Vëzhgimi/Banka e Shqipërisë i jep serum ekonomisë

Banka e Shqipërisë i jep serum ekonomisë

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendos të ulë normën bazë të interesit për lekun me 0.25 pikë përqindje, duke e zbritur atë në nivelin 2.75 për qind. Por bankat e nivelit të dytë nuk e përshëndetët  këtë ulje të radhës së normës së interesit, edhe pse do të ishte moment idelal për kreditim të biznesit. Kësaj radhe i janë indiferent. Kjo është hera e dytë që BSH ul normën bazë të interesit brenda 3 muajsh. Në dhjetor të vitit të kaluar Banka e Shqipërisë uli normën bazë të interesit me 0.25% duke e zbritur në 3%. Guvernatori tha se, inflacioni vijoi prirjet ngadalësuese, duke qenë mesatarisht 1.7% në muajin Janar, i ndikuar nga reduktimi i çmimeve të ushqimeve. Ndërsa u shpreh optimist për vitin në vazhdim, për rritjen e kërkesës konsumatore dhe zgjerimin e aktivitetit ekonomik e sipërmarrës, mbështetur në nismat e reja fiskale të qeverisë. Prej dy vitesh e gjysmë, Banka Qendrore e ka lehtësuar vazhdimisht politikën monetare, duke ulur normën bazë nga 5% në shtator 2011 në 2.75% aktualisht. Kjo politikë është reflektuar kryesisht në rënien e interesave të depozitave në lekë, që aktualisht janë në nivelet minimale historike, si dhe koston e letrave me vlerë të qeverisë, ndërkohë që reflektimi në koston e kredisë në lekë ka qenë më i ulet (interesat e kredisë në lekë janë ulur me më pak se dy pikë përqindjeje gjatë të njëjtën periudhë). Nga ana tjetër, kredia në lekë në vitin 2013 shënoi rënie vjetore prej 2.4%, rezultati më i dobët në dekadë, teksa faktorë të tjerë përveç kostos së kredisë, si frenimi i ekonomisë, rritja e kredive të këqija, mungesa e investimeve nga biznesi, kanë qenë faktorë më të rëndësishëm që kanë orientuar ecurinë e kredisë përgjatë 2013-s. Sidoqoftë biznesi kërkon  të ketë kushte të mira fiskale për të materializuar kreditë se sa ulje të interesit dhe ulja në këto nivele e përqindjes se interesit është me tepër serum për ekonominë nga ana e Bankës se sa veprim me logjikë të shëndoshë ekonomike. Me këto veprime Banka Shqipërisë po rrezikon shumë pasi njerëzit do ti tërheqin paratë e depozituara sepse nuk kanë më asnjë interes.