Vasili: Dashuria e ‘Rilindjes’ për drejtësinë, maskaradë

Teksa mazhoranca i ka akuzuar PD-LSI, si forca politike që nuk duan reformën në drejtësi, kreu i grupit parlamentar të LSI, Petrit Vasili e cilësoi një maskaradë të PS-së propagandën për dashurinë për reformën në drejtësi

 

Teksa mazhoranca i ka akuzuar PD-LSI si dy forca politike që nuk duan reformën në drejtësi, kreu i grupit parlamentar të LSI, Petrit Vasili e cilësoi një maskaradë të PS-së propagandën për dashurinë për reformën në drejtësi. Kryetari i Grupit të LSI, Petrit Vasili deklaroi se e vetmja forcë politike që nuk e do drejtësinë është Rilindja e Edi Ramës. Në një reagim për media, Vasili  u shpreh se LSI-ja ka depozituar sërish padinë e ngritur ndaj Ramës për thirrjen që ai i bëri Policisë së Shtetit gjatë fushatës elektorale që të mblidhte vota për PS-në. Lidhur me integrimin europian, Vasili tha se vetmja forcë politike ndër vite edhe sot që ka vënë çdo gjë dhe nuk ka parë asnjë interes të saj për integrimin europian është LSI. “Jemi në këtë komunikim së bashku lidhur me momentin e rifillimit të sesionit parlamentar në datën 15, ku Lëvizja Socialiste për Integrim konfirmon pjesëmarrjen e saj në këtë seancë hapje dhe njëkohësisht jemi këtu së bashku për të ndarë me publikun dhe disa qëndrime dhe pozicionime politike shumë të qartë politike të LSI-së lidhur dhe me procesin politik në Kuvend por njëkohësisht dhe me Reformën në Drejtësi. Pikësëpari kemi dëgjuar prej një kohe të gjatë dhe në mënyrë të vazhdueshme një maskaradë të vazhdueshme të Partisë Socialiste dhe të folëse apo suflerëve të saj lart e poshtë lidhur me dëshirën e tyre për Reformën në Drejtësi. Jam këtu për të konfirmuar njëherë e përgjithmonë që e vetmja forcë politike që nuk e do Reformën në Drejtësi, por kërkon vetëm një Drejtësi të kapur është Rilindja e Kryeministrit Edi Rama. Lëvizja Socialiste për Integrim ka qenë ajo që me votën e saj ka bërë të mundur që në Shqipëri të ketë një Reformë në Drejtësi, ka qenë ajo që ka zhbllokuar ngërçin në momentet me delikate të Reformës në Drejtësi, ka qenë ajo që ka promovuar, ka mbështetur dhe ka realizuar konsensuse të gjera, siç ka qenë ai konsensus, i cili miratoi një Reformë në Drejtësi me 140 vota, një konsensus jo vetëm historik, i domosdoshëm, me një rëndësi  politike të jashtëzakonshme për vendin, por që njëkohësisht i hapi rrugën kësaj reforme në Shqipëri. Gjithashtu jam këtu që ti rikujtoj të tërë mendje-humburve të Partisë Socialiste që edhe ligji i Vetting-ut, një ligj i cili përbënte dhe zemrën e këtij procesi, ashtu sikurse është në të vërtetë, por ashtu sikurse është trumbetuar gjatë nga zëdhënësit dhe suflerët e Partisë Socialiste, është miratuar pra vetëm e vetëm me votat e Lëvizjes Socialiste për Integrim.  Po edhe kështu Ligji i Prokurorisë ku përmbahen dhe instrumentet e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, i cili është edhe një instrument bazik për ndërtimin e këtyre institucioneve, edhe ai mban vulën e votave të LSI-së, pa të cilat këto ligje nuk do të ishin sot në diskutim, pa të cilat nuk do të flisnim dot për Reformë në Drejtësi, dhe pa të cilat do të kishim një ngecje në vend të gjitha proceseve politike në vend dhe në mënyrë të veçantë të procesit të integrimit evropian”, tha Vasili. Lidhur me integrimin evropian, Vasili thekoi gjithashtu se forca politike ku ai bën pjesë është e vetmja forcë që e dëshiron realisht integrimin evropian. “E tillë ka qenë koherente LSI, edhe kur Partia Socialiste duke vënë vetëm interesat e saj kundër interesave të vendit dhe duke penguar në mënyrë të pacipë integrimin europian thjesht dhe vetëm për një Prefekt në Fier bllokoi integrimin europian dhe tre ligjet që i kujtoni atëherë, dhe qe vetëm e vetëm kushti i pakapërcyeshëm i Lëvizjes Socialiste për Integrim në atë kohë për vazhdimin e mëtejshëm dhe të koalicionit politik që po ndërtohej me Partinë Socialiste që zhbllokoi situatën në atë moment shumë delikat. Dhe në të gjitha rastet e tjera LSI ka qenë promovuese e konsensusit, promovuese njëkohësisht edhe e zgjidhjeve që i hapin rrugë integrimit europian. Penguesit e mëdhenj kanë qenë pikërisht ata që sot janë Rilindja që ndodhet në pushtet, e cila nuk ka kursyer asnjë lloj fjale, balte meqë kanë qejf ta përdorin, kundra Shqipërisë, duke filluar nga bllokimi i tre ligjeve siç e mbani mend, deri te historitë e famshme me Griseldën e Kavajës vite më parë, e të tjera fëlliqësira që nuk janë kursyer t’ ja hedhin Shqipërisë këta që sot flasin dhe kanë merak se përse po pengohet integrimi europian. Integrimin europian e pengon kapja e drejtësisë, votimi në mënyrë të dhunshme dhe antikushtetuese e Prokurorit të Përgjithshëm me 69 vota, marrja e tërë atyre vendimeve të mëdha që po merren në Prokurorinë e Përgjithshme në kundërshtim të plotë me Kushtetutën dhe me Reformën në Drejtësi që kemi miratuar të gjithë së bashku, atë Reformë që Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian bekuan, i dhanë mbështetje të jashtëzakonshme politike dhe të cilën e konsideruan si Reformë të tyre dhe të përgatitur prej tyre. Pra thënë e gjithë kjo, e vetmja forcë politike që ka pasur vullnetin për të qenë mbi çdo lloj interesi të sajin, duke mos pasur parasysh asnjë emër, pasi asnjë emër në drejtësinë shqiptare nuk është propozuar apo është kandidat i LSI-së, por që ka pasur merak vetëm miratimin e kësaj Reforme ka qenë dhe mbetet LSI”.

Rama nuk do BE-në por lindjen/ Kreu i grupit parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili, ka ironizuar fjalimin e kryeministrit Rama mbajtur në Bruksel, ku ‘kërcënonte’ europianët se Shqipëria po nuk hyri në BE ka alternativa të tjera. Me anë të një postimi në Facebook, Vasili shkruan se Rama nuk e dëshiron BE-në, por sheh lindjen dhe vende të tjera diktatoriale si mundësi për tu bërë pjesë.Kryeministri i antintegrimit europian sheh nga lindja etj… Këta te hipokritet e rilindjes qe u “shqyen” për integrimi, ja nga sheh kryeministri i tyre. Le ta lexojnë e ka thënë vete ky kryeministri antiintegrim. E ka thënë kryeministri mu ne mes te Brukselit për t’ia bere karshillëkun tamam BE mu te dera e shtëpisë ne dhjetor 2017. Ai nuk sheh nga Brukseli po nga Lindja”.

 

Lini një përgjigje

Adresa juaj e emailit nuk do të bëhet publike. Fushat e detyrueshme janë shënjuar me *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>