Trekëndëshi ballkanik i Bermudës  

bruka

Një vit më parë kur presidenti Rexhep Taip Erdogan dha sinjalet e para për ndryshimin e kushtetutës dhe kthimin e Turqisë nga republikë parlamentare në presidenciale, fragmente të ushtrisë u përpoqën që nëpërmjet një grushti shteti të ndalonin përpjekjet për ta kthyer vendin në autokraci. Grushti dështoi dhe pas kësaj në emër të një “urdhërese” të dhënë nga Zoti, diktatori në ngritje Erdogan bashkë me bekimin që mori nga ajo pjesë e popullsisë që ishte kundër laicitetit shtetëror dhe Ataturkut, i dha ndëshkimin më të ashpër të mundshëm kryengritësve.

Për ti dhënë mesazh dhe Europës, përveç atyre lideri turk goditi dhe kundërshtarët e tij që këtë herë as nuk kishin të bënin me grushtin e shtetit. Qindra-mijëra arrestime gazetarësh, intelektualësh apo njerëzish të përfshirë në politikë, i dhanë Turqisë njollën më të zezë karshi Europës së lirë dhe demokratike. Një shtet i lindur nga perandoria që nënshtroi të gjithë Ballkanin për 500 vite me radhë, nuk duroi dot më shumë se një shekull dhe u rikthye në habitatin e vet. Përpjekja e dytë por jo e fundit, ndodhi në Serbi. Heqja dorë nga pozicioni i kryeministrit dhe kandidimi si president, një pozitë pa ndonjë pushtet, hedh hijet e dyshimit mbi të porsazgjedhurin Aleksandër Vuçiç.

Uzurpimi i mediave ashtu si në Turqi, nënshtrimi dhe korruptimi i opozitës nëpërmjet kërcënimeve apo privatizimeve i hapi rrugë kryeministrit serb që të sigurojë një shumicë absolute, të mjaftueshme për ti dhënë drejtim ndryshimeve kushtetuese. Fitorja në presidenciale dhe një opozitë me jo më shumë se 15% të votave kumtonte se Vuçiç kish mësuar nga “babai” i kombeve, siç ishte vetëquajtur Erdogan. Dhe në këtë rast Vuçiç nuk priti dot më shumë se 20 vjet për tu rikthyer në gjirin ideologjik të Millosheviçit. Skenari tashmë do zhvendoset më në jug, në një vend që historikisht është bazuar në parimet e lirisë, por rrallëherë i ka zbatuar ato: në Shqipëri.

Ka pothuajse një vit që nga nisja për miratim e reformës në drejtësi dhe zgjedhjeve të parakohshme në Dibër që vendi do futej në një situatë shumë të turbullt politike të cilës do i vendosej kapaku me 18 shkurt kur opozita do shpallte se nëse nuk do ketë garantim të zgjedhjeve të lira nëpërmjet një qeverie teknike, atëherë koalicioni opozitar kryesuar nga Partia Demokratike nuk do futej në zgjedhjet e 18 qershorit. Përpara se të nisim analizën rreth kësaj le të rikthehemi mbrapa në kohë, në fundvitin e 2006 kur kryeministri i sotshëm, lider opozite asokohe kërcënonte të njëjtën gjë.

Qeveria e djathtë u tërhoq, brenda një nate kreu ndryshimet kushtetuese dhe plotësoi tekat e opozitës për shtyrjen e datës së zgjedhjeve me një muaj. Edhe pse komuniteti ndërkombëtar nuk vërejti ndonjë shkelje nga ato që opozita atëherë pretendonte, ish kryeministri Berisha u tërhoq dhe plotësoi kushtet e tyre në mënyrë që vendi të mos shkonte në zgjedhje pa opozitë dhe demokracisë shqiptare ti vendosej njolla më e zezë në këto 3 dekada.

Në atë vit aq delikat për stabilitetin në Shqipëri dhe për shqiptarët në tërësi, lideri i opozitës kërkonte me ngulm ndryshimet kushtetuese, ndërsa sot është komplet ndryshe. Sipas tij kushtetuta e sanksionon dhe zgjedhjet do mbahen më 18 qershor. Ai refuzon, injoron dhe lëshon vrer ndaj çdo propozimi për ndryshime të tilla. Ai i konsideron zgjedhjet për popullin dhe jo për partinë edhe pse në 2007 ishte i pari dhe i vetmi kryetar partie në këto 27 vite pluralizëm politik që i dha përparësi kaq hapur interesave vetjake e partiake. Pse? Mos vallë kryeministri është idealist dhe prandaj i qëndron besnik zbatimit të ligjeve për të mirën imagjinare të Shqipërisë?

Jo! Padyshim që jo! Sot, nëpërmjet blerjes dhe presionit mbi mediat ai predikon vend e pa vend se çadra e opozitës na qenkash çadër e djallit. Ky është hapi i parë dhe mësimi i parë i kryeministrit nga turqit e serbët se si duhet ta kthesh vendin nga demokraci në autokraci. E për ta vërtetuar këtë mjafton të përmendet rasti i një gazetari sot e 15 vjet me bindje kundër tij që çuditërisht kish ndryshuar qëndrim. Por habia qëndron në faktin se vetë gazetari mbronte individin e jo partinë e kryeministrit.

Gjithçka do vulosej disa ditë më parë në takimin, nëse mund të quhet i tillë të kryeministrit me rininë. Funksionarët më të lartë të partisë i thurën lavde nga më të lartat deri aty sa e krahasuan liderin e tyre me heroin kombëtar, Gjergj Kastriotin. Kush e bënte një gjë të tillë? Enver Hoxha. Ai e blatonte vetveten si njeriun më të madh të kombit ndërsa të gjithë kundërshtitë ndaj tij ishin veç përpjekje e armiqve të Shqipërisë për ti dhënë fund kësaj parajse komuniste. E njëjta gjë dhe sot: kazanët mediatikë, qentë le të lehin karvani ecën përpara etj, etj.

Ajo që kuptohet në këtë mes është se po kultivohet dhe po rritet me shumë kujdes kulti i individit. Sipas të gjitha gjasave ai do shkojë i vetëm në zgjedhje dhe rrjedhimisht do fitojë një shumicë absolute në parlamentin e ardhshëm. I aftë tashmë për të kryer ndryshimet kushtetuese( mund të tingëllojë pak konspirativ), ai do shfrytëzojë shumicën parlamentare në zgjedhjet presidenciale të korrikut. Skenarët janë shumtë, por përfundimi është i njëjtë: përqendrimi i pushtetit në duart e një individi.

Një gazetar shqiptar nga Kosova do e quante Ballkanin të çmendur dhe ditë pas dite po vërtetohet diçka e tillë. Ajo që po shohim është së Ballkani po ndikohet negativisht nga jashtë, e nga kush tjetër përveç se Rusia. Kush lider botëror bëri të njëjtën gjë ashtu siç po bëjnë sot Erdogan, Vuçiç e Rama? Vladimir Putin e askush tjetër. Po përveç lojës që bëhet me ne, kjo në radhë të parë është dëshirë e jona për tu futur në aventura të reja e të rrezikshme. Të gjithë deklaratat e amerikanëve për mundësinë e ndërhyrjes ruse në Ballkan përpara se të merren me të qeshur siç bëhet zakonisht, duhen analizuar me kujdes pasi kur SHBA flet, diçka po zihet në këtë mes.

Pas tre dekadash demokraci mos vallë Shqipëria po rikthehet në habitatin e vet? Mos vallë Çubrilloviç dhe Garashanin kishin të drejtë kur thoshin se shqiptarët janë popull i lindur për robëri? A u rikthye Partia Socialiste në gjirin e partisë mëmë, asaj komuniste?

Por mua më pëlqen të mendoj ndryshe e të them me shprehjen për të gjithë mbështetësit e autokracisë: Dje dhe sot, sot e nesër jam Evropë, jam Evropë!

Lini një përgjigje

Adresa juaj e emailit nuk do të bëhet publike. Fushat e detyrueshme janë shënjuar me *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>