Vrasja e shpirtit

 

Së voni janë transmetuar dy kronika televizive që nuk të ikin nga mendja:

Pak muaj më parë, një burrë në moshë nga Dibra, rrinte më këmbë i dëshpëruar sa s’ka më, mes plantacionit trehektarësh të qershive në prodhim, që dikush ia kishte prerë me sëpatë e lënë cung gjysmë metri mbi tokë.

Pak javë më parë, një mesoburrë nga Hasi tregonte pyllin e vet të ri katërdynymësh, që dikush ia kishte prerë fund e krye duke ia kthyer gjendjen 10 vjet pas.

Nuk janë të rralla lajmet, humbur diku nëpër kolona e tituj të gazetave, që bëjnë fjalë për këta lloj vrasësish. Këta barbarë nuk janë racë e sotme. Ata kanë ardhur nga kohërat e shtegtojnë në kohëra. Por shfaqja e tashme e tyre, e ndërkallur mes aktesh kur jeta e njeriut mund të kushtojë sa disa kilogramë perimesh në treg, pra ky lloj krimi – ekzekutimi i pronës – i krahasuar me jetën njerëzore, duket si “ta puthësh në ballë”. Ky është shkaku (mbase?!), pse këto lloj “vrasjesh” arsyetohen siç ndodh pas një aksidenti automobilistik: nëse i zoti shpëton shëndoshë e mirë, ditë më vonë nis të ankohet se i është dëmtuar makina. Këta ekzekutorë që duken “të sjellshëm” përballë atyre që marrin jetë njerëzish, nuk gjuajnë të vrasin njeriun e gjallë, ata ekzekutojnë pasurinë e qenies gjallë. Por thënia e lashtë ka përcjellë këtë përcaktim: “Malli (prona) është baraz me shpirtin”.

Kurrë nuk më është shlyer nga kujtesa kjo pamje: pata kthyer te një shok i fëmijërisë, në fshatin Gur të Lushnjes. Në oborr dhe përpara derës së shtëpisë mbeta i shtangur. Tenda e gjerë e hardhisë, e ngarkuar plot e përplot veshulë në pjekje, qe verdhacavë e venitë, gjethe e kokrra, si një qënie kah jep frymën e fundit.

-Pse e ke lënë pa ujë, t’u thafshin krahtë?

Buzëqeshi idhtë e i përmbajtur.

-Ashtu kujtova edhe unë. Thashë, më hupi për pak ujë. Por, jo. Para një jave, dikush e ka sharruar natën. E ka pre në fyt, në fund të trungut e asisoj sa nuk duket, – tha dhe e shtyu hardhinë me këmbë përanash, për t’ia shquar ndërprerjen e jetës.

Ky ndëshkim herë – herë kryhet si paralajmërim: Tani hardhinë, më pas, ndoshta, edhe ty, a more vesh?! Ndonjëherë, duan të tregojnë njerëzi: U nisa për ty, udhës ndërrova mendje! Por shërbehet edhe si vetëshpëtim: Po të mos i trembesha burgimit të përjetshëm, do të të kisha vra ty!

Ky lloj krimi nuk është aq i shpeshtë saç ndodh vrasja e njerëzve, por përshkallëzimi është i frikshëm. Dikur, në Konispol të Sarandës, një familje i gjeti të katër lopët e veta të vrara nga dikush. Një familje në një fshat afër qytetit të Elbasanit, kur shkoi të punonte vreshtin, e gjeti krejt të prerë. Në një fshat të Beratit, rastësisht u hetua që dikush kishte hedhur helm në ujësjellësin ku merrnin ujë 30 familje. Një vëlla, po në Berat, zgjodhi kohën kur në shtëpinë e të vëllait nuk kishte njeri dhe ia dogji deri me çfarë kishte brenda. Në një fshat të Lushnjes, dy të moshuarve të mbetur qyqekall vetëm me largimin e fëmijëve ia helmuan qenin, duke dyshuar se mbanin para në shtëpi. Morën një tjetër qen, por edhe atë ia helmuan. Gjeti një të tretë, mirëpo dyshonte se edhe atij do t’i hidhnin helmin. E, shqetësimi nuk sosi me aq: ashtu të frikësuar mendonin të braktisin fshatin, të shisnin shtëpi e tokë e t’i afroheshin të birit në Tiranë.

Këto lloj krimesh mund të përhapen si gripi në gjendjen e baraspeshës së prishur të shpirtit të njeriut. Ky është asisoj krimi që pjell krim edhe më të madh e më të dhimbshëm. Nuk është puna vetëm te gjetja e autorëve e vënia e tyre para drejtësisë. Ky është fundi i duhur. Por tani që, kush më shumë e kush më pak, e ka pronën private, e përjeton thellësisht shenjtërinë e saj, duhen gjetur mekanizma që, pas çdo grindjeje a sherri, të zgjidhen keqkuptimet apo padrejtësitë e krijuara ndërmjet njerëzve, duke i njohur rastet e trajtuar ato seriozisht, për të parandaluar ndëshkimin e mundshëm mbi pronën.

Nëse vrasësi i njeriut na duket barbar, ekzekutori i kafshëve dhe bimëve bëhet i neveritshëm. Të mos u lihet atyre hapësirë, sepse ata nuk janë thjeshtë dëmtues. Ata janë vrasë të llojit ndryshe që, duke kryer këtë lloj krimi, mund të ushqejnë krime zinxhir edhe më të rënda.