Zguri: Organet ligjzbatuese të zbardhin rezultatet e hetimeve mbi kriminelët e zgjedhjeve  

zguri

Kreu i KQZ, Klement Zguri në një konferencë për shtyp deklaroi përfundimin e afatit të kontestimeve nga forcat politike për tabelën përmbledhëse të rezultatit të zgjedhjeve të përgjithshme. Zguri u shpreh se vetëm tre forca politike kanë kontestuar rezultatin, ndërsa theksoi se shqyrtimi i këtyre kërkesave ankimore do të përmbyllet brenda datës 20 korrik

 

Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Klement Zguri doli ditën e djeshme në një konferencë për shtyp, ku deklaroi përfundimin e afatit të kontestime nga forcat politike për tabelën përmbledhëse të rezultatit të zgjedhjeve të përgjithshme. Zguri u shpreh se vetëm tre forca politike kanë kontestuar rezultatin, ndërsa theksoi se shqyrtimi i këtyre kërkesave ankimore do të përmbyllet brenda datës 20 korrik. “Ditën e hënë u mbushën 5 ditë nga shpallja e vendimit të fundit të KQZ-së për miratimin e Tabelave Përmbledhëse të Rezultatit. Subjektet zgjedhore deri dje kanë pasur të drejtën e ankimit po në KQZ kundër vendimeve për secilin qark. Subjektet kishin të drejtën të kërkonin ndryshimin e Tabelave Përmbledhëse të Rezultatit sipas qarqeve ose/dhe pavlefshmërinë e rezultatit në një apo më shumë qendra votimi. Këtë të drejtë e kanë shfrytëzuar Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet, e cila ka kontestuar tabelën përmbledhëse të rezultatit për Qarkun Tiranë, Partia Demokratike, e cila ka kontestuar tabelën përmbledhëse të rezultatit për Qarkun Berat, si dhe Partia Socialiste e cila ka kontestuar tabelën përmbledhëse të rezultatit për Qarkun Tiranë. Tabelat përmbledhëse të rezultateve për qarqet e tjera, nga sot nuk mund të kontestohen më. Asnjë subjekt elektoral nuk ka paraqitur kërkesë për deklarimin e pavlefshëm të rezultatit në ndonjë qendër votimi. Kërkesa të tilla, nga sot nuk mund të depozitohen më”, tha Zguri. Më tej në deklaratën e tij, kreu i KQZ-së kërkoi nga organet ligj zbatuese zbardhjen e të gjitha krimeve zgjedhore, që u raportuan më 25 qershor dhe gjatë procesit të numërimit. Ai theksoi se veprimtaria efikase e organeve ligj zbatuese është vendimtare për parandalimin e ngjarjeve apo fenomeneve të shkeljes së ligjit në fushën e zgjedhjeve në të ardhmen dhe njëkohësisht shërben si faktor i pazëvendësueshëm për rritjen e cilësisë së zgjedhjeve në Shqipëri. “Procesi ka regjistruar incidente dhe shkelje të natyrave të tjera, të cilat kërkojnë reagimin e përgjegjshëm edhe të institucioneve të tjera. Task Forca e ngritur nga Këshilli i Ministrave për monitorimin e Zgjedhjeve 2017 apo Departamenti i Administratës Publike, janë marrë gjerësisht me problematikën e zgjedhjeve, kanë bërë konstatime, kanë ndërhyrë dhe kanë nisur procedura hetimi administrativ. Është momenti që këto organizma të bëjnë publike rezultatet e punës së tyre. Në mënyrë të veçantë organet e ndjekjes penale kanë regjistruar çështje hetimore, për të cilat shqiptarët presin hetim të shpejtë, të pa ndikuar politikisht, profesional dhe të drejtë. Shqiptarët presin të bëhet publik sa më shpejt rezultati i procedimeve penale për të gjitha veprat penale në fushën e zgjedhjeve që janë në hetim. Qytetarët kanë nevojë ta shohin drejtësinë penale në fushën e zgjedhjeve në veprim dhe në lartësinë e ligjit. Pa lajme serioze, të besueshme dhe të qëndrueshme nga organet e ndjekjes penale nuk mund të ri ngrihet besimi i publikut tek zgjedhjet. Për këtë arsye, u bëj thirrje të gjitha institucioneve të përfshira të përmbyllin me përparësi procedurat e tyre të hetimit administrativ apo penal dhe të bëjnë sa më shpejt publike rezultatet e punës së tyre”, deklaroi Zguri.

 

 

 

Lini një përgjigje

Adresa juaj e emailit nuk do të bëhet publike. Fushat e detyrueshme janë shënjuar me *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>