nder duar ngrohtësinë time te Tiranes, këtu ne gjirin e Alpeve ku gjallesat flenë me shpejt…..

Lini një përgjigje

Adresa juaj e emailit nuk do të bëhet publike. Fushat e detyrueshme janë shënjuar me *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>