UET, bursa për 100 nga 1000 më të mirët e Maturës

UET 1

Lançohet projekti i thithjes së ekselencës duke ofruar bursa të plota për nxënësit me mesatare mbi 10. Regjistrohen 15 të parët, nga Shkodra, Fieri, Elbasani, Durrësi, Rrësheni etj. 

 

Nxënësit e 10-ve ose siç njihen ndryshe ekselentët e Maturës shtetërore kanë ishullin e tyre, Universitetin Europian të Tiranës. Ky universitet në 10-vjetorin e tij ka lançuar projektin për të thithur studentët më të mirë, duke ofruar 100 bursa studimi për 1000 më të mirët e Maturës shtetërore. Megjithëse bursat për ekselentët kanë qenë një politikë e këtij universiteti që nga themelimi i tij, këtë vit projekti synon të jetë më ambicioz me shifrën dhe të sfidojë edhe në një plan social, duke ofruar bursa dhe mbështetje financiare për jetesën në Tiranë për studentët e varfër, por ekselentë. Promovimi i këtij projekti tregon se dhe universitetet e rieja janë kthyer në zgjedhje të parë për maturantët, dhe ajo që është më sfiduesja për maturantët me mesatare mbi 10. Presidenti i UET, Prof. Dr. Adrian Civici thotë se vetëm studentët ekselentë do të jenë shtysa dhe arsyeja që një universitet të bëhet më i miri, të bëhet ekselent. Ndërsa për administratorin dhe një prej themeluesve të UET, Henri Çili, ky është një projekt që shkon për shtat me politikat e këtij universiteti në kërkim të standardeve, në kërkim të më së mirës.
“Është e arsyeshme që çdo mjedis konkurrues do të tentojë nga më e mira. Sistemet konkurruese do të tentojnë nga ekselenca. Ne e kemi provuar këtë në universitetin tonë, çdo vit kemi më shumë studentë më të mirë në hyrje dhe që përpiqen t’i ruajnë këto rezultate dhe t’i përmirësojnë edhe në dalje. Çdo ditë e më shumë, UET po bëhet një zgjedhje e parë e studentëve. Shpresojmë që me reformën në arsim, kur konkurrenca të jetë më e plotë dhe më e barabartë, të anohet vërtet tek më të mirët”, – tha Çili gjatë fjalës së tij në ceremoninë e dhënies së bursave 20 të parëve që kanë ardhur nga lista e më të mirëve të Maturës shtetërore.
Civici, i cili jep edhe mësim në Fakultetin e Ekonomikut, e sheh ardhjen e studentëve shumë të mirë si një përmirësim të gjithçkaje në universitet. Ai thotë se “synimin tonë nuk e fshehim, duam të jemi një universitet i mirë dhe pse jo më i miri dhe për këtë përdorim çdo mjet e çdo strategji për t’ia arritur”. Duke perifrazuar një deklaratë të dhënë nga Presidenti i Harvardit, Civici thotë se universiteti nuk është i mirë se ka shumë para apo se ka pedagogët më të mirë, por se ka studentët më të mirë. “Nëse në një universitet vijnë studentët më të mirë, nuk ka stimul më të mirë që vetë universiteti të jetë në nivelin më të mirë”, – u shpreh dje ai.
Sipas tij, ndryshe nga mentaliteti që mund të jetë krijuar në fillimet e universiteteve private, se tek këto universitete shkojnë vetëm studentët që nuk fitojnë dot një degë në shtet, UET prej shumë vitesh po përballet me një kontingjent të madh studentësh që kanë zgjedhje të parë këtë universitet. “Tendenca në rritje e notës mesatare që hyjnë në Bachelor dhe Master i përgjigjet ambicies sonë për të qenë një universitet me standarde”, – tha ai, duke shtuar se dhënia e bursave për më të mirët “nuk është vetëm një përgjegjësi sociale apo një favor që ne iu bëjmë studentëve të ekselencës, por një përgjegjësi për të rinjtë”.
UET, strategji të re lidhur me bursat
Në 10 vitet e funksionimit të tij, UET ka mbështetur me bursa studimi 4 kategori të ndryshme të shoqërisë, duke u dhënë mundësi më shumë studentëve që kanë prirje për lidership, talenteve, ekselencës dhe bursat për arsye sociale. Duke mos hequr dorë nga kjo traditë, tashmë projekti i ri i UET do të synojnë një bursë të re, që është për studentët e varfër, por ekselentë.
“Ne nuk do ta humbasim traditën e bursave sociale, të talenteve në të gjitha fushat, ne nuk do ta humbasim traditën e lidershipit, studentët që angazhohen në organizmat joqeveritarë ose forumet e partive politike, por theksi ynë do të jenë studentët ekselentë. Rreth 75 për qind e energjive tona do të orientohen drejt ekselencës në një projekt që ne e kemi shpallur si projekt më parë “Ekselenca 2020”, ekselenca studentore është parësore për ne në 5 vitet e ardhshme. Ambicie tjetër që ka UET, ne duam të bashkojmë promovimin social dhe ekselencën dhe jemi duke radhitur një numër të kufizuar, sepse këtu nuk kemi më tepër mundësi, 11 bursa sociale për individët ekselentë. Do të jenë të zeruar nga tarifa e studentëve, por dhe të mbështetur me një tarifë që u heq atyre shpenzimet e jetesës në Tiranë dhe besojmë se promovimi social dhe ekselenca mund të bashkohen”, – tha administratori Henri Çili.