UET u beson brandimin studentëve të Dizajnit

UET

Tre studentë të degës Komunikim-Design në Universitetin Europian të Tiranës do të marrin përsipër të bëjnë logo, suvenire dhe video për promovimin e universitetit të tyre. Olgert Rakipllari, Jetmir Duraku dhe Etleva Hamedani janë shpallur dje fitues të konkursit “Unë jam UET”, një projekt i cili angazhoi për një vit rresht rreth 20 studentë të kësaj dege për t’u marrë me dizenjimin dhe brandimin e universitetit të tyre. Një projekt që nisi vjet nën mbikëqyrjen e shefes së Departamentit, Dr. Belina Budini, dhe të gazetares Rudina Xhunga, si dhe nën udhëheqjen artistike dhe asistencën e profesorit dhe artistit, Shpend Bengu, dha më në fund frytet e pritshme. Të gjithë studentët kishin sjellë idetë e tyre se si e shihnin ata universitetin, si mund ta shfaqnin për publikun. Punimet u cilësuan shumë dinjitoze nga juria. Me punimet e tyre së shpejti do të hapet një ekspozitë, ndërsa tre fituesit u zgjodhën nga profile të ndryshme, Hamedani për dizenjimin e suvenireve, Rakipllari për dizenjimin e logove, dhe Duraku për realizimin e video-turit të prezantimit të universitetit.Ky vit përkon edhe me 10-vjetorin e themelimit të UET. Administratori Henri Çili, duke folur përballë studentëve theksoi se “Universiteti ka agjencinë e tij të Marketingut dhe zyrën e Marrëdhënieve me Publikun, megjithatë donim diçka që vjen nga vetë studentët. Kemi synuar në tre elementë: realizimin e 11 objekteve, një video virtuale dhe realizimin e një ekspozite me punimet e studentëve. Ne do krijojmë një traditë në UET duke iu kërkuar studentëve të dizajnit që çdo fillim shtatori të prezantojnë punimet e tyre në një ekspozitë. Pak nga pak do të shkojmë drejt një fakulteti arti, ashtu siç kemi edhe planin e krijimit të një akademie sportive. Jemi shumë të lumtur që studentët tanë bëjnë një punë të tillë praktike duke u nisur nga vetja”.
Ndërsa udhëheqësi i punës së studentëve, profesor Shpend Bengu u shpreh shumë i entuziazmuar nga niveli i punimeve dhe gjithashtu nga rezultatet e tyre në studime. “Deri vonë ka vazhduar puna për videon virtuale të UET, e cila 95% është e realizuar nga studentët. Është punuar gjatë gjithë kohës me storyboard-et. Do të ishte mirë që së bashku me ata që janë angazhuar të diskutojmë mbi vazhdimësinë e kësaj pune, sepse ka disa rregulla dhe parime që duhen ndjekur mbi brandimin e logos”. Profesor Bengu iu referua modeleve më të suksesshme perëndimore dhe në mënyrë të veçantë University of Communication London, që është edhe lider botëror në fushën e dizajnit. Gjithashtu, ai sugjeroi krijimin e një katalogu virtual për të ekspozuar grafikat e studentëve dhe më pas, kur të gjykohet e arsyeshme, të kalohet në botimin e tyre.
E pranishme në takim, gazetarja Rudina Xhunga u foli studentëve në lidhje me rëndësinë e veçantë që po merr media sociale. “Jam shumë e kënaqur që jam mes jush. Sot media përfaqësohet nga rrjetet sociale dhe si njeri i medias ju sugjeroj të jeni aktiv brenda saj, me qëllim që të keni mundësinë për t’u bërë publikë dhe më pas të ndihmoni njëri-tjetrin. Gjërat duhen treguar, po nuk u treguan, nuk ekzistojnë. Duhet t’i ndash me të tjerët, që t’u japësh vlerën e merituar”, – u shpreh Xhunga.
Dr. Belina Budini vlerësoi punën e studentëve të saj duke u bërë thirrje që të ishin sa më shumë prezentë në media, të ndanin idetë dhe punët e tyre, duke e kthyer talentin dhe përvojën që po marrin nga UET në një portofol arritjesh që do t’u hapë dyert e karrierës në të ardhmen.
Në fund të takimit, administratori Çili shpalli edhe projektin më të fundit që UET pritet te realizoje me Bashkinë e Tiranës. Studentët e Komunikim-Dizajnit do të kenë mundësinë të brandojnë një aspekt të qytetit, siç janë parqet e Tiranës, zona e Pazarit të Ri dhe alpet e Tiranës, për të cilat shumë pak qytetarë kanë njohuri dhe akoma më pak persona kanë shijuar peizazhin e mrekullueshëm që ofrohet në këto zona. Punimi më i mirë fiton një çmim dhe natyrisht që do të kthehet në logon e Bashkisë për atë zonë të qytetit. Ky bashkëpunim do të vazhdojë çdo vit me institucione të ndryshme. Gjithashtu, UET do të vërë edhe një buxhet special në dispozicion të punëve më të mira.

Olgert Rakipllari: “Çmimi, një motivim për të arritur ëndrrat”
Olgert Rakipllari është student në vitin e tretë, dega Komunikim-Dizajn në UET. Ai cilësohet nga pedagogët e tij si një talent i pikturës dhe dizajnit, drejtori ekzekutiv i qendrës kulturore ASA, fituesi i shumë konkurseve të dizajnit dhe fotografisë, e së fundmi edhe fitues i konkursit “Unë jam UET”, për logon më të mirë në 10-vjetorin e universitetit. Olgert Rakipllari nuk e ka fshehur entuziazmin e tij për këtë arritje.
Sipas tij, kjo është një nga frytet e përkushtimit pas artit dhe studimeve në Universitetin Europian: “Ky çmim për mua nuk është vetëm një vlerësim i madh që UET më bën, por një motivim më shumë për të realizuar idetë dhe ëndrrat e mia për të ardhmen pasuniversitare. Ndjehem i lumtur që në 10-vjetorin e universitetit po jap kontributin tim, për koincidencë ky 10-vjetor përkon edhe me 10-vjetorin e përkushtimit tim ndaj artit figurativ dhe së fundmi dizajnit. Është kjo arsyeja pse ky çmim, për mua, ka shumë vlerë dhe për këtë u jam mirënjohës të gjithë pedagogëve që më kanë udhëhequr gjatë këtij rrugëtimi artistik”.

Etleva Hamedani: “Jam e lumtur që do kem firmën time në suveniret e UET”
Etleva Hamedani është një nga studentet më të angazhuara në konkurset dhe aktivitetet që kanë lidhje me dizajnin. Ajo fitoi një vit më parë dhe konkursin për dizenjimin e produkteve artizanale, ndërsa tani e gjen veten në mes të fituesve që do të merren me brandimin e UET. Etleva është vlerësuar për idetë e saj unike për suveniret, siç janë libra në argjilë, apo kulla e sahatit, që është dhe simboli i UET. “Projekti ka të përfshirë përfaqësimin e asaj çfarë UET ka evoluar gjate këtyre 10viteve. Unë jam marrë kryesisht me një larmishmëri produktesh, si suvenire, aksesorë me imazhin e UET  Unë e shkoj si një ndërthurje mes artistikes dhe akademikes, kjo është dhe e veçanta e këtij projekti. E gjej veten shumë mirë në këtë projekt, sepse ka këtë hapësirë lirshmërie për t’u përfaqësuar në mënyrën më të mirë”, thotë ajo.