Vokshi: Ligji i arsimit ka dështuar, Nikolla ka shpërdoruar detyrën  

Kryetarja e Komisionit të Arsimit, Albana Vokshi në një deklaratë nga selia e Partisë Demokratike denoncoi ashpër mos dhënien e rrogave të pedagogëve dhe stafit pedagogjik. Vokshi theksoi se mosdhënia e pagës për 15 mijë pedagogë dhe staf  të universiteteve është shpërdorim i detyrës nga Ministrja e Arsimit, ndërsa e cilëson të dështuar ligjin e arsimit të lartë

Pedagogët pa paga, reagon Valentina Duka: Një gjë e tillë s’ka ndodhur as në diktaturën komuniste

 

Kryetarja e Komisionit të Arsimit, Albana Vokshi në një deklaratë nga selia e Partisë Demokratike denoncoi ashpër mos dhënien e rrogave të pedagogëve dhe stafit pedagogjik. ‘Mosdhënia e pagës për 15 mijë pedagogë dhe staf  të universiteteve është shpërdorim i detyrës nga Ministrja e Arsimit.  Ligji i Arsimit të Lartë ka dështuar’, tha Albana Vokshi nga selia e PD.“Sot është data 10 shkurt dhe asnjë pedagog dhe staf në universitetet publike, nuk kanë marrë ende pagat. Janë 15 mijë familje, të cilave qeveria u ka shkelur kontratat dhe askush nuk mban përgjegjësi. Ndërkohë, kur qytetarët shkelin kontratat dhe nuk paguajnë dritat dhe ujin përfundjonë në burg. Këtë fat e kanë provuar mbi 38 mijë qytetarë dhe me këtë fat vazhdojnë të kërcënohen çdo ditë nga kryeministri dhe ministrat e tij. Ministrja e Arsimit dështoi sot të japë përgjigje persë pedagogët nuk janë paguar për punën e tyre. Ndjesa e saj është hipokrite. Ajo lau duart si Ponc Pilati dhe nuk pranoi se ajo është përgjegjësja dhe shkaktarja kryesore e kësaj situate që fakton se ligji i arsimit të lartë ka dështuar.  Për shkak se Ministrja e Arsimit nuk ka nxjerrë qëllimisht aktet nënligjore, që do të lejonin pagesën për mbi 15 mijë pedagogë dhe stafit të administratës së universiteteve publike, ka nga ata pedagogë që kanë kërkuar borxh për të paguar faturat e familjeve të tyre.  Të enjten, në seancën e parlamentit, kam kërkuar që Ministrja Nikolla të raportonte urgjentisht në lidhje me këtë problem, i cili është unikal në llojin e tij në botë, madje edhe për regjimet më autokratike. Por Ministrja në shkelje të përsëritur të Rregullores së Kuvendit, nuk u paraqit në seancë. Njësoj si sot, ajo nuk dha asnjë shpjegim për kolapsin financiar të Universiteteve publike. I gjithë sistemi i arsimit të lartë publik është paralizuar prej mungesës së akteve nënligjore, të cilat duhet të ishin miratuar që në prill të 2016. Ky është shpërdorim i qartë i detyrës nga Ministrja e Arsimit, e cila me mosveprimin e saj është subjekt i nenit 248 të Kodit penal për shpërdorim detyre, sepse në mospërmbushje të rregullt të detyrës, ka dëmtuar interesat e ligjshme të 15 mijë shtetasve. Por nuk është vetëm kaq. Synimi është për të nënshtruar këdo që mund të cenojë pushtetin e tij. Edi Rama po shkatërron të gjithë sistemin arsimor, po përpiqet të vërë nën kontroll artistët, të pengojë të rinjtë të arsimohen, të shkatërrojë trashëgiminë kulturore. Pra të mbajë të nënshtruar elitën dhe rininë. Prej papërgjegjshmërisë së dyshes Edi Rama dhe Lindita Nikolla sot, 15 mijë familje janë pa të ardhurat që ju takojnë me ligj. Prej papërgjëgjshmërisë së dyshes Rama-Nikolla, sot mijëra të rinj nuk kanë mundësi të arsimohen për shkak të tarifave të rritura. Prej papërgjëgjshmërisë së dyshes Rama-Nikolla, kërkimi shkencor ka ndalur. Përçmimi për elitat ka bërë që prej 3 vitesh në Shqipëri të mos jepen tituj shkencorë. Prej papërgjëgjshmërisë së dyshes Rama-Nikolla, studentët janë pa karta e nuk marrin dot kredi studentore. Prej papërgjëgjshmërisë së dyshes Rama-Nikolla në asnjë universitet nuk hapen dot degë të reja. Prej papërgjëgjshmërisë së dyshes Rama-Nikolla, rektoratet janë kthyer në burime konfliktesh kompetencash apo edhe fizike. Prej papërgjëgjshmërisë së dyshes Rama-Nikolla, autonomia e Universiteteve Publike është cenuar rëndë. Partia Demokratike do të jetë në mbështetje të pedagogëve, artistëve, rinisë  për të mos lejuar nëpërkëmbjen e tyre dhe në mbrojtje të të drejtave të tyre”, deklaron Vokshi.

Pedagogët pa paga, reagon Valentina Duka: Një gjë e tillë s’ka ndodhur as në diktaturën komuniste/ Në lidhje me mospagesën e pedagogëve ka reaguar edhe deputetja e PD ,Valentina Duka. Duka shkruan se një gjë e tillë s’ka ndodhur as në diktaturën komuniste.Sot ministrja e Arsimit më në fund, dha një shpjegim qesharak të arsyeve pse stafet e universiteteve publike nuk po marrin akoma pagat edhe pse muaji shkurt ka hyrë në ditën e dhjetë të tij. Zonja Nikolla kërkoi ndjesë duke e justifikuar vonesën me shtimin e autonomisë financiare të universiteteve të siguruar nga Ligji i Arsimit të Lartë!!! E përkthyer ndryshe, kjo do të thotë: ne ju japim autonomi, por ju pjesëtarë të stafeve universitare, këtë duhet ta paguani shtrenjtë, deri edhe me uri!!! A mund të gjendet vallë njeri me mend në kokë që të pranojë shfajësime të tilla? Si mund të pranojnë kolegët e stafeve universitare absurditete të tilla? A mund të na shpjegojë ministrja se cili institucion dhe cili individ nuk i ka bërë “detyrat e shtëpisë” dhe pse? A do të ketë vallë përgjegjësi konkrete për këtë çështje?  Çuditem me faktin që ende zyrtarët e lartë të qeverisë Rama mburren me ligjin aktual të arsimit të lartë. Ky ligj është një nga ligjet më të dobëta në historinë e legjislacionit shqiptar për arsimin e lartë, një nga ligjet më të kontestuara nga stafet akademike në kohën kur përgatitej të miratohej dhe që si i tillë, ka shkaktuar shqetësime e anomali serioze në universitetet shqiptare.  Por më e keqja në këtë mes qëndron në atë që edhe kështu siç është ligji në fjalë sot nuk është aspak funksional, sepse Qeveria edhe sot e kësaj dite kur kanë kaluar rreth dy vjet e gjysmë nga hyrja në fuqi e ligjit, nuk ka përgatitur të gjithë paketën e akteve nënligjore që e bëjnë atë të zbatueshëm, duke shkelur kështu në mënyrë flagrante nenin 141 të ligjit në fjalë, i cili e detyronte qeverinë të përgatiste paketën e mësipërme brenda nëntë muajve pasi ligji të hynte në fuqi! Kjo është arsyeja e vërtetë pse sot në shumë aspekte, institucionet e arsimit të larte gjenden në kolaps.  Kjo situate dramatike rëndohet edhe më shumë jo vetëm nga fakti që një pjesë e akteve nënligjore ende nuk kanë dalë (siç janë ato që lidhen me shkollën doktorale, me atestimin akademik të stafeve, me funksionimin e Agjencisë Kombëtare të Financimit të Arsimit të Lartë, Agjencisë Kombëtare të Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit, etj.), por edhe ato të nxjerra deri tani nga qeveria, janë të një cilësie të dobët dhe për më keq, cenojnë rëndë autonominë akademike të Universiteteve. Si shembull për këtë mund të tregohet Vendimi i Këshillit të Ministrave (Nr.41/ 24.01.2018, një VKM që i ngjan një fjalori të keq terminologjik me shpjegime të dobëta që lidhen me procesin mësimor në universitetet shqiptare.  Me këtë VKM qeveria merr përsipër të ofrojë në mënyrë të detyrueshme një tipologji dhe një model unik të planeve dhe programeve mësimore për të gjitha universitetet e Shqipërisë, duke uzurpuar kështu haptazi të drejtat dhe atributet ekskluzive që ka çdo universitet për çështje të tilla kudo në botë. Për t’u bindur për këtë, cilido mund të drejtohet në faqen zyrtare të qeverisë (besoj se është publikuar) dhe të shohë madje edhe modelin e detyrueshëm qeveritar të silabusit (programit) të lëndës që u serviret universiteteve. Një gjë e tillë e papranueshme, madje qesharake për standartet dhe statusin e një universiteti, nuk ka ndodhur në Shqipëri as në kohën e diktaturës komuniste. Lere pastaj se ç’do të ndodhte me universitetet e BE-së, ShBA apo Britanisë së Madhe, në se qeveritë e këtyre vendeve do t’iu impononin atyre kallëpe apo modele të tilla???, shkruan Duka.

Lini një përgjigje

Adresa juaj e emailit nuk do të bëhet publike. Fushat e detyrueshme janë shënjuar me *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>