Vjedhja në Bankën e Shqipërisë

Milo: Nismat e bankës janë mbështetur nga të gjitha institucionet

Petraq Milo, anëtarë i Këshillit Mbikqyrës i Bankës së Shqipërisë përjashton çdo mundësi që vjedhja e ndodhur në këtë institucion të ketë ndikim si në ekonominë e vendit ashtu dhe në marrëdhëniet e Bankës Qendrore me bankat e nivelit të dytë. Milo sqaron se ngjarja u zbulua nga vetë banka dhe pas kësaj administratorët e Bankës kanë marrë të gjithë masat e nevojshme për të nxjerrë përgjegjësit e ngjarjes përpara drejtësisë, por dhe evitimin e çdo mundësie që ngjarje të tilla të përsëriten. Të gjitha nismat e administratorëve të këtij institucioni të pavarur, sipas z. Milo kanë gjetur mbështetjen jo vetëm të Këshillit Mbikëqyrës, por dhe qeverisë. Në të njëjtën linjë me anëtarë të tjerë të Këshillit Mbikëqyrës, të cilët kanë analizuar skandalin e vjedhjes së afro 7 miliardë lekëve nga punonjës të Bankës së Shqipërisë, Milo pohon se rregullorja e këtij institucioni është e standardeve më të larta, që në rast se nuk do të ishte shkelur nuk do të kishte ndodhur kjo ngjarje e paprecedentë për Bankës Qendrore.