Vëzhgimi/Rama dhuron shfaqje televizive, qytetarët përballen të vetëm me vështirësitë e motit të keq

rama

Prej tre ditësh vendi ynë po përballet me një situatë të rënduar nga moti i keq, ku reshjet e dëborës kanë mbuluar pjesën më të madhe të territorit. Ndërkohë që mijëra qytetarë po përballen me vështirësitë e krijuara në qarkullim, por edhe me mungesën e energjisë elektrike dhe komunikimit për shkak të bllokimit të akseve rrugore dhe dëmtimit të linjave të tensionit të lartë, që furnizojnë me energji pjesën më të madhe të vendit, qeveria dhe Drejtoria e Emergjencave dhurojnë shfaqje televizive, ku shprehen se janë marrë masa për të siguruar lëvizshmërinë pa probleme. Por e vërteta është se ndërkohë që propaganda qeveritare e shet situatën si të normalizuar dhe të mbajtur në kontroll, dhjetëra qytetarë nëpërmjet videove të dërguara në redaksitë e disa portaleve raportojnë për vështirësi nga më të ndryshmet kryesisht në veri dhe veri-lindje të vendit, ku reshjet e dëborës kanë arritur edhe në 40 apo 45 cm trashësi. Në mbledhjen e djeshme të Shtabit të Emergjencave Civile, të organizuar nga Kryeministri, u tha se vetëm në Rrugën e Kombit, që është aksi vital për veriun e vendit, gjendeshin 3 borëpastruese, por realisht në terren e vërteta është ndryshe dhe vetë videot e qytetarëve tregojnë se nuk ka patur asnjë makinë për pastrimin e rrugës. Ajo që i jep një ton edhe më shqetësues situatës tepër të rënduar në orët e fundit të ditës së djeshme është edhe thirrja zyrtare e qeverisë për të pajisur me kripë kompanitë që bëjnë mbarëvajtjen e rrugëve të vendit, kur në një vend normal një hap i tillë duhej ndërmarrë shumë kohë përpara se vendi të përballej me motin e keq. Problemi me qarkullimin në akset kombëtare është duke marrë përmasa tragjike, sepse vetë Kreu i Emergjencave Civile duke iu tërhequr veshin kompanive që kanë detyrime për mirëmbajtjen  e rrugëve, e pranoi se vështirësitë në qarkullim po prodhohen edhe si pasojë e mungesës së rezervave të kripës, lëndë kjo që është e nevojshme për të bërë shkrirjen e akullit në rrugë. Shqipëria gjendet përballë një situate tepër të rëndë prej motit të keq dhe virusit të gripit që kanë zbarkuar në vend gjatë ditëve të fundit, por ajo që e përkeqëson edhe më tepër situatën dhe e çon vendin në gjendje kaosi është mungesa e masave që duheshin marrë prej kohësh nga autoritetet për të përballuar në mënyrën e duhur  situatën. Përkeqësimi i motit me temperatura që pritet të shënojnë ulje ekstreme në pjesën më të madhe të vendit gjatë dy ditëve në vijim është elementi, që shton edhe më tepër frikën e shqetësim për mijëra banorë të fshatrave të Kukësit, Shkodrës dhe Dibrës, që kanë mbetur të bllokuar si pasojë e mungesës së borëpastrueseve në rrugë, por edhe si pasojë e shkëputjes së energjisë elektrike, që çon në mungesë të komunikimit me këto zona. Gjendja aktuale e Shqipërisë është e frikshme, me një qeveri që realisht nuk e vendos hiç ujin në zjarr për hallet dhe problemet e qytetarëve, por që angazhohet vetëm e vetëm për të dhuruar shfaqje me regji të paguar, ku bën propagandë duke shitur imazhe që në të vërtetë nuk ekzistojnë. Situata pritet të përkeqësohet edhe më tepër ën dy ditët në vijim, ndërsa qytetarët duhet të dinë se kryeministri i tyre i ka braktisur dhe i ka lënë të vetëm në betejën me motin e keq dhe me vështirësitë që krijohen prej tij.

Kronika: Reshjet e dendura të dëborës dhe mungesa e borëpastrueseve shkaktojnë probleme me qarkullimin në veri dhe veri-lindje të vendit/ Pjesa më e madhe e territorit të vendit gjatë dy ditëve të fundit është pushtuar nga reshjet e dendura të dëborës, të cilat kanë shkaktuar vështirësi në qarkullimin rrugor dhe paralizim të lëvizjes në disa akse kombëtare, por edhe dëmtime në linjat e furnizimit me energji elektrike kryesisht në veri të vendit. Kështu në qarkun e Kukësit, reshjet e dëborës kanë vijuar pothuajse gjatë gjithë ditës së djeshme, ndërkohë që të gjitha akset kombëtare kanë qenë përgjithësisht të qarkullueshëm me zinxhirë. ‘Rruga e Kombit’ në orët e para të mëngjesit ka qenë e qarkullueshme me zinxhirë, ndërsa më pas si pasojë e mungesës së borëpastrueseve qarkullimi është vështirësuar dhe aksi më i rëndësishëm i veriut të vendit është bërë i pakalueshëm. Fshatrat Arren, Kalis, Grykeçaje e Surroj kanë qenë të bllokuara ndërsa një pjesë e madhe e fshatrave kanë mbetur pa energji elektrike, sipas njoftimit të bashkisë së këtij qyteti. Ka qenë Kryetari i bashkisë Kukës, Bashkim Shehu, i cili në një dalje për mediat  ka kërkuar mbështetjen e Drejtorisë së Përgjithshme të Emergjencave për situatën, ndërsa ka shtuar se bashkia ka marrë të gjitha masat për funksionimin e institucioneve jetike si Ujësjellësi, si dhe për mbajtjen hapur të rrugëve që të çojnë drejt spitalit, maternitetit dhe njësive të shërbimit. Kryetari i Bashkisë i ka bërë apel qytetarëve që të mos lëvizin pa pasur një arsye të fortë në këto ditë, ku priten edhe rënie drastike të temperaturave. Të gjitha borëpastrueset e bashkisë kanë qenë  në terren për mbajtjen hapur dhe të qarkullueshme “Rrugën e Kombit” dhe akset e tjera që lidhin Kukësin me Njësitë Administrative, por ka munguar ndihma me borëpastruese nga Autoriteti Rrugor. Autoriteti Rrugor Shqiptar në orët e mesditës i ka bërë thirrje drejtuesve të automjeteve të evitojnë udhëtimin në Rrugën e Kombit, ku reshjet e dëborës kanë qenë tepër të dendura. Sipas njoftimit të ARRSH-së për qytetarët pjesa më e vështirë për tu kaluar ka qenë ajo pas tunelit të Thirrës. Vetë ARRSH ka bërë thirrje për evitimin e përdorimit të këtij aksi gjatë orëve të natës. Pasojat e reshjeve të dendura të dëborës dhe mungesës së borëpastruesve e ka vuajtur edhe qarku i Shkodrës, ku gjatë orëve të mëngjesit në Pukë ka pasur reshje bore në lartësinë mbi 500 m dhe ka pasur dhjetëra akse rrugore të bllokuara. Ditën e djeshme në akset rrugore Vau Dejës-Koman-Pukë-Fushë Arrëz, Fushë Arrëz-Qafë Mali-Qafë Shllak, Qafë Mali-Dardhë-Fierzë, Qafë Mali-Iballë, automjetet kanë qarkulluar me zinxhirë. Qarkullimi ka qenë pothuajse i pamundur edhe me zinxhirë në akset Bardhok-Iballë, Shkodër-Bregu i Lumit, Bogë-Theth, ndërsa të pakalueshme kanë qenë akset Vau Dejës-Shllak dhe Tamarë-Vermos. Gjithashtu shqetësues është fakti se në dispozicion të dy Bashkive Pukë dhe Fushë Arrëz është vendosur vetëm 1 borëpastruese. Gjatë ditës së djeshme në qarkun e Dibrës ka pasur reshje bore që kanë arritur trashësi rreth 10-12 cm. Në Dibër ka pasur vështirësi qarkullimi pothuajse në të gjitha akset kombëtare. Ndërkohë akset rrugore që lidhin zonat urbane me zonat rurale kanë qenë kryesisht të kalueshme me zinxhirë. Reshjet dhe temperaturat e ulëta kanë shkaktuar probleme edhe në linjat e furnizimit me energji elektrike, ku sipas deklaratës zyrtare të OSHEE-së, 8 fidera kanë pësuar probleme dhe kanë lënë pa energji mijëra banorë në qytete të ndryshme gjatë ditës së djeshme. Zonat të tëra kanë mbetur pa energji edhe në qytetin e Tiranës, ku janë dëmtuar Kabina e Muzeut Kombëtar që furnizon me energji institucionin e Muzeut Kombëtar, Kabina OSBE-së që furnizon me energji institucionin e OSBE-së në ish- Bllok, si dhe Kabina Pergola B që furnizon një pjesë të zonës së ish-Bllokut. Gjithashtu në qarkun e Elbasanit kanë mbetur pa energji fshati Cërrujë dhe disa zona në qytetin e Gramshit, ndërsa  në Korçë fshatrat Rëmenj Cezmë dhe Cezmë e Vogël, por edhe disa zona të Pogradecit. Edhe në qarkun e Vlorës, Gjirokastrës dhe Kukës ka dhjetëra zona ku dëmtimi i shtyllave të tensionit të lartë ka sjellë mungesën e furnizimit me energji elektrike. Duket se zonat që po vuajnë më tepër janë ato të qarkut të Shkodrës, Pukës dhe Burrelit. Sipas informacioneve në zonat veriore dhe veri-lindore, të cilat janë prekur nga temperaturat e ulëta dhe reshjet e dëborës dhjetëra akse kombëtare kanë mbetur të bllokuara, ndërkohë në shumë të tjera qarkullimi i automjeteve është kryer me zinxhirë.

 

 

Lini një përgjigje

Adresa juaj e emailit nuk do të bëhet publike. Fushat e detyrueshme janë shënjuar me *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>