Turqit me origjinë shqiptare, histori miqësie apo çmim gjaku?

iliri

Pas deklaratës së ministrit të jashtëm turk se “Në Turqi jetojnë miliona shtetas që janë me origjinë shqiptare”

 

Ministri i Jashtëm i Turqisë Çavushoglu, në një deklaratë të djeshme, gjatë së marrjes së çmimit “honoris causa” në Tiranë, në emfazën e ceremonisë deklaroi se “Në Turqi jetojnë miliona shtetas që janë me origjinë shqiptare. Një Shqipëri stabile do të thotë një Turqi e fortë. Shqipërinë ne e mbështesim dhe japim ndihmën tonë për Shqipërinë mike, që është anëtare e NATO-s. Ne në Shqipëri e ndjejmë veten tonë si në shtëpinë tonë”, theksoi kryediplomati i Turqisë. Deklaratës së aleancës mes Shqipërisë dhe Turqisë i bëri jehonë edhe presidenti i Shqipërisë Ilir Meta, i cili u ndal tek ndihma e gjithanshme turke, qysh në vitet ’90, veçanërisht në arsimimin e mijëra studentëve si dhe në rolin shumë domethënës që Turqia ka luajtur për afirmimin e pavarësisë së Kosovës dhe për njohjen e saj ndërkombëtare”.

Deklarimi i ministrit të jashtëm turk është tregues i një qasje të ndryshme që shteti turk mban ndaj minoritetit shumëmilionësh shqiptar, por kjo qasje e ndryshme prej shumë vitesh ka ngecur në nivelin deklarativ dhe s’po regjistron asnjë zhvillim të ri. Kujtesat plot politesë të disa politikanëve shqiptarë, gazetarëve, analistëve apo disa shoqatave patriotike se ka ardhur koha që komuniteti shqiptar në Turqi të ketë një status të vetin dhe të gëzojë të drejta arsimore, gjuhësore e kulturore nën një suazë shtetërore, s’kanë marrë asnjë përgjigje. Asnjë shoqatë e komunitetit shqiptar nuk ka dukje në jetën publike në shtetin turk, asnjë e drejtë linguistike, a qoftë edhe kulturore, nuk po jepet nga administrata e shtetit turk. Në këtë këndvështrim, deklarimi i ministrit të jashtëm turk Çavushoglu se në Turqi jetojnë miliona shtetas me origjinë shqiptare është i pamjaftueshëm për të justifikuar aleancën e fortë shqiptaro-turke që u thirr në vëmendje gjatë ceremonisë së djeshme të dekorimit.

Shpresa e hershme për të nisur disi arsimimin plotësues në shqip të shqiptarëve në Turqi, për të ndalur asimilimin e plotë apo qoftë edhe për ta nxjerrë një pjesë të këtij komuniteti nga gjendja e asimilimit, ka nevojë për prova të forta, në mënyrë që të mos mbetet veç shpresë e që me kalimin e kohës të shndërrohet edhe në një kërkesë të panevojshme. Klasifikimi i shqipes si gjuha e huaj ballkanike më e kërkuar ndër nxënësit e shkollave të mesme turke që u ftuan vjet  të zgjidhnin një gjuhë në të cilin të fitonin dijet bazë, flet për urinë që ekziston në substratin e shqiptaro-turqve modernë për daljen nga ky prag asimilimi. Biseda për gjene shqiptare apo për vëllazëri janë fjalë pa bukë, sa kohë nuk do regjistrohet zhvillim në nxjerrjen e komunitetit shqiptar në Turqi nga hija dhe gjysëmilegaliteti. Ngritja e qendrave të kulturës shqipe dhe e klasave plotësuese atje ku plotësohen kërkesat e nevojshme, duhet të jetë zhvillimi që do të sheshojë disi pezmin që ekziston kudo në botën intelektuale në Tiranë, Prishtinë, Shkup e Tetovë, për marrëveshjet e shekullit të shkuar mbi shkëmbimin e popullsisë, të cilat rritën numrin e komunitetit shqiptar në Turqinë e re, por u shoqëruan me detyrimin e tyre të panegociueshëm për t’u asimiluar në shoqërinë turke.

Dalja nga “status-quo”-ja e deklaratës se në Turqi ka miliona shtetas me origjinë shqiptare do të ishte fara e një marrëdhënieje të re partneriteti të ngushtë mes Shqipërisë që aspiron për t’u anëtarësuar në BE dhe Turqisë kemaliste që ushqen të njëjtën aspiratë. Ka ardhur koha që edhe autoritetet shtetërore në Tiranë, Prishtinë e Shkup të kërkojnë prishjen e “status-quo”-së, përndryshe bisedat për turq me prejardhje shqiptare nuk do rrëfejnë më historinë e miqësisë, por historinë e një çmimi gjaku që paguam edhe pas pavarësisë, ndaj pasardhësve të Perandorisë Osmane.

 

Lini një përgjigje

Adresa juaj e emailit nuk do të bëhet publike. Fushat e detyrueshme janë shënjuar me *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>