Votat pro Ruçit/Ervin Salianji flet pas mbledhjes së Grupit Parlamentar dhe Kryesisë

Salianji: Lojë e pisët e Edi Ramës, që kërkon të shmangë vëmendjen nga zgjedhja e Ruçit kryetar Kuvendi

Deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji deklaroi se demokratët ishin në dy linja për rrjedhjen e votave pro Gramoz Ruçit si krye parlamentar, duke shtuar se nuk ka pasur debate në mbledhjen e grupit parlamentar, ku u tha se Sali Berisha e kritikoi atë, por vetëm diskutime në lidhje me situatën. “Në mbledhjen e grupit parlamentar pati shprehje e pakënaqësisë për votimin e djeshëm. Ka pasur dy mbledhje, në të cilën u diskutua për qëndrimet e PD në seancën e nesërme parlamentare. Shqetësimi i anëtarëve të grupit parlamentar të PD është manipulimi apo blerja e votës. Diskutimet nuk janë të vërteta, por secili nga deputetët ka pasur mendimin personal. Sot ka pasur një qëndrim të të gjithë grupit parlamentar të PD. Sot u mbajtën qëndrimet e plota. PD dënon me ashpërsi atë që ndodhi dje. Erdhi prej manipulimit apo blerjes së votës kjo mbetet për t’u parë. Kush shet votën nuk do të ketë vend në grupin parlamentar të PD. Nëse dikush ka tradhtuar shpirtin e vet, PD do e shohë me prioritet absolut duke marrë masa. Unë mbajta qëndrimin tim direkt dje për manipulim, por qëndrimi i PD sot është më i detajuar duke shtuar dhe mundësinë se mund të jetë blerë vota,” u shpreh Salianji në rubrikën “Opinion”.  Salianji shtoi se kjo ishte një lojë e pisët e Edi Ramës, që kërkon të shmangë vëmendjen nga zgjedhja e Ruçit kryetar Kuvendi. “Është një lojë nga ana e mazhorancës, lojë e pisët e Ramës që kërkon të shmangë vëmendjen nga zgjedhja e Ruçit kryetar parlamenti. Është shmangur nga vëmendja dhe mungesa e zyrtarëve të huaj,” deklaroi Ervin Salianji. Ndërkohë më herët Salianji u shpreh se rezultati u deformua nga ata që bënë propozimin kriminal, edhe pse i kishin votat e sigurta. Salianji ironizon PS për manipulimin e procesit, duke thënë se vesi i hajdutit nuk i la të qetë dhe i bëri të vjedhin aq shëmtuar saç bënë më 25 qershor kur PD kishte 4 komisionerë. “E kanë ves!! Këta vjedhin me 4 komisionerë jo kur e administrojnë të vetëm procesin! Janë të turpshëm në çdo akt, jo vetëm në propozimin kriminal por edhe në procedurën e zgjedhjes! Vjedhin dhe kur e kanë në tavolinë rezultatin. Vesi nuk i lë dhe kur kanë numrat, nuk e kanë për turp të vjedhin votat edhe të deputetëve! Këta kanë vjedhur zgjedhjet ku kishim 4 komisionerë, jo këtu që e kishin bosh!  Qëndrimi i PDSH ishte i qartë, me përbuzje refuzoi dhënien pushtet vlerave kriminale që i propozoi Rama shqiptarëve me Ruçin!!”, shkruan Salianji.

Grida Duma: Ambasadori Donald Lu bojkotoi Gramoz Ruçin në parlament

Partia Demokratike thotë se kurdisja e historisë për rrjedhjen e votave nga ky grup parlamentar për votimin e Gramoz Ruçit është një intrigë për të shmangur vëmendjen nga një histori tjetër që ndodhi sot në kuvend. Zëdhënësja e grupit parlamentar të PD-së, Grida Duma theksoi mungesën e ambasadorit të SHBA-ve në seancën e sotme për herë të parë për shkak të vendosjes sipas saj, në krye të Kuvendit të një njeriu të cilin qeveria amerikane e ka ndaluar të hyjë në SHBA. “Kurdisja e historisë me vota gjoja të rrjedhura është një intrigë e vogël për te larguar vëmendjen e opinionit nga fakti që për herë të parë qeveria amerikane ka bojkotuar çeljen e punimeve të Kuvendit të Shqipërisë për shkak se në krye të tij u vendos një njeri të cilin qeveria amerikane e ka ndaluar përjetësisht të hyjë në SHBA prej lidhjeve me krimin dhe trafiqet. Edi Rama dhe ata që i mbajnë ison për çfarëdo interesi dhe motivi, as nuk e ndikojnë fare Partinë Demokratike dhe kauzat e saj”, deklaroi Duma.

Deputetja Ulqinaku: Zgjedhja e Gramoz Ruçit, agresion ndaj viktimave të pafajshme të regjimit komunist/ Deputetja e Partisë Demokratike në qarkun e Shkodrës, Izmira Ulqinaku ka reaguar ashpër një ditë pas votimit të PS për zgjedhjen e Gramoz Ruçit në krye të Kuvendit të Shqipërisë. Në një postim në Facebook, Ulqinaku shprehet se si mbesa e njërit prej 4 të vrarëve të 2 Prillit, ajo e sheh zgjedhjen e Ministrit të fundit të Brendshëm që pati diktatura komuniste si një agresion ndaj viktimave të regjimit. Ulqinaku thekson se Edi Rama e dekoroi xhelatin e komunizmit me një nga postet më të rëndësishme, sepse ai ishte ideatori i gjithë skemës kriminale me të cilën u blenë dhe vodhën votat që i siguruan mandatin e dytë si kryeministër. Sipas deputetes demokrate “rilindasit” e Ramës po përpiqen të zhdukin dosjet e të shkuarës së Ruçit, por ato janë të ruajtura nga arkivat e DASH dhe shqiptarët asesi nuk mund ta shohin atë si një figurë të pastër.

Postimi i Ulqinakut: Nuk dua të flas si një deputete e re e Kuvendit të Shqipërisë, por si mbesa e njërit prej 4 të vrarëve të 2 Prillit, e të ndjerit Nazmi Kryeziu. Caktimi i Gramoz Ruçit në krye të Kuvendit të Shqipërisë, është më shumë se provokim. Është një akt i ri agresioni ndaj viktimave të pafajshme të regjimit komunist, drejtpërdrejt ndaj viktimave të 2 prillit. Pas 27 vitesh risjell në krye të Parlamentit, Ministrin e Brendshëm të fundit që pati Diktatura Komuniste në Shqipëri. Ne, sigurisht, nuk kishim më shpresë që Edi Rama do ngrihej në atë nivel sa për të dënuar krimet e komunizmit. Por, ai shkoi shumë më larg… Ai dekoroi xhelatin me postin më të lartë publik, duke e venë në krye të institucionit më të rëndësishëm kushtetues të vendit. Sipas Edi Ramës, urdhëruesi i vrasjes së 4 Dëshmorëve të 2 prillit është përfaqësuesi më i lartë, më i vyer i popullit… Por ne e dimë, se kjo nuk është zgjedhja e popullit, e bashkëqytetarëve tanë të vuajtur. Kush i ka firmosur telegramet e natës së 1 prillit 1991, dhe urdhër dhënien ndaj mbrojtësve të Komitetit të Partisë së Punës në Shkodër? A mundet që vrojtuesit e delegacioneve të PPSH pranë partive simotra në vitet 1980 të pretendojnë të luajnë rolin e ndërmjetësuesit të partive politike shqiptare në parlamentin e vitit 2017? A mundet që rojet e Gardës së batalionit të Sigurimit të Byrosë politike dikur, të vendosen në majat e drejtimit të vendit? Ndërsa ju zoti Kryeministër e kishit të gjithë mundësinë, që para se të merrnit vendimin provokativ ndaj popullit që e don dhe e mbron lirinë e vet në Shqipëri, të hulumtonit në dosjet e arkivit të Kryeministrisë, te viteve 2003-2005, dhe do gjenit mjaftueshëm korrespondencë mes zyrës kryesore qeveritare shqiptare me MPJ për komunikim me State Department, Albanian Desk, pikërisht për personazhin që ju promovoni sot. Do kalojnë vite, dhe nëqoftëse këto dokumente ju do t’i zhdukni në Shqipëri, ato kemi për t’i gjetur në National Archives. Ju mund ta ricikloni sot Gramozin, por atë nuk mund t’ia pastroni shqiptarëve të sotëm dhe të nesërm. Ky është produkt i mendjes kriminale, dhe aktivitetit kriminal me të cilin u blenë votat e u manipulua vullneti i qytetarëve. Kjo është një mazhorancë e fryrë nga droga e dhunimi i zgjedhjeve, dhe sigurisht ka nisur numërimi mbrapsht për të… …bashkë me të dhe e Edi Ramës, pinjollëve të komunistëve e xhelatëve të diktaturës.

 

 

Lini një përgjigje

Adresa juaj e emailit nuk do të bëhet publike. Fushat e detyrueshme janë shënjuar me *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>