Vëllimi i arrirë me poezi “Vjershë e Ndaluar” e Naim BERISHES

naim-berisha

Naim Berisha rrjedh nga një familje dibrane me tradita të shquara patriotike. Ka kryer Universitetin e Tiranës në Fakultetin e Historisë e të Filologjisë për gjuhë e letërsi. Ka punuar si mësues i gjuhës dhe i letërsisë, mësues muzike, drejtues kulture në terren dhe në ushtri, si në Peshkopi, në Burrel dhe, më në fund, në Tiranë si gazetar dhe drejtues shkolle. Në vitin 1998 emigron në Londër ku jeton edhe sot bashke me familjen. Aty ka kryer disa kualifikime pasuniversitare, për media, muzikë, kritikë letrare, letërsi angleze, etj. Naimi ka një krijimtari të pasur në fushën e letërsisë artistike, te muzikes si dhe te perkthimit artistik. Ka lëvruar shumë gjini. Ka botuar me shume se dhjete vellime me poezi per te rritur, disa vellime me vjersha per femije dhe adoleshente, ka botuar gjer me tani 6 romane, disa vëllime me tregime, poema, disa libra me fabula, tri permbledhje me hajke, nje vellim me 100 sonete, nje liber me tekste kengesh si dhe ka perkthyer nga anglishtja ne shqip te gjitha sonetet e Shekspirit ne librin me titull:“154 sonetet e Shekspirit”.Naimi eshte bere i njohur edhe si kantautor me dy albumet me nga dhjete kenge secili: “Per ju kendoj” dhe “Te pata thene”,kenge te cilat vete i ka kompozuar si dhe vete i kendon. Me shume se 20 kenget e tij mund t’i ndiqni si ne “youtube” ashtu dhe ne disa televizione muzikore te Tiranes.Repertori i tyre eshte i larmishem si ne kenget popullore qytetare ashtu dhe ne ato te muzikes se lehte. Naimi sot numeron 37 vepra letraro-artistike, vepra te cilat, kohe pas kohe, jane vleresuar nga personalitete te afirmuara te letersise dhe muzikes shqiptare.

Ne kete shkrim une do mundohem te analizoj vetem librin e tij poetik “Vjershë e ndaluar”, botim i shtepise botuese “Toena”, Tirane, 2011.

  1. Struktura, koha e krijimit

Libri poetik “Vjershë e ndaluar” u përurua me 05 tetor 2011 ne Tirane, në sallën e Akademisë së Shkencave. Vëllimi ka 140 faqe, përmban 107 poezi ( një është poemë), i ndarë në 5 kapituj: “Pikëllimë”, “Gjuha ka zemrën dhe sytë e poetit”, “Ngryset lumturia”, “Melhem për plagë”, “Delli dhe padielli”.

Koha e krijimit të këtyre vjershave është nga viti 1976 e deri më sot. Por shumica dërrmuese e poezive, 60, janë pas vitit 2000 dhe vetëm 14 poezi janë para vitit 1990. Kjo shtrije në kohë ka pasuruar tematikën, përmbajtjen dhe mesazhet që percillen.

  1. Gjeografia e krijimit-pasuri tematike

Për mua ishte kuriozitet, por shpresoj se kështu do të jetë edhe për ju në sallë, po t’ju them se Naimi frymëzimin poetik dhe shkrimin e vjershave e ka bërë në 14 vendbanime të Shqipërisë, ku vendin qendror e zë Peshkopia me 8 poezi e pastaj Tirana , Burreli e Fushë- Muhurri. Poezi janë shkruar në Korçë, Pogradec, Durrës, Shkodër, Sarandë, Kavajë, etj.

Por më interesant është fakti se poezitë më të shumta janë shkruar në shtete e qytete, që ndodhen në të katër anët e botës. Dhe nuk janë pak, por rreth 60 poezi. Ama, shumica, rreth një e treta e tyre, janë shkruar në Londër, ku jeton e punon, pa përfshirë ato të Glasgout, Birmingamit, Oksfordit, Kembrixhit, Liverpulit e tjere.

Vargu i “vendlindjes” së krijimeve vazhdon i gjatë, në disa shtete, si Çeki, Rusi, Tajlandë, Itali, Greqi, Kosovë, Maqedoni, Turqi, Portugali. Spanjë, Japoni e tjere. Po përmendim dhe disa kryeqytete e qytete të botës ku Naimi ka shkruar poezitë e tij të këtij vëllimi: Dublin, Pragë, Moskë, Stokholm, Petersburg, Stamboll, Hong Kong, Bruksel, Lisbonë, Barcelonë, Pekin, Tokio e të tjerë. Dhe këto janë tërësisht të sakta, sepse autori ka shkruar me dorën e tij në fund të çdo poezie vendin dhe datën e krijimit.

Nuk është se krijimet u janë kushtuar shteteve e qyteteve ku janë shkruar, sepse ato, në pjesën dërmuese, janë frymëzime të çastit të autorit, shumica për mëmëdheun, por që tregojnë se poezia nuk thuret duke u ulur në karrige e duke shkruar për ditë e javë me radhë, siç mund të shkruhet një roman. Ajo kërkon momentin, kërkon frymëzimin dhe ai vjen në çaste të caktuara. Është vështirë të gjesh një poet, jo vetëm këtu, por dhe në botë, që 107 poezi të jenë shkruar në 55 vende të ndryshme të globit!

  1. Atdheu, vendlindja dhe familja në poezitë e vëllimit

Nuk është e rastit që autori u kushton disa nga poezitë më të ndjera Atdheut, vendlindjes dhe familjes. Që në gen familja e Naim Berishës është mbrujtur me atdhetari e trimëri. Dhe, me sa duket, edhe autori e ka shumë të spikatur këtë gen. Poeti i mirënjohur Fatos Arapi ka thënë: “Poezia e Naimit është e veçantë. Ajo mbart historinë dhe filozofinë e Dibrës, vendlindjes së tij, ka identitet dhe mua më ka pëlqyer”. Këto poezi lidhen pazgjidhshmërisht edhe me emigracionin, ku autori ka provuar vështirësitë e ndarjes nga mëmëdheu e familja e gjerë, mallin e brengën, por dhe punën e ndershme e suksesin. Janë të shumta poezitë me këtë temë. Do të përmendim disa prej tyre. Te vjersha “Mëmëdheu” autori nënvizon: “Më i ëmbël se buka që shtron në tryezë/ Më i bukur se lulja që çel me plot gaz.

Unë, jam yt bir, gjersa të vdes/ Edhe pas vdekjes, ty të përkas.

Të arrira janë poezitë “Vajzat e Radomirës”, që me qumështin që i vjelin hënës, mëkojnë çdo rreze dielli, “Zilet e tufës”, ku autori ka mall për mal e det, për sofatet, për gjyshen që e pret në shtrojet e lëkurta, për shiltet e minderet dibrane, për të qeshurat në sokak, etj. Te vjersha “Vajzëria” gjejmë vargjet “Skuqin faqet e vajzave, si dikur mollët e Peshkopisë”. Të kësaj teme janë poezitë “Skënderbeu është dibran”, “Pikëllimë”, “Gjuha e Naimit”, “Si gjithë shqiptarët”, etj: Mjaft të ndjera janë poezitë që lidhen me familjen dhe vetë autorin. Përmendim disa prej tyre. E nisëm me vjershën “Pusullë”. Janë 11 vargje të skalitur, kuptimplote, prekëse. Lexojini :“Nga larg / Fisit tim/ Po i nis një pusullë / Shkronjëzon / Shpirt im / Nis mallin për udhë / Loti / Përshkon letren / Si një curril drite / Po ju dërgoj zemrën / Njerëz të tokës sime.”

Të tilla janë dhe vjershat “Për prindërit dhe për vete” ,“Ne ishim çetë”, “Ngryset lumturia” ( kushtuar të ëmës në përvjetorin e ndarjes nga jeta), “Ç’borxh ju pati ati im” , “Fisi Berisha”, “Të premtet e mia terse”, ku rikujton dhe vdekjen e babait dhe , si emigrant, nuk mori dot pjesë as në mort. Në dy vargjet e fundit, thuhet: “Para se të vdes/ Eshtrat do t’ mi brejë pengu në gji.

Me emigracionin lidhen veçanërisht poezitë: “Për ngushëllim” (te një anglez), “Në Mbretërinë e Bashkuar”, “Dekor”, “Vera më zë”, Njerëzore” etj.

  1. Aktualiteti i parë përmes syrit të autorit

Ngjarjet e kohës që ka jetuar dhe jeton, që lidhen kryesisht me mëmëdheun, nuk kanë mbetur pa lënë gjurmë në krijimtarinë e Naimit. Përmendim këtu poemën “Kali i të këqijave”, të vetmen poemë të vëllimit. Autori e thekson që në dedikim: “Kushtuar gjithë poetëve të kohës së diktaturës, të cilët, në një formë a në një tjetër, të gjithë kanë qenë kundër asaj bote të egër”. Poema mbart vlera të veçanta artistike dhe ideore. Po citoj vetëm një strofë: Sirtar i fshehtë ish bërë fjala jote/ Liria e fshehur në strofa e vargje / Ngado që hidhje hapin e kishe një roje / Në pyll e në arë, në udhë e në lagje…/ Ose le të marrim vjershën “Lufta”, shkruar në Londër më 2002. Po lexoj 4 vargje: /Ku nuk u thurën çerdhe lufte /Çdo gjë barrikadë u bë…/ Rrënjë ulliri s’mbeti pa u shkulur / Vetëm për paqen s’flitej më.

Ngjarjeve tragjike të vitit 1997, i është kushtuar dhe sarkazma “Kështu ka ndodhur”, një poezi shumë e ndjerë, ku autori përshkruan me vargje therëse e prekëse “luftën e turpshme mes njëri-tjetrit” dhe përfundon: “Kështu ka ndodhur në nëntëdhjetë e shtatën /U vranë buzëqeshjet, bisqet e njoma.” Me këtë tematikë ka edhe poezi të tjera, çka tregon se autori, edhe pse jeton prej shumë vjetësh jashtë atdheut, asnjëherë dhe për asnjë çast nuk e ka ndjerë veten larg tij, ka jetuar me hallet e shqetësimet e vendlindjes.

  1. Fshikullimi i zakoneve dhe veseve të këqija

Në disa nga poezitë e vëllimit që po paraqesim trajtohen me gjuhë poetike zakonet dhe veset e këqija, si plagë të shoqërisë sonë të së kaluarës, por dhe të sotme. Vjersha “Gjak në këmishë” flet për gjakmarrjen, si dhe vjershat “Burri matet me zemër”, apo “Qyqja”. Janë krijime të shkurtra, me pak vargje, por që japin mesazhe të qarta. Vend të veçantë zënë poezitë për veset e njeriut. Në vjershën “Brenda dhe jashtë kohës zyrtare” zyrtari i korruptuar bëhet qëllimkeq i dyfishtë, që me një gur kërkon të vrasë dy zogj, tek “Sorra” thuhet se mezi kalon provimin e shkollës, ndërsa në provimin e jetës i bien puplat, te “Interesi” lexojmë se “sot për interes, dhe vëllai të vret”, te “Ju vraftë buka” esenca e mesazhit jepet në vargjet “ Të pabesë paskeni qenë / Ju vraftë buka që ju kam dhënë”, te poezia e fundit e vëllimit “Pema e ullirit” vlerësohet modestia, puna pa zhurmë e pa bujë, si e ullirit, që thotë shumë edhe kur “Fëshfërijnë, blertësisht/ këto pemë mahnitëse/ Pa bujë pa zhurmë”. Të kësaj natyre janë dhe vjershat “Grifshë”, “Koha dhe dreqi”, “Bushtra”, Fluturaçkë” etj.

  1. Poezitë e dashurisë dhe lidhja me jetën intime

Poezitë e dashurisë zënë një vend qendror në këtë vëllim. Nervi poetik i autorit këtu merr një dritë të veçantë, vezulluese, madje hera-herës magjepsëse. Dhe shpesh herë, poezitë kanë brenda intimitetin, Naimi vargëzon artistikisht për ngjarje e ndodhi që duket se i ka përjetuar, si të thuash, e prek vetë bukurinë e vajzës, e përshkruan si e ndjen, si e sheh dhe jo nga një kënd i larg. Janë shumë poezi të tilla, por po citojmë vetëm pak prej tyre, si ato me tituj “Dreçkë”, “Sa dëshirë”, “Burrë e grua”, “Djaloshi”, “ Vjershë e ndaluar” nga ku merr edhe titullin vëllimi, ku adoleshenti shpërthen si vullkan në dashurinë ndaj mësueses. Mjaft të goditura janë dhe vjershat “Margaritë”, “Mjegull”, “Pranverore”, “ Mbrëmje me kashtën e kumtrit”, “Flokëverdha” ( te cilen e ka shkruar në Pekin), “Do vete vrik një ditë në Lezhë”, vjershë e bukur ku autori niset të takojë një ish-dashnore të hershme, ku i kërkon nëse i ka mbetur qoftë edhe një thërrime nga buka e vjetër. Por kemi edhe një rast tjetër intimiteti. Në Uells, për shembull, Naimit i ka zënë syri ndonjë vajzë të bukur dhe nuk është përmbajtur deri sa të thurë poezinë “Efemere”. Po e citojmë: Kam përballë /Një vajzë /Një yll /Seç pikon një shi në diell / Xhevahir i rrallë/ Ah, ç’femër /Shih me sy e plas me zemër/ Karakteristikë e vjershave të dashurisë është shkurtësia, mesazhi jepet me pak vargje e fjalë të zgjedhura.

Së fundi, por jo nga rëndësia, autori na përcjell në këtë vëllim poezi me vlera të veçanta për njerëz konkretë, që shquhen në fusha të ndryshme të artit, apo për shokë e miq të autorit, të ndarë nga jeta para kohe në mërgimin e hidhur.Veçojmë vjershën për Dritëro Agollin, që, për mendimin tim, është si një lapidar përsëgjalli që i ngrihet poetit të madh. Vetë Naimi e quan ‘Ditiramb për poetin më të madh të shqipes së gjithkohshme letrare”. Më lejoni të citoj disa vargje, me gjithë se është vështirë të zgjedhësh:Ti, një shkëmb i gdhendur, flokëzbardhë/ Nga mielli i magjes së madhe të shijeve / E di. Dhe në shekujt që kanë me ardhë / Ti mbetesh Monarku i gjithë poezive.

Shumë e ndjerë është poezia kushtuar Vaçe Zelës, të cilën autori e quan “ujëvarë magjepsëse, që çmend madhështinë”, “Personifikimi i diellit / Pas stuhisë së vjeshtës”. E tillë është edhe vjersha kushtuar këngëtarit të shquar dibran Arif Vladi. Me tone prekëse, epike, shkruar me dhimbje shpirti, janë dhe dy poezi kushtuar miqve të tij të ndarë nga jeta në moshë të re në dhe të huaj. Të tilla janë “Epitaf për Fitimin” dhe “Rustemi”.

Përfundim

Libri “Vjershë e ndaluar” i Naim Berishës, mendoj se radhitet me dinjitet në librat më të mirë me poezi të botuar kohët e fundit. Vargu i skalitur, herë i lirë e herë i rimuar, gjuha e përpunuar letrare, me figura të përdorura me mjeshtëri e jo të stisura, përdorimi i fjalëve e shprehjeve popullore, mesazhet që mbartin poezitë e vëllimit në fjalë, e tjere, e radhitin autorin ndër poetët më në zë të këtij njëzetvjeçari. Dhe, ashtu siç ka thënë Dritëro Agolli për Naimin që në vitin 1996 : “Deri tani e ka përballuar me sukses maratonën e pamëshirshme në hapësirën e poezisë…, Naimi premton shumë për të ardhmen” . Parashikimi i Dritëroit ishte shumë i saktë. Naimi që nga ajo kohë e deri më sot ka ecur përpara në gjithë krijimtarinë e tij shumëplanshe. Dhe ecën e ecën gjithmonë përpara me vepra të tjera të përfunduara, që presin dritën e botimit.

Do të veçoj, së fundi, thirrjen që bën i ndjeri Profesor Bedri Dedja, Akademik, për poezitë e Naimit, me të cilin bashkohem plotësisht : “Lexojini me vëmendje poezitë e tij dhe do të vëreni se ato mbartin karakteristika të veçanta të shprehura me një figuracion funksional”.

Ja, pra, kjo është thirrja, me të cilën bashkohem edhe unë dhe i ftoj të bashkohen dhe lexuesit.

Autori eshte “Mësues i merituar”, shkrimtar

Lini një përgjigje

Adresa juaj e emailit nuk do të bëhet publike. Fushat e detyrueshme janë shënjuar me *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>